
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, njëkohësisht kryetar i PDK-së, do
të takohet të martën me zëvendësin e tij Behgjet Pacolli.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave në takim do të diskutohet për çështje që kanë të bëjnë me koalicionin qeveritar.
Pas kalimit të ministrit të FSK-së Agim Çeku në radhët e PDK-së, kryetari i AKR-së deklaroi se do të shqyrtonte koalicionin me këtë parti.
Pak ditë më parë Çeku dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Social-demokrate për t’u anëtarësuar në radhët e partisë në pushtet.
Synimi i vërtetë i Çekut mund të jetë që pas largimit të Thaçit të marrë drejtimin e PDK-së dhe të kandidojë për postin e kryeministrit.
Vetë Thaçi deklaroi pak kohë më parë se në zgjedhjet e vitit 2013 nuk do të garojë për drejtimin e qeverisë për herë të tretë, ndonëse u shpreh i bindur për fitoren e PDK-së.
“Një gjë është e sigurt, PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet edhe në mandatin tjetër, por unë nuk dua të jem kandidat për kryeministër”, tha Thaçi në fund të vitit të kaluar.
Top Channel