Miss-Venezuela e vitit 2004 dhe një prej aktoreve më të famshme të Amerikës Latine, Monica Spear, u vra së bashku me bashkëshortin e saj në një tentativë grabitje në fillim të javës.
29-vjeçarja dhe bashkëshorti i saj britanik mbetën viktimë të banditëve që qëlluan me breshëri ndaj automjetit, ngjarje në të cilën mbeti e plagosur vajza e tyre 5-vjeçare.
E ndërsa presidenti i vendit, Nicolas Maduro, premtoi se do të arrestojë dhe do të gjykojë me “grusht të hekurt” vrasësit, autoriteteve i mungojnë të dhënat për të çuar në identifikimin e tyre.
Për këtë arsye, mediat venezueliane informuan të enjten se policia ka vendosur që të përpiqet të nxjerrë informacion pikërisht nga e mitura e mbijetuar, e cila po kurohet në një spital për plagët dhe traumën e pësuar, pas ekzekutimit të të dy prindërve përpara syve të saj.
“Do të jetë shumë e vështirë”, deklaroi një familjar i afërt. “Vajza ende nuk e di të vërtetën. Ajo kujton se prindërit e saj thjesht janë duke fjetur. Psikologët po punojnë me shumë kujdes për ta bërë të kuptojë dhe pranojë realitetin, në të njëjtën kohë që po tentohet që të nxirret një përshkrim sa më i saktë i asaj që vajza ka parë”.
Burime nga familja, gjithashtu bënë të ditur se do të jenë gjyshërit ata që do të marrin kujdestarinë e 5-vjeçares, ndërsa funerali i mbretëreshës së bukurisë do të realizohet në fundjavë.
Top Channel