Manipulimi ka nisur, ç’bëjnë ndërkombëtarët?

10/01/2013 00:00

Andrea Stefani – Opozita nuk ka pse të presë qershorin për të kritikuar,
pas të vjelash, certifikimin nga KQZ-ja apo Kolegji Zgjedhor të
manipulimit të pritshëm të zgjedhjeve nga qeveria.

Sepse, pavarësisht këshillave të sekretares Klinton për zgjedhje të lira e të ndershme, manipulimi ka nisur tani pikërisht me kontributin e Kolegjit Zgjedhor. Në fakt, Berisha po ndjek me vendosmëri strategjinë për ta shndërruar gjithë sistemin e institucioneve të administrimit zgjedhor në një lavatriçe të votës së manipuluar apo vjedhur prej tij. Një strategji e pritshme dhe rrjedhojë e kapjes prej tij të të gjitha institucioneve. Ndryshe nga viti 1996, apo maji i vitit 2011, këtë herë vota do të manipulohet “ligjshmërisht” me anë të kurtheve ligjore. Kësaj strategjie i shërben edhe akti më i freskët skandaloz i Kolegjit Zgjedhor për ndarjen e Zonave të Administrimit Zgjedhor (ZAZ). Dhe sa për këshillat e ndërkombëtarëve për zgjedhje të lira e të ndershme, Berisha po ndjek moton: Qentë (që nuk kafshojnë) le të lehin, karvani të shkojë përpara!

***

Skema e manipulimit që po kryhet është groteske, por jo aq e panjohur. Jo rastësisht një vëzhgim mbi rolin e ndërkombëtarëve në Shqipëri, i sapopublikuar i disa qendrave studimore me bazë në Uashington, Mynih dhe Sofje, ka konstatuar se “Disa incidente në vitet e fundit kanë vendosur në pikëpyetje pavarësinë e ndarjes së pushteteve dhe atë të gjyqësorit nga ndërhyrja politike. Në vend të konsolidimit të demokracisë, Shqipëria ka përjetuar një rrëshqitje në një kontroll të pothuaj të gjitha pushteteve dhe përdorim të gjerë të një proceduralizmi jo demokratik, ku përdorimi i ligjit justifikon dhe kontrollon thuajse gjithçka. Nuk është fjala vetëm për dallimin mes “germës dhe shpirtit” të ligjit dhe “procesit e vlerave”, por gjithashtu edhe për keqpërdorimin e ligjeve dhe institucioneve për qëllime politike dhe individuale”. Ndarja nga Kolegji Zgjedhor i ZAZ-ve në mënyrë arbitrare dhe me justifikime qesharake “ligjore”, është një tjetër rast i hapur i keqpërdorimit të ligjeve dhe institucioneve nga qeveria, duke ngritur kurthe “ligjore” në funksion të manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme. Të bësh sikur nuk e shikon këtë krim, është njësoj si të pajtohesh me manipulimin ndërsa ulëret kundër manipulimit. Opozita po ankohet publikisht për këtë arrogancë mbiligjore të Kolegjit Zgjedhor. Por për çudi reagimi i komunitetit ndërkombëtar mbetet thuajse inekzistent! Çfarë presin ambasadorët e trojkës perëndimore (Sequi, Arvizu, ëollfarth) për të denoncuar sa nuk është vonë këtë kurth institucional që po u ngrihet zgjedhjeve? Çfarë pret OSBE-ja? Mos vallë diktaturën e faktit të kryer, si në maj 2011, për t’u sugjeruar më pas shqiptarëve, si edhe jo pak herë të tjera, “që të shohin përpara”?! Po si të shohin përpara ndërsa bëjnë prapa?

***

Në vëzhgimin e sipërpërmendur të tri qendrave të huaja, ndërsa nënvizohet se në jo pak raste sundimi i ligjit është minuar nga qeveria mes procedurave dhe përqasjeve legalistike duke përfituar nga keqfunksionimi i institucioneve, theksohet gjithashtu se “komuniteti ndërkombëtar ka qenë i kapur nga ky kurth “ligjor”. Pyetja që shtrojmë është: do të vazhdojë ky komunitet ambasadorësh të mbetet i kurthosur në këtë grackë të ngritur nga Berisha, apo do të flasë që sot hapur duke kontribuar për të shpëtuar zgjedhjet dhe ardhmërinë europiane të shqiptarëve? Dhe nëse nuk e bëjnë, ata nuk mund të mos jenë bashkëfajtorë me qeverinë jo vetëm për dështimin e zgjedhjeve, por edhe për të gjitha rrjedhojat negative që mund të pasojnë.

***

Dhunimi nga Kolegji i ligjit në vendimin për ndarjen e ZAZ-ve, ku bëhet numërimi i votave, është një shembull tjetër i dukurisë që po cilësohet si “proceduralizëm jo demokratik”. Dhe ja sepse: Në dhjetor të vitit të kaluar, përfaqësuesit e PD-së dhe PS-së në KQZ thuajse ranë dakord për një ndarje të re që e rriste numrin e ZAZ-ve nga 66 në 76. Më pas, befas, përfaqësuesi i PD-së bëri një propozim, një ndarje me 100 ZAZ. Një propozim të ri për ndarje me 89 ZAZ ka paraqitur edhe “administrata” e KQZ-së, në fakt pala e PD-së e maskuar me “administratë”. Qëllimi ka qenë që Kolegji Zgjedhor të miratonte formulën me 89 ZAZ, që edhe pse është e PD-së, kamuflohet si zgjidhje e “mesme”. Dinamika tregon sesi po përsoset mekanizmi i kurtheve ligjore dhe e proceduralizmit antidemokratik, në vetë gjirin e institucioneve të së drejtës. Po përse PD-ja ka lakmi të shtojë ZAZ-të edhe më shumë se numri 76, për të cilin thuajse ra dakord që në fillim? Ka dyshime të forta se, krejt ndryshe nga pretendimi i PD-së se kjo do të rrisë shpejtësinë e numërimit të votave, shtimin e numrit të ZAZ-ve do ta bënte shumë më të vështirë, madje dhe të pamundur monitorimin e një pjese më të madhe të tyre nga ndërkombëtarët dhe për rrjedhojë do të rriste shanset e manipulimit. Sa më shumë ZAZ, aq më shumë hapësira për të vjedhur vota duke mos u diktuar. Kjo duket se është motoja e fshehtë e PD-së.

***

Tendenca e Berishës për manipulim zgjedhjesh është tashmë proverbiale. Ndaj ajo që alarmon sot është fakti se institucione si Kolegji Zgjedhor, të ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligji të mos lejojnë vjedhjen apo manipulimin e votës së qytetarëve nga askush, po shfaqen në sinkron të plotë me pushtetin, duke u shndërruar në lavatriçe të votës së vjedhur. Në nenin 24 të Kodit Zgjedhor shkruhet e zezë mbi të bardhë se konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur edhe me caktimin e zonave të administrimit zgjedhor. KQZ-ja ka votuar, por nuk ka mundur të miratojë asnjë nga propozimet për ndarjen zonale, as atë me 76, as atë me 89 dhe as atë me 100 ZAZ. Asnjë nga këto propozime nuk ka arritur të marrë minimumin e 5 votave që do i bënte ato vendime. Por juristëve kurthngritës pranë Berishës u volitet t’i quajnë këto votime “vendime”, edhe pse ligji e thotë që vendimi quhet i miratuar, pra vendim, nëse për të votojnë të paktën 5 vetë nga KQZ-ja. Një vendim i pamiratuar nuk është vendim. Në këtë gjiriz procedural dhe alogjik ka rënë edhe Kolegji që i quan votimet që dështuan të japin produktin e caktuar nga ligji (ndarjen zonale) “vendime që nuk kanë prodhuar pasoja”. Po pse nuk kanë prodhuar pasoja? Thjesht se nuk janë vendime. Kolegji hodhi poshtë vendime që nuk u bënë vendime! Por jo vetëm kaq. Kolegji mori vendim të aprovojë ndarjen me 89 ZAZ, gjë që me Kodin Zgjedhor nuk është fare atribut i tij. Kolegji u konformua me skemën berishiste të manipulimit. Detyra e tij, sipas ligjit, ishte jo të merrte një vendim që i takonte KQZ-së, por të nxiste KQZ-në për të marrë një vendim. Madje duke caktuar edhe një afat duke detyruar PD-në dhe PS-në në KQZ, të arrinin një konsensus. Duke u bërë palë me PD-në, Kolegji Zgjedhor i ka dhënë, që në nisje të procesit, një grusht dërrmues mundësisë së konsensusit në KQZ.

***

Tashmë dihet si Kryeministri Berisha shpërfilli me arrogancë sugjerimet e ndërkombëtarëve për një President Republike konsensual, duke caktuar një besnik të vetin në postin e kreut të shtetit. Ndërkaq, reagimi i dobët i ndërkombëtarëve ndaj kësaj arrogance, mjerisht në përputhje me germën e Kushtetutës, por jo në frymën e saj, shpjegohet me faktin se ata ndodheshin të kapur në kurthin ligjor të prodhuar nga amendimet e Kushtetutës të vitit 2008 që ata vetë kishin përshëndetur. Por tani është një situatë krejt tjetër. Kolegji Zgjedhor ka shkelur hapur ligjin, duke marrë një atribut që nuk i përket. Natyrisht, gjendja e sotme e KQZ-së apo e kolegjit është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e amendimeve famëkëqija të Kushtetutës. Por ndërkombëtarët nuk kanë asnjë arsye të mbeten peng i tyre. Veçanërisht ambasadorët e trojkës ua kanë borxh shqiptarëve minimizimin e rrjedhojave negative të amendimeve të Kushtetutës të toleruar nga paraardhësit e tyre (Lohan, Bosch dhe ëithers). Ata nuk mund t’i thoshin “jo” Berishës në rastin e Presidentit, sepse ai u zgjodh sipas germës së një Kushtetute të deformuar. Por është e papranueshme të mos i thonë jo vendimit të fundit të Kolegjit, që sikundër kanë argumentuar edhe specialistët më me përvojë në këtë rrafsh, është qartazi kundër si frymës ashtu edhe germës së ligjit. Do të ishte një tolerim i patolerueshëm! A do të gjejnë këtë herë aktorët ndërkombëtarë përgjigjen e duhur ndaj abuzimit prej qeverisë së institucioneve dhe procedurave? A do ta bëjnë këtë në emër jo të opozitës, as të Edi Ramës, por të lirisë dhe demokracisë në Shqipëri?

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA