Fatos Baxhaku – Duam, apo nuk duam, na duhet të paktën të pranojmë që
politikanët flasin jo vetëm për të tashmen, por më shumë për të ardhmen.
Madje ata që janë më të spikatur në këtë lëmë flasin edhe për vizionin e
së ardhmes, “qëllimin e madh të shqiptarëve”.
Tani, që zgjedhjet sa vijnë e afrohen më shumë, tani, që krejt vendi është mbështjellë nga perdja e rëndë e politikës, në plan të parë ka dalë demagogjia. Dikur Eduard Baladyr, një nga figurat më të njohura të Francës politike të shekullit XX shkruante duke u dhënë këshilla politikanëve që do të vinin pas tij: “…Ky qëllim (sipas rasteve quhet edhe qëllimi i madh) duhet të jetë njëkohësisht sa tërheqës po aq edhe i arsyeshëm. Ai duhet të ngjallë entuziazëm, por jo të jetë utopik, sepse ky gabim do të lindte sakaq dyshime në seriozitetin e tij. Përputhja është e vështirë. Është e rëndësishme që të mos merresh shumë me detajin. Duhet të zgjedhësh mes seriozes dhe demagogjisë. Ka gjasë që kjo e fundit do të jetë më shumë e preferuar. Kur ta lypë nevoja, fjalët bombastike do të mbulojnë boshllëqet, apo pamundësinë e zgjidhjeve. Por më e mira e të mirave do të ishte sikur të ishim në të njëjtën kohë edhe seriozë, edhe tërheqës…”. Kësaj shkolle të veprimit politik politika jonë i ka marrë me shumë zell vetëm një anë: demagogjinë.
Nga njëra anë kemi koalicionin në pushtet që brohoret për fitore dhe arritje të papara, ndërkohë që të gjithë njerëzit me mend e shohin se gjërat nuk janë bash ashtu sikur thuhet ndër grafikë me ngjyra, apo ndër fjali të ngatërruara të tipit “aftësia jonë për ta shndërruar në mirëqenie atë çka fitojmë”. Në ndonjë vend te ne, kjo ka bërë e bën vaki, si për shembull në Gjirokastrën e vjetër. Po dikur kësaj teorie moderne ekonomike i thonin “të kullandrisesh me pak”.
Berisha i ka fort për zemër edhe rrugët, të cilat, me thënë të drejtën, për miletin janë një gjë e prekshme dhe fort e dukshme. Se si e qysh e me çfarë parash janë bërë ato, qytetarit shqiptar duket se nuk i intereson edhe aq.
Nga ana tjetër, kemi opozitën. Kjo, propagandën e saj zgjedhore e ka mbështetur në dy shtylla: ekonominë dhe drejtësinë. Brenda ekonomisë lideri i PS-së ka propozuar heqjen e plotë të taksave për biznesin e vogël. Për ta kuptuar se çfarë është biznesi i vogël në Shqipëri duhet të kemi parasysh gjithë ato kioskat e vogla që na shërbejnë përditë ndër cepa pallatesh. Ato te të cilat ndonjëherë mund të blesh edhe veresie. Porse shumë prej tyre i ndryshojnë aq shpesh pronarët saqë me kalimin e kohës nis t’u ngatërrosh edhe emrat. Janë njerëz të dëshpëruar, njerëz të mbetur pa punë, apo të ardhur rishtas në qytete të mëdha me shpresën se do t’i shpëtojnë varfërisë. Shumë prej tyre nuk kanë një adresë fikse, shumë prej tyre ndryshojnë një herë në tre muaj dyqanin dhe shtëpinë. Provoni të pyesni ata të policisë tatimore se sa gjoba për taksa të papaguara kanë mundur të vjelin nga biznesi i vogël dhe përse kanë mbledhur vetëm disa kacidhe për shtetin. Ndodh kështu sepse këta janë njerëz që nuk ke se ku t’i kapësh. Me gjithë përpjekjet e bëra, ne jemi ende një vend me shumë njerëz pa adresë.
Pastaj është teoria robinhudiane e së majtës për tatimin e të pasurve. Me një fjalë, atë që nuk do ta paguajë biznesi i vogël duhet ta paguajë biznesi i madh. Mirë xhanëm, kjo është një teori, që e majta ndërkombëtare e mbështet që nga SHBA e deri në Francë e Itali, porse kjo gjë duhet parë mirë në kushtet e Shqipërisë. A kemi ne aq biznese të mëdha sa të mbajnë në këmbë me taksat e tyre shtetin? Nga ana tjetër, po sikur kjo masë të demoralizojë biznesin e madh, i cili edhe me këto taksa është që tani në vështirësi? A do të çonte kjo në largimin e kapitaleve jashtë Shqipërisë? Sikurse e thamë më lart, Baladyri thoshte “mos u merr me hollësitë”, por këtë ua thoshte politikanëve dhe jo qytetarëve, të cilët nëse kanë mend, në hollësi duhet të hyjnë dhe fort madje!
Opozita ka pasur dhe ka një atu të fortë në dorë: Katër viktimat e 21 janarit. E provokuar apo jo, dy vjet më parë kjo ishte një ngjarje e rëndë që i mbeti në dorë Berishës dhe njerëzve të tij. Tani edhe në këtë pikë ka një demagogji tipike për zgjedhjet shqiptare. Nga njëra anë inkurajohet drejtësia për të gjetur fajtorët e vërtetë, duke kërkuar pavarësinë e gjyqësorit dhe të prokurorisë, nga ana tjetër liderë të rinj socialistë deklarojnë se sapo të vijnë ata në pushtet do të përfundojnë në burg jo vetëm fajtorët e vërtetë të 21 janarit, por madje edhe të tjerë të lidhur me PD që janë ngatërruar, sipas tyre, në afera korruptive. Lind pyetja si do ta bëjë këtë PS? A është ajo për një drejtësi të pavarur, apo jo? Do t’u japë urdhër gjykatësve, prokurorëve, apo si? Pastaj, Edit, i duhet t’u kujtojë kolegëve të tij më të rinj entuziastë, se jemi bash e në mesin e një beteje elektorale. Çdo kërcënim me burg (dhe shumë herë aludohet për vetë Berishën dhe Lulzim Bashën) nuk bën gjë tjetër veçse nga njëra anë i bën më agresivë votuesit e tu të dëshpëruar dhe për këtë nuk ka nevojë askush, por edhe, nga ana tjetër, kundërshtarin e bën që t’i shkojë mendja në mjete agresive mbrojtjeje. As për këtë nuk ka nevojë as demokracia dhe as Shqipëria vetë.
Para dy ditësh, Rama deklaroi se me atë Kryeministër katër të shkretët e 21 janarit do të shpalleshin “Dëshmorë të Atdheut”. Që ajo ngjarje është një gjë fort e rëndë për Shqipërinë, kjo nuk ka asnjë dyshim, që dhimbja e familjeve të varfra, prej të cilave ata vinin, është therëse deri në pafundësi edhe kjo nuk do mend, që i gjithë solidariteti ynë, partiakë apo apolitikë duhet të shkojë tek ata edhe kjo nuk ha fije diskutimi. Puna është se përfshirja e dhimbjes (që nga vetë soji i saj nuk i lejon pozat patetike, sepse ajo është sojnike, e brishtë, religjioze) në fushatë elektorale, përfshirja e një vajze të vogël, e cila ende nuk e kupton se përse nuk e ka më babanë, përfshirja e një babai të helmuar nga dhimbja i cili ende e ka punën me Kanun e me gjakmarrje, të gjitha këto se ç’na kujtojnë një demagogji që e kemi parë kohë më parë. Lërini ata të shkretë në dhimbjen e tyre, mos i përdorni si folës partiakë, ndihmojini sa të mundni ata dhe fëmijët e tyre, qëndroni në krah të drejtësisë, por mjaft më me heronj e me dëshmorë. Ramës me siguri i kujtohet një poezi e Bertold Brehtit, i cili thoshte: Lum ai popull që nuk ka nevojë më për heronj! Nuk kemi nevojë që 5 Majin ta zëvendësojmë me 21 janarin.
Demagogjia ka shënuar arritje të rëndësishme edhe në një fushë tjetër: në akuzat e ndërsjella për korrupsion. Taulant Balla i palodhur u kujtua për pasuritë e vajzës së Kryeministrit, të shtuara në mënyrë të palogjikshme, ndonëse të justifikuara në letër, dhe mbi këto të dhëna ngriti, me të drejtën e tij, një sistem të tërë beteje politike dhe ligjore. Në këtë rast, dy ishin rrugët e Kryeministrit: ose t’i shpërfillte akuzat, ose të përgjigjej me fakte konkrete. Ai, apo njerëzit e tij, zgjodhi një të tretë: përbaltjen e kundërshtarit. Me siguri do të kenë menduar: Nëse jemi në të njëjtën baltë, përse të mos hedhim edhe ne një dorë mbi kundërshtarin? Kështu dolën në dritë disa akuza të paqarta për bashkëshorten e Ramës. Kjo betejë e përbaltur vazhdon edhe sot e kësaj dite, me akuza dhe kundërakuza që ka gjasë të shkojnë deri në ditën e zgjedhjeve.
Duket sheshit që nuk kemi të bëjmë me një betejë të barabartë. E para sepse zonja Linda akuzohet për një periudhë në të cilën nuk ishte bashkëshorte e kryetarit të PS-së, e dyta sepse shifrat për të cilat flitet nuk kanë të krahasuar mes të dyjave, dhe e treta sepse zonja Malltezi nuk është as më shumë e as më pak se sa vajza e vetë Kryeministrit, e pasuruar në mënyrë të beftë, duke punuar si pedagoge dhe si këshilltare juridike. Lind pyetja se çfarë do të kishte ndodhur në këtë rast në ndonjë vend mirëfilli demokratik. Para disa vjetësh, një ministër i qeverisë angleze dha dorëheqjen sapo u mësua nga shtypi se djali i tij kishte përdorur nja dy herë makinën zyrtare të të atit. Askush nuk tha: Le të presim Drejtësinë. Për anglezët ishte kryer një mëkat i rëndë moral. Në Shqipëri kjo nuk ndodh, dhe njerëzit vazhdojnë të kërleshen me njëri-tjetrin.
Le t’i kthehemi edhe një herë Baladyrit. Mbase ky shpjegim i tij do të na e kujtojë edhe një herë Berishën vetë. Ai shkruante pak a shumë: “…Dehja nga të qenët i gjithëpushtetshëm. Është urtësi që të mos mbërrish deri aty. Politikani i ngopur me kënaqësitë e pushtetit: të ndërtojë, apo të shkatërrojë karriera, mjeti i fundit për të gjitha favoret, të bëjë ndere sipas shkallës së preferencave, apo antipative, të ketë fjalën e fundit për këdo e për gjithçka. Arbitër i kotësive. Nëse nuk i reziston kësaj, atij do t’i merren mendtë, gjykimi i tij do të errësohet, kënaqësia e tij për dominim, do të dalë mbi interesin e përgjithshëm dhe më vonë edhe mbi vetë të vetin…”. Ja pra se çfarë po ndodh me Berishën në këtë prag zgjedhor. Sa për të qenë të qartë. Ai është njëri ndër njerëzit që ka ndikuar më shumë në historinë shqiptare të këtyre 20 vjetëve të fundit. Ata që ia mohojnë këtë rol, ose nuk kanë lidhje me logjikën, ose janë të politizuar deri në ashtë të shpirtit. Porse sikurse ndodh rëndom me ata që qëndrojnë gjatë në pushtet, nisin të rrethohen nga familjarë, kushërinj, bashkëfshatarë e bashkëqytetarë, të cilët pak nga pak e izolojnë vetë politikanin nga thelbi, i cili e ka sjellë në pushtet, nga rrënjët e tij, dikur të mbara. Kjo kastë pasurohet në mënyrë të tillë të beftë, ndërsa pjesa tjetër e popullit varfërohet edhe më dhe e ndjen veten të harruar. Aq e fuqishme bëhet kjo kastë ekonomikisht e politikisht sa që vetë protagonisti nis të hedhë tashmë vallen e saj dhe jo të vetën. Shembuj të tillë janë të shumtë, më i freskëti nga të gjithë është “Pranvera arabe”. Edhe atje liderët erdhën në pushtet me ëndrra të mëdha antikoloniale, porse me kalimin e viteve regjimet e tyre u shndërruan në klika të urryera, të cilat duheshin rrëzuar. Krahasimi, për shumë motive, mbase nuk është krejt i saktë, porse shumë pika takimi të bëjnë të ndiesh një si lloj frike.
Çdo gjë mund të ndodhë në zgjedhjet e qershorit, shumë gjëra do të varen nga qëndrimi i LSI. Nëse PS dhe aleatët e saj do të arrijnë të fitojnë, duhet ta dinë mirë se më shumë se sa një fitore e tyre ka qenë një humbje e Berishës, e nxitur edhe nga faktori kohë, nga nevoja e rotacionit, që është një kërkesë normale e shoqërive që kërkojnë zhvillimin, e andaj nuk duhet të ngazëllehen shumë. Fitorja e tyre do të ishte më bindëse nëse me kohë do të bashkonin premtimet elektorale me seriozitetin dhe mundësinë për t’i arritur ato realisht. Përndryshe gracka për t’u bërë “arbitër të kotësive” është ende aty, ca e ndryshkur, por punon mirë.
Top Channel