Fatos Baxhaku – Kur një i ri i grabit një gjerdan floriri apo një çantë
dore një zonje që po kthehet qetësisht në shtëpi, të gjithë ne nuk e
mendojmë si lajm. Kjo ndodh në të gjithë botën. Kudo ka të rinj të
droguar, të anashkaluar, pa të ardhme, pa arsim e pa shpresë.
Kjo ndodh që nga Manhatani dhe deri në Laprakë, e mbase pikërisht prandaj ngjarje të tilla dalin ndër lajmet tona vetëm kur përfundojnë tragjikisht, sikurse ishte rasti i disa muajve më parë në afërsi të Fushës së Aviacionit në Tiranë. Të zënë sikurse jemi me probleme më globale e më të gjera, këto ndodhi qytetare rrëshqasin në kënd të faqeve dhe të edicioneve tona të lajmeve. Nuk jemi të vetmit. Ndodh kështu kudo, megjithëse ndoshta nuk duhet konsideruar e drejtë.
Porse që nga javët e para në prag të Vitit të Ri e duke përfunduar deri pak ditë më parë në goditjen gjakatare ndaj shefit të krimeve të Burrelit, kemi të bëjmë me rishfaqjen e një fenomeni të njohur: me maskat grabitëse e vrastare.
Shumëkujt prej nesh i kujtohen vitet e përgjakshme 1997-1998. Asokohe disa rrugë kaloheshin vetëm me gjak të ngrirë. Maskat dilnin befas nga shkurret. Me zë të ngjirur dhe me sy të kuq brenda kapuçave të tyre, ato e shndërruan vendin tonë në një ferr të paimagjinueshëm. Të gjithë ne shpresonin asokohe, mbase në mënyrë idealiste naive, se më në fund, demokracia shqiptare do t’i gjente vetë mekanizmat e saj për të shpëtuar më në fund një popull të lodhur deri në palcë. Por nuk ndodhi kështu, politika nuk ngriti vetëm masat, ata që e votonin dhe që shpresonin se tashmë kishte ardhur fillimi i mbaresës së vuajtjeve. Politika shqiptare, sipas një tradite të vjetër që vjen që nga vitet ‘20, përdori edhe “të fortët”, njerëz që menduan se duke qenë në krah të njërit apo tjetrit person mund të bënin ç’të donin: të vidhnin, plaçkisnin, të vinin gjoba, madje edhe të përdhunonin. Se kush janë këta individë e se kush i mbështeti këta, tashmë e dimë të gjithë dhe nuk është rasti të përmendim emra. Të dy krahët e politikës e dinë mirë se kush u vesh me uniformë ushtarake, kush përdori armët e rënda dhe kush kontrolloi rrugët. Njësoj si ky rikthim i frikshëm i maskave edhe asokohe duhej të dorëzoje – në rastin më të mirë – paratë që kishe në xhep.
Tani maskat janë kthyer, në Burrel dhe në Tepelenë. E dimë se në këto akse, historikisht të varfra dhe të njohura tradicionalisht për “cubninë” e tyre. Pa u shtyrë shumë në histori e dimë që të gjithë se vetëm një çerek shekulli më parë, të qenët cub apo hajdut i aftë ishte një shenjë e mirë dhe jo një ves vrastar. Kjo shenjë tradicionale e këtyre zonave – e cila vinte nga një varfëri dhe prapambetje e thelë dhe nga një traditë e gjatë – u zhduk vetëm ndër faza diktaturash. Vetëm në kohën e çarmatimit të Ahmet Zogut dhe vetëm nën sundimin komunist të drejtuar nga vetë Enver Hoxha. U zhduk me dhunë, por edhe me arsimim dhe me dhënie të shpresës. Në të keq a në të mirë kemi të bëjmë me një rezultat, ku diktaturat apo më mirë më thënë, “dora e fortë e shtetit” është treguar shumë herë më efikase se sa demokracia që po duam të ndërtojmë.
Atëherë ku kemi çaluar? A duhet të kemi frikë të shkojmë te njerëzit tanë në Burrel, Laç, Tepelenë, Lazarat e më tutje? Nëse po, epo çfarë dreq demokracie qenka kjo? Aq më shumë në një shtet që aspiron me të madhe të bëhet pjesë përbërëse e barabartë e mekanizmave europianë?
Gabimi më i madh që bëhet është që kjo punë i lihet në dorë policisë dhe vetëm asaj. Problemi i maskave vrastare, apo i “cubnisë” sikurse e shkruanin paraardhësit tanë, është shumë herë më i gjerë. Në radhë të parë, ai ka të bëjë me fukarallëkun e tejskajshëm. Cubnia ishte shndërruar gati-gati një ndër paraardhësit tanë pikërisht sepse me anë të saj mbulohej varfëria e pafund, mungesa e tokës së punueshme, në fund të fundit mungesa e shpresës dhe izolimi. Pastaj ka të bëjë me shkallën e nivelit kulturor. Një njeri që ka lexuar disa libra të paktën e ka të vështirë të ngrejë armën për të plaçkitur njerëz të panjohur. Një element tjetër është prezenca e shtetit, jo vetëm si uniformë, as si kollare që punon në fshat e jeton në kryeqytet, por si shërbëtor i njerëzve shqiptarë kudo që të ndodhen. Derisa kemi djem të rinj të maskuar që plaçkisin bash e në rrugët nacionale na duhet të pranojmë të gjithë bashkë se të gjithë këto elemente kanë munguar.
Në kulm të fushatës elektorale kemi dëgjuar me mijëra herë, nga njerëzit e qeverisë se ne qenkemi ndër vendet me ritmet më të larta të zhvillimit, një vend ku papunësia sa vjen e ulet, e të tjera si këto. Të para në një kontekst të ngushtë elektoral, të gjitha propagandat elektorale majtas apo djathtas mund të justifikohen deri diku. Propaganda ka rregullat e veta, të cilat ne, vdekatarët e thjeshtë, nuk mund t’i kuptojmë, pa le më të biem dakord. Porse askush nuk ka të drejtë të na e heqë nga mendja se rikthimi i maskave, i hajdutëve, cubave, i atyre që të vrasin madje edhe përse nuk ke lekë në xhep është një shenjë shumë herë më e fortë se sa të gjitha shifrat e grafikët zyrtare të marra së bashku. Derisa një njeri del në rrugë të vrasë, apo të vritet, mjafton që të mbijetojë, kjo është një shenjë e keqe, fort e keqe, për qeverinë po se po, por edhe për krejt shoqërinë.
Ata që e kanë në dorë këtë punë bëjnë mirë të mos luajnë “marrëzinë e madhështisë së kotë”, sepse kjo krijon një hendek të madh mes asaj që njerëzit i bën që të ëndërrojnë – pra Shqipëria e sotme si një vend i mundësive të papara, në një kohë që nuk është absolutisht kështu – dhe varfërisë së tyre të thellë jo vetëm ekonomike, por edhe më tej, edhe më rëndë akoma, kulturore. Nganjëherë nxitimi për të arritur të pamundshmen të shndërron në kriminel, në maskë, në bandë. Rezultati është një vend i damkosur, viktima të pafajshme nga njëra anë, dhe njerëz që e shkojnë jetën matanë hekurave të burgut, nga ana tjetër. Edhe një faj tjetër i politikës që na drejton: i ka trajtuar njerëzit si lukuni dhe jo si masë. Duke qenë në krah të lukunisë dhe jo duke i bërë masat të interesuara për jetën e paqtë shoqërore, ka nxitur, e ka bërë të ndihet e respektueshme, e ka shfrytëzuar, e ka hedhur në terren lukuninë, elementë të së cilës janë maskat e frikshme që janë kthyer të godasin në këto pragzgjedhjesh. Është shumë e kollajtë të luash “marrëzinë e madhështisë”, të sukseseve të papara ekonomike, të vendit antikrizë e kështu me radhë, por ama është shumë e shëmtuar, madje edhe frikshme, të mendohesh njëqind herë të shkosh nga Tirana në Burrel, apo Tepelenë dhe anasjelltas. Pushtetarët të jenë të sigurt se shumë nga pasagjerët e thjeshtë, që kanë mbërritur mbrëmë në kryeqytet nga këto vende, janë menduar gjatë, shumë gjatë.
Top Channel