Integrim europian me fashizëm?

14/01/2013 00:00

Andrea Stefani – Në qershor 2008, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)
refuzoi kërkesën e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës (KMK) për
organizimin e një referendumi popullor lidhur me amendimet e Kushtetutës
të kryera në prill të po atij viti.

Në mbarim të asaj seance, mu në korridoret e KQZ, Artur Zheji, në atë kohë kryetar i KMK, deklaroi gjithë nerv se Shqipëria ndodhej në paradhomën e fashizmit. Sot Zheji nuk e përmend më fashizmin. Por fakti që LSI ka hyrë dhe është ulur në kolltukët e pushtetit të Berishës, nuk e ka zhdukur rrezikun e fashizmit. Ai vazhdon të mbetet në paradhomat e këtyre zyrave. Ai është atje, madje më i rrezikshëm se në pranverën e vitit 2008, kur Zheji e denonconte. Sepse ka bërë përpara në sajë të ndryshimeve të Kushtetutës që nuk mund të mos shfaqnin pasoja negative për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri.

***

Mendimi politik ka zbuluar tashmë se fashizmi përparon me anë të një koncerti teknikash “demokratike”, ndër të cilat krahas, për shembull, shpalljes së atyre që e kundërshtojnë atë si “tradhtarë” apo dhe “spiunë”, një vend kryesor zë shkatërrimi i ndarjes së pushteteve dhe pas kësaj i sundimit të ligjit me anë të ligjit. Në prill të vitit 2008, kur Zheji konstatoi me të drejtë rrezikun fashist në paradhomën e shtetit, sapo qe hedhur hapi i parë fashist i shkatërrimit me Kushtetutë të ndarjes së pushteteve. Tani, rreth 4 vjet më pas dhe kur LSI është në pushtet me Berishën, rreziku fashist ka bërë disa hapa më përpara drejt shkatërrimit të sundimit të ligjit me anë të ligjit, d.m.th., me anë të gjykatave dhe kolegjeve të kapura që japin vendime jo sipas së drejtës, por sipas vullnetit të Kryeministrit të plotfuqishëm. Faktet më të fundit të shkatërrimit të sundimit të ligjit me ligj, janë jo vetëm vendimet e KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor në maj 2009, me anë të të cilave Berisha i rrëmbeu Ramës fitoren në mes të ditës. Ato kanë vazhduar me zgjedhjen e një besniku të Berishës si Bujar Nishani në postin e Presidentit, me shkarkimin antiligjor të kryeprokurores Ina Rama, me caktimin kryeprokuror të Adriatik Llallës që zoti e di ku do të dalë me shkarkime dhe emërime prokurorësh që të kujtojnë spastrimet e prokurorisë gjermane nga Gebelsi në vitin 1938. Tashmë që jemi në prag të zgjedhjeve të qershorit 2013, i gjithë sistemi i institucioneve të administrimit zgjedhor është në duart e qeverisë dhe prezenca e opozitës është vetëm një garniturë “demokratike” e vendimeve të tipit bolshevik, që shumica e pushtetit merr në to. Këto vendime janë qartazi në përputhje me vullnetin e Kryeministrit për t’u jetëgjatësuar në pushtet, pavarësisht dështimeve spektakolare dhe korrupsionit galopant, edhe aty ku manipulimi me germën e ligjit nuk mjafton për të maskuar dhunimin e frymës së tij. Rrjedhojë e këtij konformimi fashist të institucioneve dhe disa gjykatësve, janë edhe vendimet më të fundit të Kolegjit Zgjedhor, haptazi në kundërshtim me ligjin si, për shembull, vendimi për ndarjen e zonave zgjedhore, si dhe ky më i fundit kur KQZ, në shkelje të ligjit, ia kalon ndarjen e mandateve Kuvendit, domethënë shumicës berishiste në Kuvend. Të gjitha faktet denoncojnë se i gjithë sistemi i kapur i shtetit është vënë në funksion të implementimit të sistemit elektoral në një mënyrë sa më favorizuese për pushtetin e diskredituar të Berishës. Vetëm OSBE dhe prezenca ndërkombëtare në Tiranë vazhdon të mos e shikojë këtë.

***

Çuditërisht, ndërsa rreziku i fashistizimit të shtetit përparon në sajë të përqendrimit të pushtetit në duart e Berishës, degjenerim që dikur Ilir Meta e denonconte si Republikë Kryeministrore, është po LSI që përflet përralla për integrimin europian të Shqipërisë, për qeverinë e integrimit të Metës dhe Berishës që po e çojnë Shqipërinë drejt Europës, por që po i pengon vetëm Edi Rama. Dhe si e bëka ai këtë? Duke mos miratuar “tre ligjet magjike” të integrimit! Me një fjalë, përqendrimi i pushteteve në duart e Kryeministrit si rrezik aksiomatik për demokracinë, si dhe një sërë dukurish të tjera tipike për liderët dhe lëvizjet fashiste e diktatoriale, nuk përbëka më rrezik, as korruptimi deri edhe kriminalizimi i qeverisë, ndërkohë që dy ligje dhe një rregullore, që çdo opozitë normale nuk do t’i miratonte në këto kushte, për të mos bërë garniturën demokratike të progresit fashist, qenkan ato që e penguakan Shqipërinë të përparojë drejt Europës! Dhe si për ta bërë edhe më të shpifur, farsës antiliri i bashkëngjiten edhe nja 100 intelektualë të regjimit me një solidaritet që të kujton ato të kohës së Enver Hoxhës kur “populli” solidarizohej në unitet me partinë. Por pavarësisht propagandave dhe mashtrimeve të pushtetit me integrimin, me “armiqtë” e “bllokuesit” e integrimit, ka disa kritere logjike që nuk mund të manipulohen dot nga asnjë pushtet e propagandë. Dhe këto janë qëndrime ndaj parimeve të përjetshme të lirisë që kanë të bëjnë me ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit. Dhe si në vitin 2008, kur u bë ndryshimi fatal i Kushtetutës, edhe me kontributin fajtor të Edi Ramës tashmë të vetëpranuar nga ai, është po Kryeministri Berisha që po i dhunon sot fashistikisht këto parime. Tashmë në bashkëpunim edhe me Ilir Metën dhe të gjithë ata që e pasojnë duke lëpirë, në emër të “Atdheut dhe Integrimit”, pështymën e akuzave që hodhën pak vite më parë mbi fashistin Berisha.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA