“Mbretëresha” dhunë

15/01/2013 00:00

Fatos Baxhaku – Sikur të mos ishte fshehur tinëzisht pas germave të saj
të pakta fjala shqipe “dhunë” do të kishte qenë një emër fort i
këndshëm. Tingëllon bukur. Ka pak germa dhe duket sikur fshehurazi
mbulon disa hire. Porse ne të gjithë e dimë tashmë, të rinj e të vjetër,
se ç’do të thotë kjo fjalë.

E dimë, por shumë herë në trysninë e jetës së përditshme, duke pritur rrogën, duke shpresuar për një jetë më të mbarë, duke parë ëndrra që janë thjesht larg në horizont, harrojmë se të gjithë jemi bashkudhëtarë të kësaj fjale djallëzore. Disa prej nesh e ushtrojnë, të tjerë, po prej nesh, e shpërfillin dhe e lenë të zhvillohet, madje frikshëm.

Zakonisht, në opinionin e gjerë, fjala dhunë është përdorur më së shumti nga politikanët dhe nga organizatat joqeveritare. Të parët, që kanë krye e këput të dhunshëm, jo vetëm me revoltat në rrugë, por edhe me shikimet e vëngërta, me akuzat pa kompromis, por edhe me justifikimin se janë të urtë si qengja, ndërsa të dy krahët kanë pasur krahët e tyre të dhunshëm, madje të specializuar për dhunë. Të dytat, në modestinë e tyre të butë, janë përpjekur që dhunën në Shqipëri ta kanalizojnë në disa kanale të caktuara, atje ku ishin më së shumti paratë që u lejonin të jetonin ca më gjatë profesionalisht. Kështu dhuna te ne në Shqipëri, është kornizuar më së shumti në dhunën në familje, sidomos atë ndaj grave e femrave, në dhunën ndaj të miturve, dhe ca më pak në dhunën ndaj atyre që ishin ndryshe seksualisht, pra prej transeksualëve. Goxha punë e mirë fort dhe me shumë rezultate për sa i përket opinionit publik. Por a mjafton kjo?

Që dhuna është një fenomen i njohur i njerëzimit që nga lashtësia e deri në kohë të internetit, kjo nuk ka nevojë të thuhet. Apostuj, shenjtorë, papë, koncile fetare, hoxhallarë, baballarë, patriarkë, dijetarë të katër anëve të globit kanë predikuar dënimin e dhunës. Sakaq mjetet që përdornin për ta shmangur atë kanë qenë kaherë të dhunshme dhe historia përsëritej gjithnjë si një qen i mërzitur që sillet vërdallë duke kafshuar bishtin e tij.

Ka shumë teori psikologji apo sociologjike, të cilat shpjegojnë arsyet përse një njeri në dukje krejt normal, madje më normal se shumë prej nesh, befas shndërrohet në një makinë dhunuese vrastare. Më e para nga të gjitha është dëshpërimi që vjen nga varfëria e bashkuar me injorancën. Studiues të ndryshëm, bazuar në përvojat njerëzore në barakat e Rio de Zhanejro dhe të favelave të tjera të Amerikës Latine kanë shpjeguar se si e përse një foshnje e brishtë mund të shndërrohet befas në një kriminel shembullor. Kjo teori e ka një bazë që bazohet më shumë në mbijetesën, porse shembujt e fundit në Norvegji, SHBA, Belgjikë e në ndonjë vend tjetër të zhvilluar treguan se jo vetëm varfëria e bën njeriun të dhunshëm. Atëherë çfarë ka që nuk shkon. Dhunë kur jemi të varfër dhe dhunë kur jemi të pasur?

Lajmet e fundit që kemi parë të shpalosura te ne në ditët e para të këtij viti kanë qenë plot të mbushura me dhunë: një baba vret të birin, një djalë vret të atin, njerëz që vriten për një fjalë goje në një lokal të humbur fshati, dhe pastaj njerëz të tjerë, që ndonëse nuk hakërrehen me vrasje me siguri e kanë menduar atë, njerëz që dhunojnë njëri-tjetrin në emër të një fushate që tashmë ia kanë vënë emrin elektorale. Problemi nuk është se ne nuk kemi qenë ndonjëherë një shoqëri e dhunshme. Diktaturat dhe gjysmë diktaturat, që kemi përjetuar, e dëshmojnë më së miri këtë, problemi është se tashmë dhuna ka nisur të krijojë një kulturë të vetën, sipas së cilës disa individë dhe shumë të tjerë të lidhur me ta gati-gati nuk mund të jetojnë nëse dhuna nuk është pjesëmarrëse aktive e shoqërisë. Madje dhuna është bërë një lloj mode. I forti i lagjes periferike, i cili ka në hyqëm një dorë djemsh të rinj, për të cilët forca, dhuna dhe jo arsyeja janë arma e vërtetë për të ecur në jetë, djem që shëtisin qenvrasës me një krenari prej injorantësh, njësoj sikur të vringëllijnë një kobure, e gjithë kjo është një gjë shumë e parë ndër qytete tona. Puna është se të zënë sikurse jemi me gjërat tona “të mëdha”, anëtarësimi në NATO, marrëveshja asocim-stabilizim, e të tjera gjëra “të rëndësishme”, pa dashur, të gjithë bashkë e kemi lënë betejën kundër dhunës, apo më mirë kundër mënyrës së dhunshme e inatçore të të menduarit, në dorë të dy forcave fort të brishta: në radhë të parë të policisë, e cila e vetme nuk mund të arrijë magjinë e premtuar, dhe në radhë të dytë, në dorë të OJQ-ve të ndryshme, të cilave jo gjithnjë ia vë veshin kush. E kështu e keqja me emrin e bukur “dhunë” përparon, avash-avash, e sigurt, krenare, mendjemadhe, ndër shtëpitë, qytetet e gardhet tona.

E kemi thënë e stërthënë shumë herë me krenari, se ne, shqiptarët, jemi një komb ku bashkëjetojnë më së miri katër fetë zyrtare. E drejtë, porse kemi harruar të themi që ushtruesit e sotëm të dhunës, në mos asaj fizike, të paktën asaj ndër krye, janë pasardhës të një popullsie mikse që nuk beson në Zot – të paktën shumica jonë – dhe prandaj lind pyetja duhet të ndihemi krenarë që kemi të njëjtat mëkate, apo si?

Sa për ta mbyllur, është thënë e stërthënë nga politika zyrtare, sidomos në këtë pragfushate elektorale se qenkëshim një nga vendet që ka bërë hapa gjigantë përpara në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, të shpresës për të ardhmen e kështu me radhë. Madje janë dhënë e shifra e grafikë për këtë marri. Gandi, njeriu shembull antidhunë thoshte dikur: Nuk ka dhunë më të madhe sesa vetë varfëria! E me sa duket, ky duhet të jetë edhe çelësi antidhunë. Varfëria jo vetëm si nevojë për bukë ujë, shtëpi, shpresë, porse varfëria ndër mendje. E përderisa dhuna në këta muaj është shtuar fort, atëherë edhe duhet të jetë shtuar edhe varfëria ndër stomaqet, mendjet dhe shpirtërat tanë. Ndryshe si shpjegohet? Mbase kjo është pyetje e vështirë. Mbase përgjigjen e vërtetë do ta arrijmë vetëm atëherë kur jo vetëm disa OJQ, jo vetëm disa individë, por krejt shoqëria jonë, përfaqësuesit e saj më të pjekur e më të ditur, pa dallim partish e lojërash të rastit, të bashkohen në një OJQ të vetme që të ketë emrin Shqipëri.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA