Të paktën 100 militantë islamikë, 11 ushtarë malezë dhe një pilot francez humbën jetën ditën e shtunë nga bombardimet franceze dhe luftimet e zhvilluara në Mali, raportuan mediat ndërkombëtare.
Më parë gjatë javës, Parisi zyrtar vendosi që të ndërhynte për t’i ardhur në ndihmë autoriteteve të ish-kolonisë së saj afrikane, të cilët kanë humbur kontrollonin e gjysmës veriore të vendit në luftimet me militantët fondamentalistë të “Ansar Dine”.
Militantët kanë shpallur një shtet të pavarur të panjohur ndërkombëtarisht në territorin e kontrolluar dhe përpiqen të shtrijnë një regjim islamik mbi të gjithë vendin.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, luftimet vazhdojnë të ashpra edhe të dielën, me ushtarët qeveritarë që po përpiqen të shtrijnë kontrollin mbi zonat e pushtuara të vendit, falë asistencës së komandove francezë në terren dhe gjuajtësve që shënjestrojnë bazat terroriste në veri.
Aktualisht, disa qindra trupa franceze ndodhen në Mali, të përqendruara në kryeqytetin Bamako dhe rrethina, ku ndodhen edhe 6 mijë shtetas francezë.
Në një fjalim përpara kombit ditën e shtunë, presidenti Hollande gjithashtu lajmëroi edhe përfshirjen e Britanisë së Madhe në konflikt, pasi kryeministri Cameron premtoi ndihmë logjistike për dërgimin e trupave në vend.
Pas një kryengritje të nisur në tetor 2012, rebelët mbajnë të pushtuar gjysmën veriore të vendit të varfër afrikan, ku kanë shpallur një shtet të pavarur islamik, të panjohur ndërkombëtarisht.
Rebelët, të cilët besohet se kanë lidhje të forta me Al-Kaedën dhe organizata të tjera të terrorizmit ndërkombëtar, kërcënojnë të pushtojnë edhe pjesën tjetër të vendit.
Një prej shteteve më të varfër në botë dhe i kufizuar në veri nga shkretërira e Saharasë, Mali ka një sipërfaqe të përafërt me atë të Francës, Gjermanisë e Italisë marrë së bashku, e nje popullsi prej 14,5 milione banoresh.
Top Channel