Stina e re e “Metropolit”

10/01/2013 15:35

Një sërë shfaqjesh të reja janë rezervuar për publikun e kryeqytetit në sezonin e ri artistik nga Qendra Kulturore “Tirana”, ku bën pjesë edhe teatri i Metropolit.

Sipas drejtoreshës Suela Konjari, edhe këtë sezon fokusi do të jetë veçanërisht tek veprat shqiptare e sidomos tek mbështetja dhe aktivizimi i aktorëve dhe regjisorëve të rinj. Sipas saj, puna e tyre e talentuar ka rezultuar në një vit të suksesshëm artistik për qendrën.

Sezoni do të fillojë me vënien sërish në skenë të komedisë së Cajupit “14 vjeç dhëndërr”, me regji të Elma Doresit.  Shfaqja në grotesk do të pasohet në muajin mars me një tjetër e cila do të mbajë firmën e Doresit. Komedia e Viktor Eftimiut “Njeriu që pa vdekjen me sy” do të ripunohet në stilin e veçantë të regjisores.

“Siç erdhi “Karnavalet e Korçës” dhe “14 vjeç dhëndërr”, do të vazhdojmë në të njëjtën linjë. Dua të kap ekstremet duke filluar që nga përzgjedhja e aktorëve”, shprehet Doresi.

Premiera e parë e sezonit do të jetë komedia e zezë e autorit anglo-irlandez Martin McDonagh, “Dorëzimi”. Vepra do të realizohet me regji të Gent Bejkos dhe do të fillojë të shfaqet në datën 7 shkurt.  

Në të trajtohet problemi i diskriminimit, jo vetëm atij racor, por edhe social e gjinor, gjë e cila sipas regjisorit Bejko është aktuale edhe në shoqërine shqiptare.   

Pjesë e kalendarit artistik me shfaqjet e tyre do të jenë edhe aktori e regjisori Enver Petrovci e regjisori i njohur nga Maqedonia Kushtrim Bekteshi, i cili pritet të vërë në skenë rreth muajit tetor veprën “Lajzelota” të autorit Zslot Poshkaj.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA