Tirana – një fshat i mërzitshëm

12/01/2013 00:00

Ilir Yzeiri – Që nga dita kur në krye të Bashkisë së Tiranës erdhi
ish-ministri i Brendshëm, që më 21 janar urdhëroi të qëllohej me armë
zjarri mbi protestuesit ose ish-ministri që, për një rrugë 45 km,
harxhoi mbi një miliard euro, pra, që nga dita kur në krye të bashkisë
erdhi Lulzim Basha, Tirana është mbërthyer nga një trishtim i thellë që
hera-herës ngjyroset ose vjen erë qofte apo erë paçe këmbësh, kur
pedonalja pranë Galerisë mbushet me kioska.

Janë shkatërruar ndarëset prej gome që ishin për rrugën ku duhet të kalonte urbani ose ndonjë autoambulancë. Sheshi kryesor i Tiranës është kthyer në një zabel të pështirë dhe qendra është bërë një rrethrrotullim banal që do të duhej të ishte në periferi. Makinat kanë fituar mbi këmbësorët dhe ato kanë pushtuar trotuaret në të gjitha rrugët e bukura të Tiranës. Trishtimi shtohet sapo ti kalon nëpër Bulevardin e Madh natën.

Piramida është kthyer në një rrangallë të tmerrshme dhe errësira apo një kapanon i madh në formë çadre ia shton edhe më kutërbimin prej shurrëtoreje gjigante që ka marrë ai vend. Ngjitesh pak më sipër dhe hotel “Dajti”, simboli i historisë shqiptare, është mbytur në terr dhe një Perëndi e di se ç’bëhet aty.

Blloku e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm sepse, sapo erdhi në pushtet Luli që dha urdhër të qëllohej mbi katër protestues dhe që bëri një rrugë 45 km me mbi një miliard euro, i hoqi ndalesat elektrike që kufizonin qarkullimin dhe ajo rrugë është bërë si një miniunazë, ku gjindja me makina nga të katër anët vijnë e shëtisin si të ishin në pazar. Tirana nuk ka një qendër, ka vetëm një rrëmujë provinciale dhe një garë me makina.

Mirëpo, kjo Tiranë që sapo përshkrova unë, është lule në krahasim me një Tiranë tjetër, me atë që fillon fjala vjen pas vendit që njihet si fabrika e birrës apo Qyteti i Nxënësit. Kur shkon për në Kombinat, nga ana e djathtë, janë ndërtuar blloqe pallatesh pa fund. Por kush jeton aty e ka jetën një ferr të vërtetë. Sapo bie nata, të futesh në atë zonë, pra ta kesh shtëpinë në një nga pallatet që janë ndërtuar në anën e djathtë të rrugës që gjendet midis fabrikës së birrës dhe Kombinatit, është një tmerr.

Rrugët gjithë baltë, të ngushta dhe gjithë gropa. Pallate që ndërtohen pa fund dhe baltë që shtohet pa fund. Si të mos mjaftonte kjo, tani, çdo natë, në orën 18 ikin dritat dhe rrinë gati dy orë. Në rastin më të mirë, do të duhej të mendonim se është tamam koha kur banorët e kësaj zone kthehen në shtëpi nga puna, gjithmonë nëse kanë punë. Pra, sapo futen në shtëpi dhe pasi kanë kaluar baltën dhe gropat e rrugëve në një errësirë si pus, futen në shtëpi dhe aty nuk kanë drita. Banorët që kanë blerë këto shtëpi janë më së shumti emigrantët që kanë kursyer dhe kanë ndihmuar familjet nga qytete të ndryshme që të vijnë për një jetë më të mirë në Tiranë.

Kanë harxhuar mijëra e mijëra euro për një shtëpi dhe kanë zgjedhur të jetojnë në një lagje që ngjet me getot më të frikshme të shteteve afrikane. Ky është një krim. Për fat të keq ne jemi një popull kokulur, pa pretendime, që jemi mësuar të na shtypin dhe nuk dimë të organizohemi që të kërkojmë të drejtat tona. Si ka mundësi që kanë kaluar njëzetë vjet dhe ndërtimet vijojnë pa asnjë lloj kriteri. Si ka mundësi që ndërtojmë njësoj si atëherë kur ishim të mbërthyer nga kriza e kursimit dhe përdornim parafabrikate, si tani kur thuhet se jetojmë në epokën e konsumit. Si ka mundësi që nuk ndërtohet një kompleks me parametra europiane, që do të thotë se, para se të jepet leja për ndërtim kompleksi pallatesh, bashkia apo komuna duhet të ndërtojë infrastrukturën, që do të thotë rrugën, korrentin, dritat dhe asfaltin. Ne vijojmë të ndërtojmë njësoj. Hapet një gropë, mbaron një kompleks pallatesh. Njerëzit futen brenda pa mbaruar ende se pallatet bëhen me paratë e kreditorëve, pastaj firma lidh dritën dhe nuk ka as rrugë, as transport publik. Banorët e bëjnë rrugën duke e shkelur si në kohën e mushkave. Kush ka kaluar në blloqet e asaj që njihet me emrin si zona e Fabrikës së Qelqit duhet të ketë parë një llahtar. Si mund të banohet aty? Ata qytetarë që kanë blerë ato shtëpi kanë paguar një çmim të kripur. Ajo firmë që ka marrë lejen e ndërtimit ka paguar taksën. Mirëpo komuna që ka në juridiksion këtë zonë banimi nuk mban asnjë përgjegjësi. Banorët e mjerë ngushëllohen me faktin që, pasi kalojnë baltën, gropat dhe tmerrin e rrugës kanë një strehë ku të fusin kokën. Më shumë? Jo, më shumë ne nuk dimë të kërkojmë. Për fat të keq edhe mediat thuajse nuk merren fare me problemet sociale të këtij vendi. Sikur vetëm një kamera të vendosësh në periferitë e Tiranës, do të vëresh se Tirana sa vjen e po bëhet një fshat i madh, i keq dhe i mërzitshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA