ARTAN LAME – Noteret.Ka kohë që është bërë acarues për veshët e
shqiptarëve kori i ambasadorëve që përqendrohet tek çështje teknike sa
herë që i duhet të japë vlerësime për ecurinë e reformave në Shqipëri.
Sa herë që politika shqiptare ngec në udhëkryq, ambasadorët (ata 4 a 5 të rëndësishmit, se të tjerët shohin punët e tyre) fillojnë e merren me cic-mice formale: jo po duhet miratuar filan ligj, jo hiqni imunitetin, ç’penalizoni shpifjen, miratoni rregulloren, ndryshoni nenin filan a fistek, shihni prioritetin 7 dhe direktivën 11, keni miratuar nëntë por ju kanë mbetur edhe tre, e këso dore.
Çështjet teknike, respektimi i formave dhe letrave, janë shumë të rëndësishme dhe kanë vlerë të madhe shumë, por vetëm pasi është plotësuar një kusht paraprak: ato kanë vlerë vetëm kur një vend është futur vullnetshëm në udhën e demokracisë e të qytetarisë. Përndryshe ato mbeten kartë e pavlerë, apo më keq akoma, shërbejnë si perde për lloj-lloj kopukësh politikë. Edhe Hitleri e Musolini me letra ishin në rregull. Kishin ardhur në pushtet me rrugë legale, të dy kishin fituar zgjedhjet (me dajak, vërtet por numrat ishin fit e fit ama), ishin dekretuar njëri kancelar e tjetri kryeministër nga kryetarët e shteteve përkatës dhe pastaj…, pastaj bënë atë që bënë. Edhe Stalini me Sovjetin Suprem të BRSS-së, në rregull ishte para botës. Populli votonte Sovjetin 100%, Sovjeti votonte Stalinin, edhe ai 100%. Ankohu po deshe.
Për të ardhur tek Komandanti ynë që, në zgjedhjet e vitit 1945 mori 93% të votave dhe duke pasur ende nëpër këmbë misionet anglo-amerikane. Se pastaj më pas, kur i hoqi qafe imperialistët, dilte gjithmonë 99,99%. Shteti diktatorial që vendosëm ne me duart tona, nga ana formale ishte më i përparuar se edhe shumë shtete të tjera që ishin demokraci të vjetra. Mjafton të themi se këtu votonin edhe gratë, që në disa vende të Europës Perëndimore nuk votonin ende në ato vite! Ose, në Shqipëri edhe me Kushtetutën e ‘76-ës garantohej liria e medias dhe nuk ekzistonte institucioni i censurës. Sikur të kishim pasur këtu asokohe ambasadorët e sotëm, merre me mend sa raporte të shkëlqyera do bënin ata për avancimin e barazisë gjinore dhe lirisë së medias në Shqipërinë socialiste.
Për të ardhur më pranë në kohë, në karnavale shtetërore si ai i Gedafit, ku femrat jo vetëm që i kishte barazuar me burrat, por i kishte futur edhe në ushtri, ku me to kishte formuar edhe batalione të Gardës. Ndërsa në Amerikë apo në Francë, femrat filluan të futen në ushtri vetëm në vitet ‘70-‘80, ndërsa në Itali u pranuan në Armën e Karabinjerisë vetëm pas vitit 2000. Po të kishin qenë ambasadorët e Tiranës në oborrin e Gedafit, me siguri që do kishin raportuar se, për nga standardet e barazisë gjinore, Libia ishte e gatshme për në NATO. Natyrisht që ambasadorët nuk duan të dinë se Gadafit në darkë ia çonin në krevat me përdhunë ushtarkat e gardës, apo se në Shqipëri barazia e grave ishte një barrë e tmerrshme në jetën e përditshme, apo se liria e medias ishte një shaka me zarar. Por kjo nuk ju intereson ambasadorëve. Ata janë për të parë saktësinë e letrave dhe jo vërtetësinë e tyre. Nëse popujt shtypeshin, për këtë nuk ishte faji i diktatorëve që ua kishin garantuar liritë në letër, por i popujve që nuk dinin t’i zbatonin liritë e letrave.
Demokracia në thelb nuk është çështje letrash e rregullash, është çështje vullneti dhe fryme. Po nuk ekzistoi vullneti i klasave drejtuese për të avancuar drejt saj, malet e letrave me ligje e rregulla nuk kanë asnjë vlerë. Diku në fillimet e epokës së demokracive të viteve ‘80, në Perëndim filloi të mbisundonte një parim sipas të cilit “Demokracia nuk mund të eksportohet”. Për këtë asokohe, në të gjitha vendet që po dilnin nga diktaturat, u tentua të formatohej një klasë e re drejtuese e formuar në Perëndim. Por u vu re se shumica e këtyre drejtuesve që formoheshin në Perëndim si burra me mendje të hapur, sapo ktheheshin në vendet e tyre bëheshin edhe më të këqij se elitat që kishin përmbysur. Shumica e diktatorëve dhe autokratëve modernë të botës, që nga Pol Poti, Noriega e Sadami, e deri tek më të fundit fare, janë të gjithë me gjuhë të huaja, kanë bërë shkollat më të mira të Amerikës, Londrës e Parisit, por për dreq, sapo ktheheshin në vendet e tyre bëheshin autokratë të neveritshëm, e madje edhe më të këqij. Duke njohur manierat e Perëndimit, tani dinin edhe të maskoheshin, dinin të përdornin mediat, të fshiheshin pas fasadave demokratike, pas përfshirjes së grave në jetën publike, e të tjera truke europiane.
Erdhi një moment që Vizionarët e Europës, që kishin shpikur atë parimin që thashë më sipër “Demokracia nuk mund të eksportohet”, u lodhën dhe, ca nga ca u tërhoqën nga skena, duke ua lënë vendin burokratëve të rangut të dytë e të tretë, të cilët e vazhduan udhën me atë që dinë të bëjnë burokratët: të ishin në rregull me letrat. Po na mbysin me lumenj të tërë ligjesh, standardesh, rregulloresh, direktivash e konventash, të cilat duhet t’i plotësojmë për t’u gdhirë demokratë. Mirëpo, nëse nuk u bëmë dot demokraci duke ndryshuar elitat, merret me mend se sa mund të bëhemi demokraci thjesht duke ndryshuar ligjet. Po nejse, kjo nuk është punë e tyre, ata, ambasadorët nuk paguhen për këtë, por për numrin e ligjeve të miratuara. Nuk është faji i tyre pastaj që malësori i Dukagjinit nuk e kupton rëndësinë e martesave gay për t’u integruar në Europë; apo që fshatari i Mallakastrës nuk e kupton se miratimi i tri ligjeve që ai as e ka idenë se ç’janë, do na hapë dyert e paradizit tokësor europian.
Duke e kuptuar se punët e mira nuk bëhen thjesht me letrat në rregull, në kohë të vet Roosvelt-i, u përpoq të tërhiqte në skenën europiane, që po gëlonte nëpër diktatura, një kategori të re, atë që ai e quajti “njerëzit vullnetmirë”. E kuptoi presidenti amerikan se ishte e kotë të bënte konferenca me demagogët autoritarë të Europës, me të cilët mund të bëje e nënshkruaje konventa e pakte sa të doje, ata do t’i shkelnin sa herë të donin, sepse u mungonte vullneti për të bërë vërtet paqen. Ndaj ai ju drejtua – dhe sa mundi direkt – vetë njerëzve vullnet mirë të këtyre vendeve. Për fat të keq, nuk mund të presim që ambasadorët e sotëm të kenë vizionin e Roosvelt-it. Ata nuk po ia dalin dot të ngrihen në nivelin e atyre që certifikojnë vullnetin real të qeverive tona për të ecur drejt demokracisë dhe, në mungesë të kësaj aftësie, po përpiqen thjesht të kryejnë rolin e noterit të letrave.
Top Channel