Data e krijimi të shtetit shqiptar më 28 nëntor 1912 është pashmangshmërisht e lidhur me atë që mund të quhet zanafilla e policisë.
Sipas dokumenteve të kohës,vendimi i qeverisë së përkohshme të Ismail Qemalit, më 13 janar 1913, për “krijimin e forcave të rendit”, hyri në fuqi më 14 shkurt 1913. Që në ditët e para të shtetit shqiptar, kryeministri Ismail Qemali porosiste: “Të përpiqeni të siguroni sa më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik, përpiquni për organizimin e fuqive të qetësisë dhe aktivizimin e tyre për kapjen e kriminelëve të rrezikshëm.”
Si strukturë e parë e rendit dhe sigurisë njihet Xhandarmëria, pjesë e së cilës ishte dhe policia. Gjatë këtyre 100 viteve, uniformat blu kanë kaluar në faza të rëndësishme të zhvillimit të tyre në drejtim të përshtatjes me teknikat apo pajisjet bashkëkohore. Në vitin 1991 kemi shndërrimin e Ministrisë së Brendshme në atë të Rendit Publik. Rivendoset sistemi i gradave ushtarake dhe Shqipëria pranohet për herë të parë në Interpol, agjencia e bashkëpunimit midis vendeve të Bashkimit Europian për gjetjen dhe ekstradimin e personave në kërkim.
Për të asistuar policinë shqiptare, nga vendet perëndimore erdhën specialistë të huaj. Ndihma e tyre në pajisje dhe trajnime profesionale bëri të mundur që në pak kohë rekrutët e policisë të unifikoheshin në dije dhe pajisje me disa nga vendet më të përparuara.
Viti 1993 shënon një thyerje mentaliteti për profesionin e policit, pasi në Akademinë e Policisë pranohen femrat e para, nismë e mirëpritur nga ndërkombëtarët. Në vitin 1997 u krijuan për herë të parë drejtoritë e policisë në qarqet Shkodër, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë, Korçë dhe Berat. Më pas edhe në qarkun e Kukësit, Lezhës, Dibrës dhe Gjirokastrës. Ndërsa në dhjetor 1997 numëroheshin 12 drejtori policie mbi bazë ndarjeje administrative të prefekturave.
Situata e rëndë e rendit publik në Shqipëri në atë vit e bëri të domosdoshme krijimin e Drejtorisë së Forcave Speciale e të ndërhyrjes së shpejtë duke krijuar atë që mund të quhet “elita” policore.
Top Channel