”Australian Open”, eliminohet Serena Williams

23/01/2013 12:00

Eliminimi i Serena Williams ishte surpriza më e madhe e së mërkurës, në Grand Slemin e parë të sezonit në tenis, atë të “Australian Open”.

Favorite për titullin, amerikania u mposht në çerekfinale nga 19-vjeçarja Sloane Stephenes, e konsideruar gjerësisht si pasardhësja e saj, për shkak të lëvizjeve, fuqisë dhe ngjashmërisë trupore.

Serena arriti të fitonte setin e parë 6-3, por pas një dëmtimi që kufizoi lëvizjet e saj në fushë, humbi të gjithë ndeshjen me rezultatin 6-3, 5-7, 4-6.

Në pengesën e fundit përpara finales, adoleshentja Stephens do të gjejë Azarenkën, numrin një në botë dhe kampionen e “Australian Open” në fuqi, që mposhti lehtësisht rivalen Kuznetsova në tetëshe.

Midis meshkujve, avancon lehtësisht në gjysmëfinale Andi Murray, që mundi në tre sete francezin Chardy dhe pret të mësojë rivalin e tij, që do të dalë nga ballafaqimi Federer-Tsonga.

Top Channel