Rinovimi, Ronaldo nuk jep garanci

14/01/2013 19:20

Cristiano Ronaldo nuk jep garanci për rinovimin e kontratës me Realin e Madridit, në një intervistë të publikuar të hënën në faqen e internetit të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA.com).

I pyetur për të ardhmen, portugezi u shpreh se “jam i sigurt që do të përfundoj kontratën aktuale që kam me Realin. Se çfarë do të ndodhë më pas, nuk mund ta di tani”.

Ronaldo ka një kontratë që e lidh edhe për dy vite të tjera me gjigantët spanjollë, por së fundmi, burime pranë 27-vjeçarit kanë informuar se ai ndihet i pakënaqur me jetën në Madrid dhe do t’i pëlqente të largohej, me destinacion të mundshme Paris SG ose një prej dy skuadrave të Mançesterit.

Zgjatja e kontratës së Ronaldos është e rëndësishme pasi do të siguronte qëndrimin e tij tek Reali, duke i dhënë fund zërave për një largim të mundshëm në merkaton e verës.

Në shtypin spanjoll shkruhet se klubi dëshiron të realizojë rinovimin sa më shpejt, në mënyrë që të mos përballet me mundësinë që Ronaldo ta vendosë nën presion për largimin e tij, përballë një oferte marramendëse.

Në intervistën për “FIFA”-n, Cristiano komentoi edhe situatën e klubit dhe atë të trajnerit Mourinho. “Duke parë gjendjen që kemi në kampionat, Champions League shndërrohet në objektivin tonë kryesor. Mendoj se kemi shanse të mira që t’ia dalim mbanë sivjet, ndonëse me Manchesterin nuk do të jetë e lehtë dhe shanset për kualifikim do të jenë të barabarta. Mourinho? Unë e respektoj mendimin e njerëzve që kërkojnë më shumë, por për mua ai është trajneri më i mirë i mundshëm për këtë klub dhe do ta mbroj deri në vdekje”.

Top Channel