Çfarë po ndodh në Luginën e Preshevës?

21/01/2013 00:00

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, forca të shumta serbe zbarkuan në Preshevë për të hequr monumentin e dëshmorëve të luftës së 2001, të rënëve të UCPMB-së. Akti i pabesë i qeverisë serbe pasoi në reagimin jo vetëm të shqiptarëve të Luginës dhe udhëheqësve lokalë atje, por edhe reagimin e Prishtinës e të Tiranës.

Por çfarë po ndodh në Luginën e Preshevës? Si është gjendja e shqiptarëve atje? Si duhet t’i përgjigjen provokimeve serbe? Dhe c’është më e rëndësishmja, a rrezikohet të shkohet në një konflikt të ri?

Këtyre dhe shumë pyetje të tjera që mundojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës në në gjithë trojet e tjera të banuara prej tyre, u mundua t’u japë përgjigje emisioni “Shqip” me gazetaren Rudina Xhunga.

Me një lidhje të drejtpërdrejtë nga Prishtina, deputeti shqiptar i Luginës së Preshevës në parlamentin serb, Riza Halimi bëri një rezyme të ngjarjeve dhe situatës në të cilën ndodhen shqiptarët në këtë pjesë:

“Tubimi i sotëm, kaloi i qetë dhe në këtë drejtim edhe populli shqiptar në Luginë, edhe në Kosovë dhe trojet e tjera e ka të qartë se këto probleme janë të shkaktuara nga një pushtet që vazhdon logjikën e dhunës që nga koha e Milloshevicit, që i mungojnë kapacitetet e dialogimit. Maturia dhe qetësia janë të domosdoshme për të menaxhuar situatën në Luginën e Presheës dhe në interes të përgjithshëm të shqiptarëve. Dhuna shkon në favor të politikës serbe. Dhuna është i vetmi argument i Beogradit, ndaj tek shqiptarë duhet të sundojë logjika e ftohtë dhe arsyeja”, tha zoti Halimi.

Rudina Xhunga: Me heqjen e monumentit, Serbia ju provokoi ju, apo ju e provokuat me vendosjen e tij?

Riza Halimi –  Paraprakisht nuk ishte vetëm dita e djeshme kur qeveria serbe me paraqitjen ushtarake, me përdorimin e dhunës, demostron forcën e vet. Këto veprime i kemi patur edhe 2 ditë para zgjedhjeve ku u bastisën dhunshëm dhjetra familje shqiptar që u akuzuan për terrorizëm dhe pas 1 muaj u liruan meqë kishim të bënim me ish-pjesëtarë të UCPMB-së, që përfitonin nga amnistia. Në këtë logjikë edhe e djeshmja është përndjekje ndaj ushtarëve të UCPMB-së. Serbia nuk pranon legjitimitetin e një lufte për barazi dhe liri dhe mbrojnë akoma të njëjtat teza dhe pikëpamje të regjimtit të Milloshevicit. Lapidari ishte maja e Ajsbergut. Në esencë këmi të bëjmë me një gjendje të pavolutshme të shqiptarëve në Preshevë. S’ka asgjë nga kërkesat e NATOs në 2001 që qeveria në Beograd të rikthejë besimin e popullatës shqiptare. Një lapidar është elementi i një lufte për ekzistencë, u prek dinjiteti i shqiptarëve duke prekur lapidarin. Ky pushtet i tillë, gjen pretekst në cdo moment për të pretenduar se ka qenë i provokuar. Lapidari hoq me forca speciale dhe ruhet nga forcat speciale.

Tirana zyrtare reagoi. Ministria e Jashtme thërriti ambasadorin shqiptar në Beograd për konsultime, ndërsa kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit të PD-së, apeloi që të hiqet dorë nga ajo që ai e quan “albanofobia”. Për të folur për qendrimin që do të mbajë në ditët në vijim diplomacia shqiptare, më saktë ajo e Tiranës, në lidhje direkt me “Shqip” ishte Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti.

“Ne kemi thirrur ambasadorin tonë në Beograd për konsultime dhe vizita e Ministrit të Shëndetësisë  Vangjel Tavo në Beograd nuk ishte e favorshme. Ne jemi të interesuar për të patur fqinjësi të mirë, por marrëdhëniet kushtëzohen nga respektimi i të drejtave të shqiptarëve dhe me Kushtëtutë Ministria e Jashtme është e detyruar të kërkojë që të respektohen të drejtat e shqiptarëve”, tha Panariti.

Rudina Xhunga – Sot a ka Ministria e Jashtme një mesazh për Beogradin?

Ministri i Jashtëm, Panariti – Etiketimi i shqiptarëve si terroristë është rikthim tek fjalori i kasapit të Ballkanit, që përdori këtë për t’i paraprirë spastrimit etnik. Prandaj përdorimi i termave të tillë, heqja e paraleleve mes shqiptarëve dhe terroristëve të Al Kaedas është një gjest i ulët që ne nuk do ta tolerojmë dhe do të reagojmë me partnerët tanë ndërkomëbtarë. Përgëzoj shqiptarët për reagimin dhe sjelljen e tyre paqësore dhe inkurajoj ata të vazhdojnë t’i tregojnë këto vlera. Largimi i pabesë i monumentit, kur pala shqiptare ishte e përgatitur për të vendosur dialog, për një paketë cështjes, se problemet mes serbëve dhe shqiptarëve nuk rrotullohen rreth 1 monumenti, por janë shumë të gjëra. Unë ja bëra të qartë edhe ministri serb Mrkic kur ky i fundit ishte në Tiranë, duke i thënë se baza e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi do të jenë të drejtat e shqiptarëve në Preshevë.

Rudina Xhunga – Por cfarë kërkojnë shqiptarët e Preshevës nga diplomacia e Tiranës?

Riza Halimi deputet shqiptar në parlamentin serb –  Ne në Preshëve, pas mbarimit të konfliktit në 2001 dhe marrëveshjes, plani i Nato-s dhe OSBE-së,  kishte nisur programi, jo me dinamikën, por kishte projekte të rëndësishme që u realizuan, por dy qeveritë, Koshtunica, Tadic dhe kjo tani, nuk kanë qasje serioze ndaj Luginës së Preshevës, është e pakuptueshme. Demilitarizimi i zonës, të drejtat e shqiptarëve, t’u sigurohet një qasje serioze nga qeveria e Tiranës dhe Prishtinës.  Deri më tani, OSBE ishte gjatë gjithë kësaj situate një ndërmjetësuese dhe ata shprehën revoltën e tyre pse Beogradi kur u pa mundësia për kompromis, dhunshëm e shmangu atë. Kërkesa jonë është që të ketë një qasje ndryshe të Beogradit dhe se Shqipëria duhet të ketë një zyrë konsullore në Preshevë.

Rudina Xhunga –  Zoti Panariti, ju jeni për një zgjidhje të castit apo zgjidhje afatgjatë?

Ministri Panariti – Unë jam për një zgjidhje integrale. Kërkohet dialog mes palës serbe dhe shqiptarëe në Preshevë për të zgjidhur në mënyrë të lirë pa paragjykime situatën dhe të drejtat në Preshevë. Memorialet janë një e drejtë e sanksionuar nga e drejta europiane për pushtetin lokal. Por përsa kohë kemi etiketime të shqiptarëve si terroristë, dialogu është i pamundur.

Rudina Xhunga – Diplomacia jonë po merr ngjyra nacionaliste, agresive apo thjesht politikë e reciprocitetit?

Ministri Panariti –  Diplomacia jonë është realiste, jemi për bashkëpunim rajonal, por përsa kohë të drejtat e shqiptarëve dhunohen, MPJ nuk mund të rrijë pa reaguar.

Diplomati Shaban Murati, i ftuar në studio, kritikoi qendrimin e diplomacisë shqiptare:  “Mendoj që diplomacia shqiptare u ka një borxh të madh shqiptarëve në Preshevë dhe kjo që po dëgjojmë është shpërthimm instiktiv që ka induksionin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe zgjedhjet. Ky shpërthim ka një vakuum të madh. Presheva nuk lindi me monumentin. Gjatë këtyre 10 viteve nuk ka një platformë konkrete të diplomacisë shqiptare drejtuar Serbisë. Forcat politike nuk janë shumë të besueshme pranë zgjedhjeve. Diplomacia shqiptare nuk ka reaguar për ngjarje shumë më të rënda, u vranë 27 vetë dhe ne nuk rishikuam marrëdhëniet me Serbinë, do t’i rishikojmë për monumentin?! Diplomacia shqiptare nuk e ka ngritur në asnjë forum ndërkombëtar cështjen e shqiptarëve të Preshevës. Nuk e ka ngritur asnjëherë, qoftë në KiE apo OKB cështjen e shqiptarëv të Preshevës. Kjo tërheqje ka bërë që Serbia, jo vetëm të trimërohet, por të pretendojë sikur Presheva s’ka lidhje me Shqipërinë. Nuk ekziston një platformë me kërkesa konkrete, për t’ia shtruar palës serbe. Një tolerancë nuk flet në favor të diplomacisë shqiptare. Diplomacia në vend që të kapet pas folklorizmave, duhet të ndërkombëtarizonte cështjen e shqiptarëve në Preshevë”, tha zoti Murati.

Edhe analisti Aleksandër Cipa foli me rezerva sa i përket reagimit të autoriteteve shqiptare  – Reagimi ishte i pamjaftueshëm, i pakët për një shtet serioz. Diplomacia nuk mund të jetojë përmes deklaratave. Kryeministri Berisha nuk duhet të merret vetëm me emërtimin e fenomenit, ‘albanofobi’. Ai është autoriteti që të delegojë një përfaqësim të artikullimit të shqetësimit në diplomacinë ndërkombëtare, por diplomacia jonë institucionale nuk ka ngritur asnjëherë këtë problem.

Reagimet nga Kosova

Zv.kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi u bëri thirrje shqiptarëve të mos bien pre e provokimeve: “Qeveria e Kosovës dënon veprimin që kthen kohën e dhunës. Shqiptarët e Kosovës janë të familjarizuar me skena të tilla. Qeveria e Serbisë duhet të mbledhë mendjen dhe të përcaktojë objektivat zhvillimorë, ndërsa nga shqiptarët kemi kërkuar reagim paqësor dhe të civilizuar. Reflektimi i situatës së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc është reflektim i marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shqiptarët janë për zgjidhje demokratike, por serbët gjenerojnë gjithmonë kriza.

Por sa do të ndikojë ngjarja e së dielës në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë? Zoti Kuçi thotë: Gjendja nuk është e njëjtë. Ne do të mendojmë qartë pozicionin tonë dhe do të reflektojmë pozicionin tonë. Nuk ka normalizim të raporteve në kurriz të shqiptarëe në Preshevë. Kërkojmë të drejta të përafërta që kanë serbët në Kosovë edhe për shqiptarët në Preshevë. Do të reagojmë me mjete politike. Shqiptarët në Preshëve, Kosovë dhe kudo të ruajnë gjakftohtësinë dhe të shkojnë drejt zgjidhjes në mënyrë demokratike. Nuk ka stabiliteti të rajonit me një popull të shtypur. Jemi në kontakte të përhershme me BE, SHBA dhe partitë politike shqiptare.

Sa për mundësinë që Presheva të përfshihet në dialogun e zyrtarëve të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, zv.kryeministri Kuçi sqaron: Kemi nisur dialogun me temat të caktuara të kërkuara nga ne dhe Serbia. Duhet ta përfundojmë këtë raport me një traktat paqe me njohje reciproke dhe kërkesën e faljes nga Serbia dhe përfundimi i operacioneve të luftës. Traktat edhe për të drejtat e serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Preshevë. Unë i kuptoj shqiptarët e Preshevës, por i ftoj për një konsultim të përhershëm dhe kohezion për ndërkombëtarizimin e cështjes. Ne duhet t’u premtojmë shqiptarëve në Kosovë, Medvegjë dhe Preshëve premtime të realizueshme, që garantojnë të drejtat e tyre dhe njohjen ndërkombëtare. Kërkesat e shqiptarëve atje duhet të jenë të qarta, t’i shtrohen Beogradit dhe më pas të kërkojnë ndihmën tonë, ekonomike, diplomatike, jo ushtarake.

Po Presheva cfarë pret nga Kosova?

Deputeti Riza Halimi: Së pari serbët në Kosovë dhe shqiptarët në Preshevë janë një sistem i egër komunikues dhe tensionimi në njërën anë, reflektohet në anën tjetër dhe standardet e dyfishta të aplikuara deri më tani nuk sigurojnë stabiliteti për të ardhmen. Në mungesë të vullnetit të mirë të qeverisë në Beograd për të realizuar programin ndërkombëtar, si në aspektin ekonomik, shqiptarët marrin shtatë herë më pak se mesatarja në Serbi dhe në këtë drejtim, Panariti përmendi kryetarin e grupit komunikues në Beograd, që nga 2000 për të zbatuar programin në fjalë. Por serbia injoron programin jetik për Luginën e Preshevës, qasje jo serioze e qeverisë në Beograd. Ata udhëheqës të zgjedhur me votën e shqiptarëve, Serbia nuk i respekton dhe kjo hedh opsionet për veprime të tjera politike. Kjo bëhet në kuvendin e shqiptarëve.

Sa për ndërkombëtarizimin e cështjes, për diplomatin Shaban Murati, cështje është e ndërkombëtarizuar, pavarësisht përpjekjeve serbe për ta izoluar atë. “Cështja e Preshevës është cështje ndërkombëtare e njohur. Cdo njeri e ka shumë të qartë, një është vatër tensioni, një konflikt i ngrirë që nuk zgjidhet dot nga Serbia, së dyti, është një rajon që para 10 vitesh ka përjetuar një konflikt të armatosur mes shqiptarëve dhe serbëve që deshi ndërhyrjen ndërkombëtare. Së treti, është element i krizës jugosllave, që me Kosovën mori kapitullin e fundit, la elementin e fundit të krizës, Preshevën që kërkon ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar. Raporti mes Kosovës dhe Preshevës, janë dy cështje të ndara, janë të dyja elementë të pazgjidhura. Shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet ta kërkojnë statusin e tyre brenda kufijve institucionalë dhe politikë që ka Serbia sot. Është e gabuar t’u krijojmë iluzione për bashkim kombëtar dhe mendoj që kufiri në bisedimet me Kosovës dhe Serbisë duhet përdorur.

Lidhur me rolin e Kosovës, analisti Cipa tha: Kosova ka realitet tjetër, por ka edhe një problematikë që është më emergjente si Mitrovica dhe në ditët e ardhshme pritet një takim i paralajmëruar. Pyetja është, kjo që po ndodh në Preshevë, a e ndryshon këtë axhendë? Nga ana tjetër pse tirana kërkon të mbajë këtë qendrim? S’kemi një deklaratë të Tiranës zyrtare që t’u jetë dërguar diplomacive ndërkombëtare? S’kemi një bilanc të kontributit institucional që japim për shqiptarët e Preshevës. Reagimi i qeverisë sonë për anulimin e vizitës së Ministrit të Shëndetësisë, ajo që ka ndodh në Preshevë është një komplikacion që ndez gjithë situatën në rajon. Aty është një problem serioz, shpërngulje e shqiptarëve dhe kjo shihet.

Rudina Xhunga – Sa do të ndikojë ky provokim i serbëve në bashkimin e faktorit drejtues shqiptarë në Luginën e Preshevës, sidomos në zgjedhjet e ardhshme?

Deputeti Riza Halimi thotë:  Kjo dëshmon se në rastin e memorandumit, vështirësitë dhe situata i bënë sot bashkë. Kemi qendrime të ndryshme për shumë aspekte dhe besoj se unitetit në të ardhmen është shumë i domosdoshëm. Por edhe nëse do të arrinim një unitet, kompetencat e pushtetit lokal të shqiptarëve janë të pakta në krahasim me pushtetet lokale serbe. Kërkojmë zgjidhje të re, nga organe të afta për t’i zgjidhur këto që deri më tani nuk janë zgjidhur nga instrumentet e deritanishme, para se të ndodhë pastrimi i plotë etnik. Nga 5 mijë banorë 10 vite më parë, sot në Medvegjë janë vetëm 500.

“Shqip” solli nëpërmjet lidhjes telefonike edhe analizën e publicistit shqiptar që jeton në Gjermani, Naser Aliu: Duke e parë nga perëndimi duket sikur Presheva nuk ka probleme të tjera vec Lapidarit. Ideja e lapidarit është hedhur nga shqiptarët në Zvicër dhe është vendosur. Ne i kemi dhuruar Serbisë një fitore gjasmë po zbaton shtetin ligjor, sepse komuna në Preshevë ka dorëzuar lejen 2 ditë para ultimatumit të heqjes. Po braktiset popullsia e Preshevës dhe faji është i udhëheqësve lokalë shqiptarë që nuk kanë qenë në gjendje të rrisin mirëqënien e tyre.

Po në linjë telefonike dha mendimin e tij edhe Jonuz Musliu, ish-anëtar i UCPMB-së. Pyetjes nëse i druhej një shpërthimi të ri ai iu përgjigj: “E gjithë kjo varet nga qeveria e Serbisë. Shqiptarët asnjëherë nuk kanë nxitur konflikte. Apeloj edhe Shqipërisë edhe Kosovës që t’u dalin në krah shqiptarëve të Luginës së Preshevës se është momenti të ruajmë këtë tokë me shqiptarë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA