Aleksander Cipa – Historia ende e pazbardhur e ish-ministrit të Jashtëm
peruan, Miller, i cili rezulton të jetë një investitor i këtyre ditëve
në vendin tonë, po shndërrohet në një tjetër argument përplasësh dhe
akuzash mes pozitës dhe opozitës.
Mes asaj çka raportojnë mediat peruane dhe atyre që konfirmohen prej mediave tona, ka diferencë të madhe dhe madje shumë komprometuese për të vërtetën reale.
Por palët politike po e kapërcejnë logjikën e këmbënguljes, për faktin real, ndërsa mediat kanë një raportim sipërfaqësor. Prej katër ditësh, asnjë prej të përditshmeve apo mediave audiovizive dhe atyre online nuk ka mundur të paraqesë një intervistë sqaruese me ish-ministrin peruan Manuel Augusto Blacker Miller. Ky politikan i huaj, i cili rezulton të jetë një investitor i ekziluar në Shqipëri, si dhe autoritetet e vendit, të cilat kanë tagrin institucional të sqarojnë marrëdhënien mes këtij shtetasi të huaj, nuk kanë bërë një dalje publike për sqarime të detajuara. Madje autoritetet tona nuk kanë qenë eksplicitë edhe në deklaratën e vetme zyrtare për të pohuar apo konfirmuar një kërkesë të Interpolit peruan, të autoriteteve të SHBA-së dhe organeve të tjera ndërkombëtare, të cilat janë të interesuara për këtë subjekt. Mediat ende nuk ia kanë dalë të japin provën e një investigimi dhe raportimi të thelluar për këtë histori me shtrirje dhe lidhje ndërkombëtare.
Sidoqoftë, ngritja e vrullshme e palëve në akuza ndaj njëra-tjetrës se kanë lobuar, kërkuar apo edhe ndërhyrë për të investuar kompania që ka lidhje, (sipas pohimeve mediatike të deritanishme), me impiantin e trajtimit të mbetjeve urbane që zotëron ligjërisht ish-ministri peruan, zbardh më së miri një aspekt: Në Shqipërinë e sotme qeverisësit e ekzekutivit shqiptar, si edhe ata vendorë të opozitës, paskan kontribut ofertues për investitorë të një kategorie të veçantë siç është edhe rasti i ish-ministrit të akuzuar për grusht shteti në vendin e vet.
Pas këtij rasti, pyetja që vjen vetiu është: A kemi investitorë të tjerë të kësaj kategorie dhe të këtij bekgraundi nga vende të tjera të botës që janë vendosur në Shqipëri?
Në Shqipërinë tonë ka ligje që detyrojnë transparencën e burimit të të ardhurave për çdo investitor vendas dhe të huaj. Por ka edhe detyrime ligjore që lidhen me verifikimin e investitorëve që vijnë nga vendet e tjera dhe që merren me hetimin dhe dijeninë për të shkuarën ligjore të tyre, në vendet prej nga vijnë. Por kjo është çështje tjetër. Në rastin e debatit apo siç preferon shumica e të përditshmeve dhe redaksive të informacionit në TV-të e vendit, “misteri” i ish-ministrit Miller, nuk është zbardhur dhe ka për të vijuar edhe në ditë të tjera, për shkak se politika ka hedhur dritë mbi disa lidhje të alternuara në vendosjen e tij në Shqipëri dhe në pasjen e një biznesi me qendër në Tiranë dhe Fier. Qeverisësit në nivelin qendror dhe në atë lokal, indirekt kanë qenë bashkëpartnerë dhe bashkëmbështetës, ndoshta duke qenë të ndarë nga njëri-tjetri në vendosjen e këtij zotërie në Shqipëri. Mediat ndoshta do të ishin në lartësinë e detyrës raportuese nëse do të zbulonin se cilët kanë qenë partnerët e parë të ish-ministrit biznesmen peruan që i mundësuan sjelljen në vendin tonë. Si ka lindur ky bashkëpunim dhe a ka një bekgraund ortakërish ai me Shqipërinë dhe me rajonin, sidomos edhe në fushën e biznesit për të cilin është licencuar. Aq më tepër që ky biznes në vend përballet me refuzime, me aludime dhe paragjykime, si dhe me frikë për shndërrimin e vendit në një “oaz strehimi të plehrave ndërkombëtare”. Në këtë rast edhe shoqatat dhe aktivistët ambientalistë do të duhej të sillnin informacionin e tyre për interes të publikut.
Por mbi gjithçka, ajo që mbetet e pazbardhur është: a ka një kërkesë zyrtare nga SHBA-ja për këtë zotëri të huaj, qoftë për ekstradim apo për marrëdhënie tjetër me drejtësinë e vendit aleat? A ka një korrespodencë zyrtare mes Perusë dhe Shqipërisë për këtë shtetas? Cila pjesë e korrespodencës dhe komunikimit zyrtar në trekëndëshin SHBA-Peru-Shqipëri ka mbetur e panjohur për publikun? Dhe pse mediat mbeten në raportimin empirik të asaj që servirin vetëm zyrat e marrëdhënies me publikun dhe te leximi i sipërfaqshëm i shtypit peruan?
Të gjitha këto pyetje retorike në vetvete bëhen pjesë e kontekstit dhe sfondit problemor, në të cilin vendosen shumë mistere dhe ngjarje në përditshmërinë shqiptare.
Në realitetin kriminal të vendit, po shtohen numerikisht ngjarjet e rënda dhe që të lënë shijen e veprimit brutal të krimit të zi dhe atij të organizuar. Janë të shumështuara numerikisht ngjarje të djegieve të personave në makina, të cilët rezultojnë të jenë masakruar në mënyrë barbare para djegies ekzekutive. Rastet e zyrtarit të SHISH-it në Durrës, rasti i rrëmbimit të djalit 15-vjeçar të një tjetri zyrtari të SHISH-it në Tiranë, gjetjet e disata të kufomave nëpër kanale dhe mjedise periferike, zhdukje policësh si ai në Fushë-Krujë apo edhe kronika e gjobëvënies dhe kërcënimeve të mistershme të raportuara përmes komunikatave zyrtare nga Policia e Shtetit në përditshmëri, po forcojnë perceptimin për një situatë implikimesh serioze mes krimit, krimit të organizuar, pasurisë informale dhe fenomeneve të shumta të krimit ekonomik dhe financiar.
Drejtësia dhe shteti ligjor në përballje me këtë kronikë të pasur dhe këtë realitet me kaq shumë ngjarje në underground, po e bjerrin rrezikshëm besimin qytetar dhe sigurinë publike. Në ditët e sotme elektorale pohimet kritike për këtë gjendje mund të interpretohen, justifikohen dhe merren si pjesë e argumentit politik elektoral që njëra palë ia kundërvë palës tjetër politike. Por e vërteta e ndjeshme dhe dhimbëse te qytetari, publiku dhe krejt shoqëria, ka tjetër peshë dhe tjetër vlerë. Kjo kronikë tronditëse e bën edhe më të besueshme atë mori dokumentesh apo raportesh ndërkombëtare që shprehen me rezerva të mëdha për raportet e rrezikshme mes politikës shqiptare dhe krimit të shumëllojshëm. Mos harrojmë se në vizitën e fundit në Shqipëri, sekretarja amerikane e Shtetit, zonja Hillari Klinton, u shpreh se: “Çrrënjosja e korrupsionit kërkon përpjekje të pandalshme dhe një përkushtim të përbashkët. Pavarësisht cilës parti i përkisni, pavarësisht cilat janë mosmarrëveshjet tuaja, nxis të gjithë udhëheqësit e Shqipërisë të gjejnë vullnetin politik për të punuar së bashku, për t’u përballur me këtë kërcënim ndaj pavarësisë suaj…”
Në vend, politika po vetëzbulon pa pasur asnjë lloj kompleksi apo ndrojtje prej verifikimit ligjor, marrëdhëniet e veta me investitorë të dyshimtë, grupe abuzive investitorësh, persona dhe familje të kapura apo të mitëmarrjes së hatashme. Rasti i përballjes prej disa ditësh me akuza familjare mes PD-së dhe PS-së apo mes familjes Berisha me familjen Rama, është kampioni i parë i një tendence kriminalizuese të fushatës së nisur elektorale. Në shembuj të tillë në Italinë fqinje apo në SHBA-në e Presidentit Obama, kënga e akuzave ndërpritet në kohën e parë. Është autoriteti i organit të Prokurorisë që ndërhyn energjikisht sa herë një kandidat amerikan artikulon një akuzë për rivalin e vet. Po kështu edhe në Italinë fqinje sa herë një kandidat shpall një akuzë afere për rivalin e vet, prokurorët italianë dhe të gjithë strukturat antimafie futen në rolin e tyre ligjor të hetimit dhe të verifikimit. Në këtë Shqipëri elektorale, shteti i gjithi dhe sidomos krejt arkitektura institucionale është nën ombrellën politike. Gjithëfuqia e politikanëve është evidente dhe e shprehur me prepotencë flagrante. Kultura e alternimit apo shkëmbimit përbaltës mes politikanëve apo familjeve të tyre invalidizon drejtësinë e sunduar. Pasurimi i albumit të akuzave për pallatet e ndërtuara me leje apo favorizime për pasuritë e të ardhurat e painvestiguara seriozisht dhe sidomos pasimi heshtarak i drejtësisë dhe institucioneve hetuese, si dhe shtimi marramendës i numrit të akuzave, kanë për qëllim lënien e Shqipërisë elektorale në kthetrat e politikës që sundon përmes gjeratores së të keqes dhe akuzimit “pa doganë”.
Kultura e përbaltjes në këto kushte garanton të ardhmen e saj dhe e lë këtë shoqëri në qerthullin dhe pafuqinë për të pasur një të nesërme ndryshe. Ajo vlen si alibi për çdo marrëdhënie të pistë dhe përfituese që realizon lidhja e politikanëve “pa kufi”. Kjo do të vijojë të ngjasë dhe të mbetet e rrënjosur derisa politikanët tanë dhe protagonistët mbështetës elektoralë të tyre, të mbeten pa fituar ato që Aleksis de Tokvil i quante “zakonet e zemrës”. Duke vijuar “këngën e vjetër të vesit përbaltës” në të vërtetë, politikanët dhe prej tyre, sidomos qeverisësit, ia dalin ta shndërrojnë “grigjën e tyre të zotëruar” në një vis edhe për ekzilime të mistershme politikanësh apo ish-politikanësh që fitojnë statusin e investitorëve të huaj. Rasti i ish-ministrit peruan qoftë fragmentar apo sporadik, le të vlejë si shembull për një syçeltësi institucionale, e cila duke vënë në lëvizje drejtësinë dhe hetimin ligjor, kryen detyrën për autoritetin e vendit dhe “lavdinë e republikës” sonë.
Top Channel