Kalimi i transmetimeve televizive nga analog në tërësisht dixhital, sfida që Shqipëria duhet të përmbushë brenda mesit të vitit 2015, është një projekt që duhet të hartohet me kujdes.
Eve Salomon, eksperte e medias dhe çështjeve rregullatore, jep detaje sesi mund të realizohet projekti duke patur parasysh se në treg ekzistojnë platforma të liçensuara për transmetimet digitale.
“Nëse operatorët ekzistues s’janë të liçensuar sipas liçencës ndërkombëtare, atëherë është në dorë të Republikës së Shqipërisë të vendosë se si këto frekuenca te përdoren. Pavarësisht sa thash më sipër lindin probleme ligjore nëse qeveria vendos t’u heqë frekuencën kompanive ekzistuese që janë duke operuar për një numër të madh vitesh, pa patur ndonjë argument në fortë dhe bindës. Bazuar në ligjet ndërkombëtare, këto kompani kanë të drejtë të hedhin në gjyq qeverinë duke kërkuar një kompensim në shuma të mëdha parash”, deklaron Salomon.
Salomon sheh si të nevojshme fillimin e matjes së audiencës në Shqipëri, si një nga mënyrat për të rregulluar edhe deformimin e tregut mediatik që nxitet përmes ndarjes së reklamës shtetërore.
“Në shumë vende zbatohen ligje specifike për reklamën shtetërore që detyrojnë qeveritë ta shpërndajnë reklamën përmes kompanive të pavaruara, përmes të cilave të sigurohet transparenca e shpenzimit të këtyre fondeve. Meqenëse Shqipëria është përfshirë në proçeset integruese, ajo duhet të ketë pararysh se BE-ja ka rregulla strikte për reklamat shtetërore”, thekson Salomon.
“Nuk i lejohet qeverisë të shpenzojë paratë duke favorizuar disa biznese kundra të tjera bizneseve mediatike. Qeveria shqiptare duhet ta ketë të qartë legjislacionin e reklamës në mënyrë që të mos shkelë ligjet dhe standartet europiane për këtë çështje. Mendoj se duhet një monitorim më i mirë i medias për të parë audiencën në mënyrë që reklama mos të shkojë atje ku nuk duhet”, nënvizon më tej ekspertja.
Top Channel