Aleksander Cipa – Në filologji dhe gazetari është thënë qysh në
zanafillë se “e para është fjala”. Por gazetaria ka shkuar më tej,
përmes pohimit se, misioni i saj përngjason me kërkimin për të gjetur
ditëlindjen e fjalës.
Në këtë qasje refleksionuese, pashmangshmërisht dalim tek kronologjia historike e përvojës dhe gjeneratave të gazetarisë. Në kohë të ndryshme dhe në shoqëri të ndryshme është ripërsëritur gabimi prej një mendësie, sipas së cilës, historia lineare nuk vlen, vlen ajo që bëjnë protagonistët dhe zotëruesit nëpër kohë.
Koha në rrjedhjen e saj e ka shembur këtë deduksion jetëshkurtër, jorealist e karakterizues dhe të sfiduar prej fatshkurtësisë si koncept. Në këto dy dekada e pak, të përvojës sonë në gazetarinë shqiptare, kemi rënë dhe po ndihemi në kapjen e këtij laku të shkurtërisë së mendimit vlerësues për jetën, përvojën dhe pse jo edhe talentin e një numri gazetarësh që i përkasin një apo disa gjeneratave.
Gazetaria shqiptare është një përvojë e vyer e mendimit dhe komunikimit e hulumtimit dhe mishëron një kontribut të themeltë në shkrimtarinë e mendimit kulturologjik kombëtar. Ky profesion në dekadat e ekzistencës shqiptare ka kontribute të cilat kapërcejnë kohët, kapërcejnë qeverisësit në çdo kohë dhe rishfaqen triumfalisht si fondament i trashëgimisë së mendimit dhe informimit, shkrimit dhe artikulimit, historisë dhe rrëfimit, kujtesës dhe imazhit shqiptar në kohësi. Ka shërbyer dhe vijon të mbetet në këtë misionarizëm, edhe pse në ditët e sotme, për shkak të të qenët në epokën më prosperuese të saj dhe në vlerat e multimedialitetit, është e kërcënuar egër prej përdorimësisë dhe zhvlerësimit moral.
Në këtë këndvështrim, duke mos rënë në pozitë përjashtuesi, dua t’i referohem një personazhi profesional, në ditët e sotme në moshën e një 80-vjeçari. Rasti i gazetarit Marash Hajati, përbën shembullin real që sfidon harresën e qëllimshme dhe inkujtesën e “njerëzisë së lehtë”, pasardhëse. “Njerëzia e lehtë” nuk është një turmë, as një masë e cila karakterizohet prej pavëmendshmërisë dhe mungesës së aftësisë peshuese të asaj që vlen, asaj që trashëgohet, asaj që çmohet dhe asaj që spikat mbi të nesërmen e afërt. Është e gjithëjetshme kontradikta mes “së djeshmes dhe së sotmes së afërt”. Ky antagonizëm në kohët e shoqërisë që përjeton përmbysje, rrëzime dhe transformime sistemesh dhe regjimesh politike është më kompleks. Është më i ndërlikuar, pasi logjikës realiste i duhet të përballet me eklipsimin e emocionit dhe “flakës” koniunkturale. Është nxehtësia e pasioneve masive dhe sidomos vala që ushqehet nga motive dhe burime dominante të përkohshme që e vret në kësi çastesh vijimësinë e vlerësimit dhe sidomos ndërtimin e qëndrueshëm të një hierarkie vlerash dhe trashëgimie, kontributesh dhe sidomos përvojash. Këtë fat në kohë, e pati një gjeneratë e gazetarëve para viteve 1990. Madje, në Shqipërinë e pas viteve ‘90, ky “korrektim” për vlerësimin vijues nga vitet 1940 deri në vitet 1990, ndër brezat, emrat dhe përvojën e gazetarisë shqiptare mbetet ende i pakryer. Kjo ftohtësi gjykuese po vonon dhe ka për të vonuar. Gjeneratat, të tjerat dhe jo në të cilën përfshihet edhe zoti Hajati, ishin në jetën e përditshme të këtij vendi me cilësitë dhe aftësitë, talentin dhe përkushtimin, me përvojën dhe kulturën, me ambicien dhe privimin, për të cilat gjenerata jonë sot dhe fatkeqësisht edhe e atyre që vijnë, nuk do të ketë informacionin e mjaftueshëm dhe për rrjedhojë, edhe gjykimin objektiv.
Por këtë mëkatësi mosnjohëse të pasuesve për paraardhësit profesionalë, individë profesionistë si zoti Hajati, e sfidojnë përmes punës dhe mënyrës së tyre vepruese duke u marrë me memorialistikën profesionale. Përfaqësues të njohur të gjeneratës së gazetarëve në ato dekada si zoti Hajati, vijojnë dhe nuk rreshtin së hedhuri, sipas parimit zanafillor latin “skripta manent”, së shkruari dhe botuari, duke na dhënë një mundësi për të njohur edhe atë përvojë të një kohe të keqe, në mediumet shqiptare të dekadave të shkuara. Kjo është cilësi dhe virtyt i profesionistëve që mbesin Njerëz me kohën e tyre.
Historicizmi i deritanishëm, por sidomos i periudhave, i medias shqiptare nuk do t’ia dalë dot t’i nënshtrohet kapërcimit mohues, të një përvoje dhe kontributi apo edhe cilësie publicistike të një brezi gazetarësh të një kohe të shkuar. Kjo tendencë dhe sidomos ky qëllim manipulues dhe mohues është një sipërmarrje uzurpuese politike, por e destinuar të shijojë vetëm përkohësinë.
Në kohë, gjykimi jomohues do të shfaqet e rishfaqet, sepse në thelbin e vet qëndron dialektika si dukuri universale e jetës njerëzore.
Në një dialog të tillë të përafërt diskutimi, i famshmi dhe i papërsëdytshmi gazetar Enzo Biaxhi, iu drejtua në një intervistë Pipo Baudos: Pipo, je i prirur të bësh pasqyrën që përmes pasqyrimit kërkon të nxjerrë në dukje dobësitë e fytyrës së atij që shihet. Unë jam paraardhës dhe ti pasardhës në profesion….Jemi të dy në rrugë, ecim të dy… Ti nuk ke kujtesën e mjaftueshme për rrugën time, unë kam mundësinë të jem në udhë me ty, por e kam filluar kohë më parë… Bëhu bujar me mua, se një bujari të tillë do kërkosh me më të rinjtë që po të mblidhen përreth në profesion!…
Kjo fabul e dy të famshmëve në profesionin tonë nga Italia fqinje, merr semantikë universale nëpër çdo kohë të profesionistëve të gazetarisë. Kjo fabul, duket se përqaset në rastin e zotit Hajati, me emrin e një individi profesional që e ushtroi misionin dhe njëherazi edhe në cilësinë e drejtuesit të mediave në Shqipërinë e viteve ‘80. Koha do ta sjellë që ky zotëri në cilësinë e administratorit të dikurshëm të ekranit të vetëm shqiptar në ato vite, inicioi dhe formësoi raportin e parë të vlerës dhe ndikimit që patën disa zhanre të gazetarisë televizive në Shqipërinë komuniste dhe territorin e shqiptarësisë jashtë saj. Audienca e atëhershme shprehte hapur simpatinë për prirjen liberale dhe sidomos sharmin me indikacione të mirëfshehura perëndimore që po vishte ekranin tonë kanunor televiziv. Zoti Hajati ishte shtytuesi inteligjent i ofertimit dhe i inkurajimit artikulues të ekspresionit më të spikatur dhe dituror të inteligjencies së vendit.
Aktualisht ky gazetar 80-vjeçar është në një tjetër akt të marrëdhënies mes gjeneratës së vet me ato pasardhëse. E kam fjalën për kujtimet dhe tekstet që ka përgatitur nga jeta e tij studentore me të shumëdashurin Dritëro Agolli dhe kujtimet për përvojën gazetareske në vite. Këto janë në vetvete një gjurmë të cilën na e jep, jo vetëm si dëshmi dhe provë e një së shkuare, por edhe si një dhuratë të cilën nuk e le në mëshirën e “Perëndisë klasike”, siç do të thoshte poeti i vendlindjes së tij Migjeni, por në dijeninë e të gjallëve profesionistë. Për këtë shkak, fetaria e punës së një gjenerate të shkuar, na imponon ne të sotshmëve, dijeninë për paraardhësit që patën kohën e vet profesionale dhe që janë pjesë e një segmenti të një trashëgimie që mbetet në kohën fizike lineare.
Top Channel