Në një takim me të zgjedhur vendorë socialistë të kryeqytetit, kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, Sajmir Tahiri, akuzoi kryetarin e Bashkisë, Lulëzim Basha, se nuk po mban premtimet, që u ka bërë qytetarëve para ardhjes në pushtet.
Zoti Tahiri tha se kryebashkiaku Basha nuk krijoi vende të reja pune dhe nuk uli taksën për biznesin, ashtu siç kishte premtuar, ndërsa u ndal te shtimi i ndërtimeve pa leje.
“Në Tiranë po ndërtohen rreth 1100 ndërtime pa leje, dhjetra pallate mbi 10 kate, tërësisht pa leje, dhe shumë godina e shtesa shumëkatëshe, që nuk i ngacmon njeri”, u shpreh Sajmir Tahiri, kryetar i PS-së Tiranë.
Ndërkohë, sipas Artan Lames, ndërtimet pa kriter ndihmohen edhe nga plani rregullues i kryeqytetit, i cili zhduk në të njëjtën kohë hapësirat e gjelbra ekzistuese brenda Tiranës, duke i transferuar ato në periferi.
“Mungon ngjyra e gjelbër. Pyetjes së thjeshtë, se ku ndërtohet sipas këtij plani, duhet t’i jepet me përgjegjësi një përgjigje e thjeshtë: Duke hequr mënjanë njollën e “Skënderbeut” dhe njollën e parkut “Rinia”, plani lejon ndërtimin në mënyrë të padisiplinuar në të gjithë qytetin, pa asnjë kufizim” tha Artan Lame, kryetar i grupit të punës për infrastrukturën, PS.
Sipas planit rregullues, hartës së gjelbër të kryeqytetit i zhduken disa parqe, mes të cilave lulishtja para Bibliotekës Kombëtare, parku para Pallatit të Kulturës, fusha e sportit “Ali Demi”, zona e lodrave te “Shtatë xhuxhat”, parku i liqenit e shumë parqe të tjera.
Plani i miratuar nga Këshilli Bashkiak i kryeqytetit, e që pritet të kalojë në Këshillin Kombëtar të Territorit, parashikon ndërtimin e parqeve në periferi të Tiranës, në zonat e Saukut, Kasharit, Zallherrit dhe Dajtit.
Top Channel