Brezi “nën gjyshin”…

10/01/2013 00:00

Aleksander Cipa – Më pyetën: Cilin quani brez oportunist në vendin tonë?
Përgjigjja ime: Veten dhe gjeneratën së cilës i përkas. Ne nuk erdhëm
në përballje me jetën në një cilësi të tillë bashkëjetese me të keqen. E
keqja jonë në fillim të viteve ’90-të ishte koha paraardhëse, e cila
ishte në rënie të pangritshme dhe ne u bëmë optimistët e shembjes, por
edhe protagonistë të rrëzimit përfundimtar.

Në atë kohë, Shqipëria mori vrullin dhe energjinë e një shoqërie dhe vendi ku kohët ndërroheshin, por edhe jeta tjetërsohej. Brezi ynë ishte sulmues, ndoshta me të drejtën për një krenari jetëgjatë dhe vepërmadhe.

Iu larguam me lehtësi kohës së qeverisjes prej etërve që ishin vetëmbyllur, por edhe krenoheshin me jetëgjatësinë e vetëmbylljes. Fshihej lëngata dhe burgu i shpirtit, por nuk mbulohej burgosja e tmerrshme. Brezi kishte “orën” e një misioni të ri, i cili kishte lënë pas, kohën e qeverisjes së etërve të hermetizmit ideologjik dhe të kufijve të zaptuar me iluzion dhe miopi. Në dekadën e parë të pasviteve ’90-të “brezi 20 që nuk ishte një brez”, siç do të shprehej në një libër të përbashkët Ben Blushi dhe Blend Fevziu po hynte në ciklin e të shndërruarit në etër, por me besimin se rinia jonë do të zgjatej në një kohë më të gjatë se koha natyrale e brezave. U kacavir dhe u llastua vetëmburrja dhe ndryshimi i përditshmërisë sonë sociale dhe ekonomike, u tjetërsua infrastruktura dhe sidomos pamja urbane e vendit në qytete e zona, në shumicën e hapësirës urbane ndodhën e ç’nuk ndodhën në dy dekada. E tashmë, në vitet e para të dekadës së tretë, askush nuk formësoi dot një reagim të organizuar për të riparë me sy dhe mendje kritike shumë gjëra që u deformuan dhe po vijojnë të degradohen kriminalisht në jetën dhe mentalitetin e shoqërisë sonë. Koha do të na gjykojë edhe ne, sipas dialektikës së njohur. Do të ngjasë siç ka ngjarë: Brezi do e gjykojë brezin!

Por po të mbesim te pyetja se pse e quajmë brezin tonë tashmë një brez oportunist, kemi shumë argumente vetëndëshkuese: Por më së shumti, si provë dhe dëshmi kemi një gjendje. Është periudha e viteve të fundit që mund të quhet vërtet një periudhë gjendje-ndenjur. E tillë është Shqipëria e këtyre ditëve. Jo se nuk po bëhen rrugë e nuk po shiten prona, jo se nuk po krijohen HEC-e e nuk jepen koncesione, jo se nuk po shtohen shkolla e nuk po shumohen universitete…. Jo e jo, do të thoshte Kryeministri ynë stoik e i qëndrueshëm sa koha e ndenjur.

Brezi ynë ka hyrë në ciklin e të qenët një brez oportunist, për shkak se nuk po ngrihet dot në misionin e lëvizjes dhe rotacionit brenda kohës. Brezi ynë po i jep mundësisë për qeverisje të gjatë të një apo disa personave, kuptimin dhe kohën e një regjimi. Ky nuk është konstatim opozitari politik, por e thëna e ndier e një qytetari që po vëren dhe jeton në kohën kur Kryeministrin e sotëm e njohu si President të parë të kohës së demokracisë dhe kur biri im student e ka Kryeministër që pretendon mandatin e tretë të radhës. Kjo është koha e brezit tim që vërtitet në rrjedhjen e saj, nëpër shëmbëllesa dhe ngjashmëri veprimesh dhe sjelljesh me kohën  “e etërve” të para ’90-s. Ky është brezi oportunist që së paku, në emër të dialektikës ndër breza dhe për breza, nuk po ia del të ndryshojë elitën e ndenjur dhe të kapur, apo elitën e molepsur dhe të majmur, elitën që zotëron majtas-djathtas shumë asete dhe monedhë, por që falë këtij oportunizmi ka për të qenë edhe më tej uzurpatore. Ka për të qenë edhe më uzurpatore, falë kohës pa regjim, por që zotërohet si në regjim.

Brezi ynë që shembi etërit kohëndenjur të komunizmit, të lodhurit nga vetëmbyllja dhe nga miopia vulgare, sot po i bie në hise një kohë e regjimit të narkisë dhe rrokopujë pa fund. Nuk ka autorësi të një qeverie kjo gjendje dhe kjo kohë! Është një shumësi autorësh, protagonistësh dhe lojtarësh. Të gjithë, me vrullin dhe kontributin e mefshtësisë dhe indiferentizmit apo oportunizmit tonë, ia dolëm të jemi këtu ku, për nesër nuk po mbledhim asgjë prej forcës dhe reagimit për të mos vijuar në rrugën pa krye dhe me fat të zymtë social si në Greqinë apo Italinë fqinje.

Brezi ynë nuk paska pasur asgjë prej misionarësh. Nëse nuk dimë ta kemi ndërgjegjen për misionin që morëm përsipër, së paku të kemi përvojën ose dijeninë, për një kohë që jetojmë. Brezi ynë, nuk e ka as ndërgjegjen dhe as memorien dialektike. Ne po e lemë vendin të qeveriset nga gjyshi. Nën gjyshin qëndrojmë si nipër të pakënaqur, por të nënshtruar. Të bindur në pamundësinë e fatndryshimit ose të daljes nga kthetrat e së keqes që nuk ka emër të përveçëm Berishën, por që ka propagandë të zonjë dhe bindshmëri të rreme. Ne po qëndrojmë në regjim të gjyshit, jo për shkak të bindjes biblike, por të oportunizmit tonë dëmsjellës…

Brezi ynë erdhi si brez përmbysës, por kapërceu veten dhe po rikthehet pas vetes…nën gjyshin…Ky është i vetmi rast që kemi humbur shansin për të pasur bekime gjyshërish… Jo për faj të gjyshit politik të radhës, por për fajin dhe mëkatësinë me ndërgjegje tonë. Ne po investojmë marrëzisht një kohëvonesë të re për fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve tanë. Këtë e bëjmë pa qenë të ndërgjegjshëm për pisllëkun, ndotjen morale dhe shpirtërore, për armaturën e sofistikuar degraduese, strukturën e betonizuar të korrupsionit dhe krimit në vend, për Shqipërinë e ardhme dhe atë të pasardhshme. Ne u thamë etërve tanë të përmbysur: sa krenarë ishit në varfërinë tonë, pasardhësit pas fëmijëve tanë mund të na gjykojnë edhe përmes këtij konstatimi: Sa të pasur e latë ndotjen dhe pisllëkun moral në kohën tuaj ndryshe.! Ju që mendjen qeverisëse dot nuk e ndryshuat!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA