Sekuestrimi i pasurive të krimit

09/01/2013 00:00

Mbi 13 milionë euro pasuri dhe llogari bankare që vijnë nga bota e
krimit janë sekuestruar gjatë vitit 2012 nga autoritetet shqiptare.

Por sipas ministrit të Brendshëm Flamur Noka, Agjensia e Administrimit të Pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara ka nevojë për mbështetjen e të gjitha institucioneve.

“Janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri që variojnë nga apartamente, makina, aktivitete tregtare, bar-restorante, hotele dhe llogari bankare.Efikasiteti dhe rezultati në këtë luftë është i qartë dhe shifrat flasin vetë. Gjatë vitit 2012 u sekuestruan rreth 13.8 milionë euro pasuri për pastrim të produkteve të veprës penale duke bërë të mundur kështu që vetëm në tre vjet nga hyrja në fuqi e ligjit ‘Antimafia’, ne të mundësojmë sekuestrimin e mbi 28 milionëve euro pasuri të vëna nga aktivitetet kriminale”, tha Noka.

Sipas Prokurorit te Përgjithshem Adriatik Llalla pastrimi i parave ka njohur sofistikim të ndjeshëm dhe shqetësimi ngrihet pikërisht tek dyshimet e përdorimit te ketyre aseteve per te korruptuar njerezit e ligjit.

“Në punën tonë të përbashkët me menyra dhe mjete që dëshmojnë se krimi i organizuar ka arritur nivele që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhë të koordinuar ndërinstitucionale. Shqipëria është një vend i hapur dhe mundësitë për të kryer transkasion të paligjshëm në vlera të mëdha monetare janë më të shumtat. Problematikë e mprehtë që po has në ditët e para në ushtrimin e funksionit të Prokurorit të Përgjithshëm është fakti që pasuri të krijuar në mënyrë të paligjshme ka dyshim se përdoren për të korruptuar organet e zbatimit të ligjit që ndjekin hetimet e këtij lloj aktiviteti kriminal”, tha Llalla.

Gjatë nënshkrimit të Memorandumit te Bashkepunimit me Agjensine e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe te Konfiskuara mes kater ministrive, Prokurorisë se Përgjithshme dhe SHBA-ve, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu kërkoi bashkëpunim ndërinstitucionale për të bllokuar pasuritë që rrjedhin nga krimi i organizuar.

“Janë tre arsye themelore pse konfiskimi është i rëndësishëm. Më lejoni të përmend shkurtimisht secilin prej tyre. Pikësëpari për arsye të qarta kriminelet nuk duhet të lejojnë të përfitojnë nga krimet e tyre dhe në çdo rast kur kjo ndodh prokurorët, veçanërisht në çështjet e pastrimit të parave dhe Krimit të organizuar duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të konfiskuar përfitimet e paligjshme të të akuzuarve. Së dyti konfiskimi i të ardhurave nga krimi ndihmon të parandalojnë kriminelët në financimin e mëtejshëm të aktiviteteve të paligjshme. Së fundmi kur një Qeveri është në gjendje të sekuestrojë asetet dhe t’i konfiskojë ato kjo kthehet në një burim të ardhurash për Qeverinë, të cilat pastaj mund të përdoren për të vazhduar luftën kundër krimit”, tha Arvizu.

Top Channel