Mustafa Nano – Sot është data 21 janar. Dy vjet më parë, në bulevardin
kryesor të Tiranës, u vranë katër vetë. Ishin katër njerëz “të
pafajshëm, të parrezikshëm, të paarmatosur” (personalisht, i kam
përsëritur shpesh këta tre përcaktorë, pasi më është dukur se thonë
tamam të vërtetën e plotë për ata njerëz).
U vranë në përfundim të një proteste të opozitës, e pas një ballafaqimi fizik të disa dhjetëra protestuesve të dhunshëm me forcat e policisë. U vranë pikërisht atëherë, kur protesta që ish paralajmëruar si e fortë e që pritej të ish jo e zakonshme, ish mbyllur thjesht me ndonjë polic të lënduar.
Do të flitet sot në televizionet e mbrëmjes për 21 janarin? Sikur të mos flitej, do të kishim të bënim me një skandal. Por me siguri do të flitet. Puna është se do të flitet ashtu si është folur herë të tjera, d.m.th. më së shumti do dëgjohen njerëzit e pushtetit dhe versioni i tyre, që në rastin më të mirë synon ta nxjerrë atë “ndeshje” në barazim. Shkurt, do dëgjohet avazi i njohur: policia e Garda e Republikës ka shtënë mbi protestuesit, por dikush i çoi këta protestues në “gjeratoren e vdekjes” (për ca e ca, bulevardi ynë, sidomos pjesa para Kryeministrisë, është dhe gjeratore vdekjeje).
Ka një mënyrë tjetër për ta përkujtuar atë datë në mënyrë televizive. Ka një mënyrë tepër të saktë e neutrale: nëpërmjet kronikës gazetareske të ditës e të ditëve që e pasuan atë ditë. Duhet të dalë ndonjë gazetar që ta ribëjë këtë kronikë. Nuk duhet ndonjë mundim i madh. Mjaft të futet në arkivat e televizionit ku punon, dhe aty i ka njëra pas tjetrës të gjitha raportimet që janë bërë.
Po provoj unë ta bëj një kronikë të atyre ditëve. Por pa u futur në arkiva. Po riprodhoj çfarë mbaj mend, duke u përpjekur që këtë gjë ta bëj në mënyrë kronologjike. Duke filluar me momentin ku u mor vesh se kish të vrarë.
1. Dolën ministra të qeverisë “Berisha” e thanë se protestuesit janë vrarë nga afër, duke lënë të nënkuptohet se ata janë vrarë nga njerëz të opozitës.
2. Pas tyre doli një mjek i Spitalit Ushtarak (i është harruar emri bandillit; por ndoshta ndonjë prokuror do të kujtohet një ditë edhe për të), që konfirmoi versionin e Olldashit, Imamit e të vetë Berishës.
3. Për nja dy-tri orë të mira, Tirana, por edhe Shqipëria, po jetonin me idenë se opozitarët e Edi Ramës kishin kryer një krim shumë të shëmtuar: kishin vrarë njerëz të tyre me synimin për ta bërë pushtetin të gjendej ligsht (i bombarduar nga ky version, edhe mua më shkoi mendja në atë moment se e gjithë kjo mund të ishte e vërtetë).
4. Berisha, i sigurt se kamerat e televizioneve nuk kishin kapur thelbin e ngjarjes, u kërkoi gazetarëve dhe kameramanëve të jepnin pamje filmike dhe t’i tregonin botës krimin që kish bërë opozita.
5. Në mbrëmje, televizioni publik dhe televizione të tjera të pushtetit, u fokusuan te një protestues me pistoletë në xhepin e pasmë. Lajmin e dha edhe RAI. Por nuk u morën gjatë me këtë fakt, pasi më pas u mor vesh se pistoleta kish qenë thjesht një çadër e vogël.
6. Nuk vonoi shumë dhe zunë të shfaqeshin pamje filmike, ku tregohej se protestuesit ishin vrarë nga Garda e Republikës. Ishte gazetari Artan Hoxha që e bëri i pari këtë gjë.
7. Berisha, me fytyrë të prerë, u rishfaq sërish ekraneve (jemi akoma në datën 21 janar, në mbrëmje vonë), dhe filloi të fliste për zbatimin e rregullores e të ligjit, filloi të thosh se “ka një rregull për jashtë gardhit, por ka një rregull edhe për brenda gardhit”.
8. Berisha, protagonist i vetëm televiziv i mbrëmjes (tok me vartësit e tij që shfaqeshin te studioja e Fevziut jo për të mbrojtur versionin e vrasjes nga afër, por këtë herë për të bërë pyetjen e çmendur: ok, Garda i vrau, por kush i çoi atje për t’u vrarë?), pasi u bind se krimi i tij kish dalë sheshit, doli e tha pak a shumë se “Garda ka mbrojtur institucionet; mund të vriteshin prej saj jo 3, por edhe 30, edhe 300; institucionet janë të paprekshme”.
9. Lajmi i vrasjes së katër opozitarëve po përjetohej si një shock, dhe Berisha ish përballë një situate të paparashikuar. Pasi është menduar mirë gjithë natën, në mëngjes doli me idenë e grushtit të shtetit, që dështoi me turp.
10. Berisha foli për një furgon të mbushur me armë, që ish kapur nga policia e për protestues që i kishin xhepat plot me dollarë. Kurrë nuk u provuan më pas akuza të tilla. Ishin shpifje të tij.
11. Kryeprokurorja lëshoi një urdhër ndalimi të drejtuesve të Gardës.
12. Berisha, në kundërshtim me çdo ligj tonin e duke bërë një provë force, refuzoi të zbatonte urdhrin.
13. Më pas, bëri një listë të autorëve të grushtit të shtetit, në të cilën futi Presidentin, kryeprokuroren, të parin e opozitës, dhe një numër gazetarësh (Çakulin, Bushatin, Bazen, Ballën); nuk u mor vesh asnjëherë pse përfshiu vetëm këta të katër.
14. Televizionet e Berishës zbuluan ca pamje filmike, ku tregohej se si një protestues, në datën 21 janar, ish shkëputur nga turma që po marshonte në drejtim të qendrës, dhe kish qëlluar me çadër një vajzë që kish lëshuar fjalë në drejtim të protestuesve. Berisha u kap me qejf pas kësaj “ngjarjeje”, mblodhi ca banorë të Kamzës në sallat e Kryeministrisë, dhe aty, dekoroi vajzën “e dhunuar” dhe një gardist që në rrëmujë e sipër, duke sfiduar frikën, kish ngritur nga toka “një flamur të hedhur e të shkelur nga opozita antikombëtare”, dhe e kish futur në gji.
15. Berisha në këtë takim përdori shprehjen “putana e bulevardit dhe horri i bulevardit”, me të cilat etiketoi respektivisht kryeprokuroren e Presidentin e Republikës.
16. Opozita lajmëroi një tubim të madh paqësor për në datë 28 janar.
17. Berisha u përgjigj me njoftimin se më datë 28 janar do të ketë “një manifestim të madh të paqes”, duke synuar të luante me spektrin e një lufte civile në Shqipëri.
18. Ambasadorët u kapën nga paniku, dhe zunë të bënin thirrje për anulimin e tubimeve të lajmëruara. Berisha u bind, dhe për këtë mori mirënjohjen e atypëratyshme të ambasadorit amerikan, që nuk ngurroi ta shpallte si “burrë shteti”. Kjo gafë e këtij ambasadori la gojëhapur një numër të madh shqiptarësh; është një gafë fatale që ka hyrë tanimë në historinë e Shqipërisë.
19. Berisha zuri të jepte detaje të grushtit të shtetit: thika me helm, stilolapsa-pistoletë.
20. Berisha ngriti komisionin parlamentar që do të hetonte grushtin e shtetit.
Etj., etj., etj. Kjo është kronika që provon e dokumenton një krim të kryer nga Sali Berisha. Kur do të përgjigjet ky njeri për këtë krim?
Top Channel