Allegri: Drogba? Milani e mirëpret

23/01/2013 11:25

Pas dështimit të tratativave për rikthimin e Kakasë tek Milani, kuqezinjtë janë vënë në ndjekje të një tjetër veterani, të sulmuesit Didier Drogba.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, administratori i deleguar i klubit, Adriano Galliani, ka barazuar ofertën prej tetë milionë eurosh, që Juventusi i ofroi Shangait për kartonin e afrikanit dhe ka kontaktuar vetë futbollistin, për t’i komunikuar interesimin e klubit.

Aktualisht i grumbulluar me Bregun e Fildishtë për të marrë pjesë në Kupën e Kombeve të Afrikës në zhvillim, Drogba ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij, edhe pse është i  vendosur që të rikthehet në Europë, pas përvojës së dështuar kineze.

I pyetur për mundësinë e blerjes së 34-vjeçarit, trajneri Allegri dha dritën jeshile për blerjen e tij.

”Nëse do të vijnë, kampionë të kalibrit të Drogbasë do të ishin të mirëpritur. Megjithatë, unë vazhdoj i qetë punën me futbollistët që kam, ndërkohë që klubi mendon për mënyrat se si mund të përmirësohet më tej ekipi”, deklaroi Allegri.

Top Channel