Carlo Ancelotti, trajneri i Realit të Madridit, pranoi për herë të parë që klubi mund të ketë gabuar me vendimin për të lënë të largohej Mesut Ozilin gjatë merkatos verore.
Blerja e Bale bëri që Ozil të mos ishte më i sigurt për vendin e tij si titullar dhe përballë ofertës së Arsenalit, klubi vendosi që të lejonte gjermanin që të largohej.
Megjithatë, sipas Ancelottit, mund të kishte qenë më e zgjuar sikur mesfushorit të mos i ishte ofruar asnjëherë kjo mundësi.
“Mendoj se bëmë një gabim kur i dhamë Ozilit mundësinë që të largohej. Sidoqoftë, kemi futbollistë të jashtëzakonshëm në repartin sulmues, ndaj nuk kemi nevojë për përforcime, pavarësisht largimit të Higuain”, deklaroi trajneri italian.
Krahasimit midis Ronaldos dhe Bale, Ancelotti i përgjigjet kështu: “Ronaldo është futbollisti ynë më i mirë. Bale është ende në fazën e përshtatjes. Mbërriti i dëmtuar në fillim të sezonit dhe po punon për të kapur formën më të mirë. Unë si trajner jam duke u përpjekur që të gjej kombinimin që arrin të nxjerrë më së miri në pah vlerat e tij”.
Trajneri i madrilenëve foli edhe për favoritët e Botërorit të Brazilit: “Do të thoja që Brazili dhe Spanja janë dy kombëtaret favorite, por ka edhe përfaqësuese të tjera që mund të shndërrohen në protagoniste. Italia duket më e dobët tani, por një vend me atë histori që kemi ne, mund të jetë gjithmonë i rrezikshëm në Botëror”.
Top Channel