Ushtria franceze nisi ndërhyrjen ushtarake në Mali, për t’i ardhur në ndihmë qeverisë së këtij që të godasë rebelet islamik, që kontrollojnë pjesën më të madhe të vendit.
Presidenti francez, Fransua Holond, tha se ekzistenca e Malit si shtet po kërcënohej dhe foli për t’i ardhur në mbrojtje popullsisë dhe 6000 francezëve, që jetojnë atje.
“Në interes të Francës iu përgjigja kërkesës për ndihmë të presidentit të Malit, me ndihmë nga vendet e Afrikës Perëndimore. Ushtria e Francës i dha mbështetjen, këtë mesditë, njësive ushtarake të Malit për të luftuar elementët terroristë. Ky operacion do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme”.
Presidenti francez Holond shtoi se rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara provojnë se Franca veproi në përputhje të plotë me ligjet ndërkombëtare.
Ministri i Jashtëm, Lorën Fabjus, tha se deri tani është kryer një sulm ajror i ushtrisë franceze. Sekretari i Jashtëm britanik, Uilliam Hejg, shkruajti në Twitter se “vendi i tij mbështet vendimin e Francës për t’i ardhur në ndihmë qeverisë së Malit”.
Grupet e armatosura, disa prej të cilëve të lidhur me Al Kaedën, morën në kontroll veriun e Malit, në muajin prill. Në të gjithe vendin është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Të enjten, militantët deklaruan se kishin avancuar në territoret, që kontrolloheshin nga qeveria e vendit, duke zaptuar edhe qytetin strategjik Kona.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka miratuar plane për dërgimin e mbi 3000 trupave afrikane në Mali, për të vënë nën kontroll veriun e vendit, nëse nuk gjendet një zgjidhje politike, por ndërhyrja parashikohet të ndodhë pas shtatorit.
Mali ka qenë një koloni franceze deri në vitin 1960.
Top Channel