Aleksander Cipa – Me ushtri kundër një lapidari. Kjo ngjau dje më 20
janar 2013 në qendër të Preshevës, në kryeqendrën shqiptare ku jeton
minoriteti etnik shqiptar nën Serbi.
Ngjarja ishte paralajmëruar. Qeveria serbe, e mbështetur nga premtimi pompoz dhe provokativ i Presidentit Nikoliq, dërgoi në Preshevë autoblinda dhe njësi speciale, ushtri dhe xhandarë për të kryer një akt provokues jo vetëm ndaj shqiptarëve në Serbi, por ndaj gjithë kombit shqiptar. Me një demonstrim cetnike, lapidari i ngritur në shenjë nderimi për të rënët në luftën e njohur të UÇPMB-së në vitet 2001-2002, u hoq nga qendra e qytetit. Sjellja e Republikës Serbe shëmbëlleu sërish monarkike ndaj së drejtës së shqiptarëve për të nderuar dhe respektuar edhe përmes simbolikës memorialistike të rënët në shërbim të interesave të tyre kombëtare dhe qytetare. Serbët e armatosur me blinda dhe mjete speciale nuk u përballën me vështirësi në këtë aksion të paralajmëruar. Në rrugët dhe sheshin e Preshevës munguan së vërshuari shqiptarët. Nuk u çelën dritare dhe nuk u tubuan civilë. Nëpër blogje dhe në hapësirën e internetit vërshuan akuza dhe britma fshikulluese për këtë impotencë të shqiptarëve që nuk ushtruan asnjë fije rezistencë ndaj forcës brutale dhe provokative që makineria ushtarake serbe ushtroi ndaj lapidarit. Por, sipas të thënave nëpër media, sot ata do të gjenden sërish aty. Partitë e Preshevës, edhe pse janë më shumë sesa ka organizata në këtë hapësirë, nuk kanë përcjellë ende reagimet dhe deklaratat e tyre të unifikuara. Por para tyre janë shprehur menjëherë partitë kryesore politike në Shqipëri dhe Kosovë. Nga Tirana dhe Prishtina u lëshuan deklarata, por më së shumti u përdorën rrjetet sociale dhe aksesi individual që udhëheqësit kanë krijuar. Tirana, përmes Kryeministrit Berisha në “Facebook”, u shpreh për albanofobinë që po rikonfirmohet edhe përmes aktit ushtarak të Beogradit. Ndërsa qeveria në Prishtinë shtoi se: “Ky veprim i qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Millosheviçit… Ky akt i shëmtuar i qeverisë së Serbisë e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përgjegjësia direkte bie mbi Serbinë”.
Shqiptarët u dëshmuan soditës ndaj provokacionit të djeshëm në Preshevë. Serbët u vetëndien “zot shtëpie” pas këtij akti. Në mediat ndërkombëtare akti u përcoll me vëmendje, por heshtja ndaj shkuljes së lapidarit shqiptar, po lexohet si e dyshimtë.
Në ditët e këtij janari, Ballkani po rikthen episode me përmbajtje dhe rreziqe provokimesh etnike të vjetra. Diplomacitë e shteteve janë vënë në garë përcjelljesh të deklaratave dhe takimeve të cilat po artikulojnë një axhendë problematike çështjesh për acarime dhe deklarime nacionaliste. Reaksioni nuk është bilateral, por multietnik. Athina me Tiranën, që prej muajit të festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë shtetërore, po përcjellin ditë të ftohta dhe me pohime e kundërpohime të acaruara e me ngarkesa shpërfilljesh dhe cinizmash të dukshme e të padukshme. Serbia po i nënshtrohet fatit të pakthyeshëm të shtetësimit fqinjor të Kosovës, por nuk heq dorë nga pengmbajtja dhe lëndimi përmes “thembrës” Mitrovicë. Në Maqedoni, paqëndrueshmëria politike është shtatzënë me acarime etnike, ndërsa mbetet në kalendë, “halli emëror” me Greqinë. Në Athinën ku kriza bën rebelim dhe çorodi shoqërore, po ringjallen pasione dhe organizime ekstremiste, duke deklamuar patologji antishqiptare. Në këtë kontekst dhe tablo të re me përmbajtje të vjetër ballkanike, Presheva po rikthehet sërish në sytë e opinionit ballkanik e atij europian. Është Serbia që po lind sërish shtypje shqiptarësh në këtë zonë. Ky shtet nuk ikën dot prej zakonit të shtypjes, sado pak të mbeten shqiptarët në tokën e tyre, nën sundimin e saj. Një patologji që ka krijuar tashmë realisht atë albanofobi, të cilën qeveria e Kryeministrit Berisha e konstaton politologjikisht, por nuk i përgjigjet politikisht dhe diplomatikisht. Por mes shtypjes së sotme të rikonfirmuar dhe së drejtës shqiptare për zë ndërkombëtar, kanë ndryshuar shumë e shumë rrethana. Heshtja e partive shqiptare në Preshevë, është po aq e fajshme sa edhe mosreagimi diplomatik i qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës pranë autoriteteve ndërkombëtare. Një dërgatë në Bruksel dhe Uashington duhej të ishte nisur me kohë nga Tirana dhe Prishtina për këtë vandalizëm serb në qendër të Preshevës. Le të guxonte qeveria e zotit Berisha të prekte një eshtër Kosine në manastirin e eshtrave në Grykën e Mezhgoranit, ku është ngritur mauzoleu-kishë-greke, në tokën shqiptare dhe kishim për ta parë se çdo të bënte Athina. Le të guxojë dikush t’i prekë lapidarët maqedonas në kufirin shqiptaro-shqiptar me vendin fqinj, pra Maqedoninë, pa të shihnim sesi do të reagonte Shkupi gjysmë shqiptar., etj., etj. Në Preshevë nuk meritojmë t’i gjegjemi provokimit serb me rebelim, as me guerilje, por me reciprocitet dhe reagim institucional. Koha e të lënit jetimë të atyre shqiptarëve ka mbaruar. Janë dy shtete shqiptarësh dhe një abonent (ai i Shkupit) që meritojnë të ndërmarrin hapa reagimi dhe ndalimi mbi Serbinë. Këtij vendi duhet t’i hiqet në mos aftësia, së paku mundësia e lindjes së shtypjes mbi shqiptarët.
Top Channel