“Top-Story”, ekonomia në këtë vit elektoral

10/01/2013 00:00

Viti 2013 nisi një vit elektoral, por njëkohësisht është edhe viti i pestë i një krize botërore ekonomike, ndaj të cilës Shqipëria, pas një rezistence të admirueshme 2-3-vjeçare, tashmë ka filluar të ndjejë dukshëm pasojat e saj.

Fundi i vitit 2012 u karakterizua nga debate të shumta mbi buxhetin dhe reformat, por pikërisht për shkak të zgjedhjeve dhe thellimit të krizës globale, ekonomia pritet të marrë një rëndësi thelbësore në retorikën politike dhe influencimin mbi zgjedhjet e shqiptarëve në zgjedhjet e 23 qershorit.

Pikërisht për të debatuar mbi platformat ekonomike dhe për të përkthyer shifrat e përkthyera ndryshe nga të dy palët, në serinë e parë të “Top-Story”-t të këtij viti, Sokol Balla ftoi dy ministra Financash, atë aktualin, zotin Ridvan Bode dhe ish-ministrin, Arben Malajn.

Kriza botërore dhe Shqipëria

Në nisje të bisedës në studio, ministri Bode i bëri një ekspoze situatës “dramatike” ekonomike që po përjeton sot bota dhe gjendjes në Shqipëri. “Është e vërtetë që në fillimet e saj, kjo krizë u paralajmërua si kriza më e thellë e krahasuar me atë të viteve 1930, që pati rrjedhoja për 14 vjet. Simptomat e kësaj krize të zgjatur janë të dukshme në të gjithë globin, nuk ka ekonomi botërore që t’i ketë shpëtuar, por graviteti është i dnryshëm dhe Europa është në epiqendër të krizës, për shkak të nivelit të lartë të borxhit publik. 2012-ta ishte një prej viteve më të vështira të kësaj periudhe, pasi e gjithë Eurozona ra në recesion të dytë dhe për fat të keq, edhe ekonomitë periferike në vendin tonë patën rënie të ndjeshme. Ekonomitë e Serbisë, Bullgarisë e Maqedonisë, që kanë lidhje periferike me Eurozonëm, pasi dolën nga recesioni në 2010-11, ranë përsëri në të. Në këtë panoramë, duhet parë edhe ekonomia shqiptare, por edhe përballë kësaj goditje të dytë, nuk ramë në recesion. Kjo ndodhi kur dy partnerët tanë kryesorë ekonomikë, Italia dhe Greqia, patën zhvillime dramatike, me recesion 2,5 dhe 6% brenda vitit, përkatësisht”.

Rënia e rritjes ekonomike, roli i qeverisë

Nga ana e tij, ish-ministri i Financave, Arben Malaj, e lidhi këtë rënie të rritjes ekonomike, nga 6% përpara krizës, në 3% në 2012-n dhe vetëm 1,6% në vitin që lamë pas, me faktorë të tjerë, ndërsa konsideroi ndikimin e krizës botërore si dytësor. “Dallimi më i madh në qëndrimin tonë dhe tuajin lidhet me faktorët dhe përmasat e krizës. Lidhur me faktorët, një prej impakteve kryesore në përkeqësim është keqqeverisja e vendit në disa faktorë dhe arsyeja e dytë është impakti i krizës botërore. Këtë e argumentojnë edhe shifrat ndërkomëbatare”.

Duke vazhduar argumentimin e tij, Malaj shtoi: “E dyta, përmasat e krizës. Ne kemi debatuar shpesh në media apo Kuvend dhe kemi parlajamëruar se shkalla e rënies ekonomike është më e lartë se ajo që parashikon qeveria dhe këtë tezë kemi mbrojtur edhe në buxhetin 2013, me qeverinë që përsëri bën projeksione të buxheteve jorealiste. Rritja ekonomike është kyçe, pasi ul papunësinë dhe rrit paratë në buxhet, por edhe sepse në këtë element, ndikojnë të gjitha politikat e tjera ekonomike të një qeverie. Maxhoranca po injekton para nga buxheti dhe kjo e bën më të vështirë sfidën, ndërsa përkeqëson treguesit fiskalë”.

Nga ana e tij, Bode kundërshtoi konstatimin se rënia e rritjes ekonomike ka si arsye kryesore keqqeverisjen. ”Keqqeverisja nuk është problem. Reformat strukturore janë faktori kryesor përse ekonomia shqiptare nuk ka hyrë në recesion. Kjo nuk vjen sepse nuk kemi lidhje të mjaftueshme me ekonomitë e BE-së, përkundrazi. Marrëdhëniet  ne i kemi intensive me vendet e BE-së dhe ishim më të ekspozuar nga të gjithë, pasi nga pikëpamja defiçitit tregëtar, ne jemi vendi që prekemi më shpejt. Përfundimi për performancën e qeverisjes nuk bëhet me deklarata dhe konferenca shtypi, por me të dhënat e institucioneve, që konsiderojnë Shqipërinë si ekonominë me rendimentin më të mirë të rritjes në rajon, përpara dhe gjatë krizës. Para kemi pasur 1% më shumë se rajoni rritje, tani jemi rritur 2,5 më shumë se mesatarja rajonit. Pra, performanca e administrimit të krizës globale nga kjo qeveri ka qenë e admirueshme”.

Duke përdorur kritere të tjera gjykimi nga ministri Bode, paraardhësi i tij socialist theksoi: “Shifrat që tregojnë për mirëqeverisjen lidhen me administrimin fiskal, koston e borxhit dhe të dhënat për korrupsionin. Berisha thotë që jemi vendi që kemi rezistuar më mirë nga kriza. Shqipëria ka borxhin 220% të asaj që mbledh në buxhet, kostoja borxhit 3,4% që prodhon ekonomia, nga mestaraja vendeve të tjera që është 1,3%. Pika e nisjes e ekonomisë ka rezultuar e dëmshme dhe ministri të thotë, a ka kërkuar FMN të rishikohet çështja fiskale, të ulet borxhi dhe a ka kërkuar BB kujdes në hartimin e buxhetit. BB thotë që situata ka arritur në pikën më kritike. Ju thoni opozita ka parrulla, por ndërsa FMN parashikon rritjen 1,6%, ju e vendosni 4,3%, hartoni një buxhet joreal dhe kjo është e dhënë kryesore për keqqeverisjen”.

Debati mbi borxhin publik

Një prej debateve më të egra në fund të vitit 2012 ishte ai i borxhit publik, i cili tejkaloi nivelin e 60% zyrtarisht në fund të vitit. Nga ana e tij, ministri Bode e mohoi atë që ai konsideroi si një “ilaritet të pakuptimtë” të opozitës mbi kufirin e borxhit. “Ne e gjetëm borxhin në 2005-n me 58,2%. Ishim një vend që ka pasur nivelin e borxhit publik, 58,2% në 2005-n, ndërsa rajoni e ka pasuar 42,7% dhe vendet periferike kishin një nivel më të ulët. Ne e kemi rritur borxhin me 4%, rajoni me 18%. Objektivat në fushën e financas publike nuk janë tabu. Pse detyrimisht 60%? Këtë e vendosëm kur ulnim borxhin dhe vendosëm këtë target, por faktorët ndryshuan dhe këtu nuk ka asnjë skandal”, tha Bode.

”Unë i përmbahem analizës që impakti i krizës, përveç rrjedhojave botërore, lidhet kryesisht me keqqeverisjen”, u kundërpërgjigj Malaj. “Nuk po flas vetëm për korrupsionin, por ju lexoj Forumin Ndërkombëtar të Davosit, për atë që thotë për Shqipërinë: 1. Biznesi ankohet që nuk ka akses në financim, nuk ka financime nga qeveria. 2. Korrupsioni problem akut dhe kjo nuk vjen nga kriza. 3. Inefiçenca e qendrueshmërisë së administratës, me administratën që ndryshon në bazë të militantëve dhe nuk është në gjendje të kryejë detyrën. 4. Problem janë taksat, rregullimi i taksave, në 74 muaj qeverisje, 84 herë është ndryshuar sistemi i taksave. Ky është element i krizës apo keqqeverisjes?”.

Taksë e sheshtë apo progresive

Pjesa e dytë e Top Story nisi me debatin e Ministrit dhe ish-Ministrit të Financave për sistemin tatimor, e vecanërisht për taksën e sheshtë. Është më mirë taksa progresive apo taksa e sheshtë?

Ministri Bode mbrojti qendrimin e mazhorancës karshi kësaj takse duke thënë se kjo taksë i jep një hov zhvillimit ekonomik dhe shmang shumë prej burokracive administrative të taksës progresive. Bode tha se nuk ka asnjë mëdyshje se kjo taksë duhet të qendrojë, por ajo që ka vend për diskutim është vetëm përqindja e aplikimit të saj.

Ish-ministri i Financave dhe deputeti socialist, Arben Malaj kundërshtoi duke deklaruar se në bazë të shumë studimeve dhe të mendimit të ekspertëve ndërkombëtarë, taksa e sheshtë godet më shumë shtresën e popullsisë me paga të ulta. Kjo ka bërë, shtoi ai, që numri i të varfërve në Shqipëri të rritet. Malaj mbrojti taksën progresive duke thënë se ajo nuk është një taksë marksiste dhe se aplikimi i saj ka gjetur terren e po gjen ende në SHBA dhe në vendet e zhvilluara të Europës.

Privatizimet

Pjesa e tretë e debatit u përqendrua tek privatizimet dhe buxheti 2013. Për të para, Ministri i Financave Ridvan Bode pranoi se privatizimi i CEZ-it ishte një privatizim problematik që rezultoi me kosto për qeverinë. Ai shtoi se në kontratën e privatizimit janë përcaktuar qartë edhe hapat që do të ndiqen më tej përsa i përket sektorit të shpërndarjes së energjitikës në vend.

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj akuzoi qeverinë dhe politikat e saj për përfshirje direkte dhe indirekte në dështimin e CEZ-it në Shqipëri. Malaj citoi një deklaratë të kreut të kësaj kompanie dhënë për Reuters dhe Bloomberg ku akuzonte qeverinë shqiptare për “vendosje të shkopinjve nën rrota”. Malaj u ndal edhe tek privatizimi i ARMO-s dhe ai i Albpetrol. Sipas tij, të tre këto privatizime janë të dështuara nisur nga impakti i pakët që kanë në ekonominë e vendit.

“Që të jetë një privatizim i suksesshëm nuk mjafton vetëm arkëtimi i parave në arkën e shtetit, por duhet që sektori i privatizuar të rrisë impaktin në ekonomi”, tha Malaj.

Duke u ndalur tek buxheti 2013, ministri Bode e mbrojti atë si një buxhet që mban të gjallëruar ekonominë dhe nxit investimet, ndërsa Malaj e kritikoi atë si një buxhet elektoral. Duke u ndalur tek zgjedhjet e 23 qershorit dhe vendi që do të zërë ekonomia në fushatën për to, Ministri Bode tha se qeveria do të bazohet tek reformat që ka ndërmarrë e do të ndërmarrë, ndërsa Malaj tha se opozita bazohet tek ulja e tensioneve politike, mbështetje për biznesin dhe përgjegjshmëri maksimale e qeverisë. Fillimisht, vijoi Malaj, opozita duhet të përcaktojë prioritetet nga ku duhet të nisë punën.

I pyetur mbi vonesat e pagave për invalidët dhe administratën, ministri Bode tha se nuk ka asnjë problem të tillë dhe se vonesat kanë qenë burokratike për shkak të festave të fundvitit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA