Skender Minxhozi – Në një intervistë të tij në muajin nëntor, kreu i
PS-së, Edi Rama, premtoi para opinionit publik se rreshtimi opozitar në
zgjedhjet e 23 qershorit do të ishte më i madhi i parë deri më sot në
ndonjë fushatë zgjedhore në Shqipëri.
Një angazhim i rëndësishëm, për një betejë të rëndësishme. Por edhe një korrigjim kursi, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2009, kur PS-ja me koalicionin e saj prej pesë partish, mbeti pas PD-së, e cila grumbulloi rreth vetes 14 parti politike (në votimet e fundit lokale, Berisha e çoi në 22 numrin e formacioneve politike brenda aleancës së tij). Bankoprova elektorale e vitit 2009 tregoi qartë se ky sistem zgjedhor, me të cilin do të votohet edhe në qershorin e ardhshëm, shpërblen mbi të gjitha koalicionet që kanë shumë sigla në përbërjen e tyre, pavarësisht peshës specifike të vogël që mund të ketë një pjesë e partive politike. Me fjalë të tjera, kërkohet para së gjithash aftësi për të negociuar me sa më shumë aktorë të njohur, por dhe të panjohur të spektrit politik, duke u ofruar atyre bashkëpunim dhe pjesëmarrje në pushtetin e nesërm.
Sot mund të thuhet me një dozë të mirë sigurie se ky ishte ndër defektet kryesore të opozitës dhe kryetarit të saj në votimet e shkuara. Mund të thuhet gjithashtu, duke parë deklaratat dhe sjelljet publike të lidershipit socialist, se çështja e aleancave zgjedhore është sot shumë më prezente sesa katër vjet të shkuara, kur në PS besonin të fitonin pa shumë sforcim, përballë “bandës së Gërdecit”. Ngjarjet treguan se kauzat e drejta janë shpesh të pamjaftueshme, pasi duhen shoqëruar me taktika fituese dhe fuqi organizative, të cilat PS-ja e viteve të fundit nuk ka dëshmuar se i ka.
Duke analizuar qëndrimin e opozitës ndaj problemit të aleancave, vëren tre elemente kryesore. Së pari, tundimi i vjetër ndaj LSI-së vijon të mbetet i gjallë dhe turbullues në mendjen e një pjese të rëndësishme të figurave kryesore të PS-së. Brenda harkut kohor të një apo dy ditëve, mund të gjesh në faqet e shtypit deklarata kryekëput të kundërta, nga zyrtarë të lartë të partisë, në lidhje me koalicionin elektoral me Ilir Metën. Njëra palë deklaron se PS-ja fiton edhe e vetme, me ose pa Metën, pala tjetër i bën thirrje direkte indirekte atij, që të marrë një vendim “konform interesave të vendit”. Pra, të bashkohet me trenin opozitar.
Në këtë kakofoni, zëri i Edi Ramës duket se ka qenë deri tani ai më racionali, me gjithë keqinterpretimet që u janë bërë edhe deklaratave të tij për LSI-në. Rasti më i fundit, ishte ai i përgjigjeve që Rama dha në rrjetin “Twitter”, në lidhje me qëndrimin ndaj Metës. Mëdyshjet e PS-së ndaj LSI-së, frika e demonstruar publike për mundësinë e mbetjes së kësaj partie matanë gardhit të Sali Berishës, po investojnë drejtpërdrejt në rritjen e imazhit dhe aksioneve të LSI-së në bursën politike, përfshirë edhe në pazaret e ardhshme të Ilir Metës me Berishën. Grishja që PS-ja po i bën nga të gjitha anët kësaj partie për të “kapërcyer ylberin”, është në fakt një vlerësim i fryrë dhe jorealist për peshën që kjo parti ka në zgjedhje. Mjafton të shihen votimet e fundit administrative, ku me gjithë votat e shumta që mori, partia e Metës nuk e komprometoi dot në mënyrë të dukshme fitoren e opozitës thuajse në të gjitha qytetet kryesore. Në “chatin” e tij të fundit në “Twitter”, Rama kujtoi me të drejtë se në 2007-n, PS-ja bashkë me LSI-në mezi patën fituar në Durrës, ndërkohë që një vit më parë socialistët triumfuan të vetëm në këtë qytet, me avantazh të dukshëm.
LSI-ja dhe PDIU-ja janë sot dy forca politike qeveritare, e si të tilla duhen trajtuar. Meta dhe Idrizi nuk do të kishin asnjë dilemë për të qëndruar me Berishën, nëse nuk do të ndodheshin nën presionin e tërthortë të partive të reja. Me gjithë këtë rrethanë të re në fushën e lojës, gjasat që ato të shkëputen nga karvani qeveritar janë të pakta. As Meta, as Idrizi nuk janë të lirë momentalisht të veprojnë sipas dëshirës dhe interesit të tyre të ngushtë personal e partiak. Për një mijë e një arsye.
Elementi i dytë që vihet re në strategjinë paraelektorale që po adopton PS-ja, është ai i ftesave gjithashtu të përsëritura që po u bën FRD-ja dhe AK-ja. Të paktën publikisht, Rama duket se po luan me kartën e presionit mbi Topin dhe Spahiun, për t’i shtyrë ata që të pranojnë hyrjen në një front opozitar unik. Megjithatë, mes rreshtave duket se në qëndrimin ndaj dy partive të reja, ka një diferencim. Ndërkohë që i ka kursyer kritikat për Kreshnik Spahiun, Rama ka qenë në mjaft raste i thartë dhe ironik ndaj Bamir Topit, të cilit i ka bërë thirrje “të dalë nga qypi”. Duke marrë aty për aty edhe replikën e kreut të FRD-së. Megjithëse formalisht e ka ftuar FRD që të jetë pjesë e panelit opozitar, brenda PS-së duket se ka më shumë se një mëdyshje për të mos e përfshirë këtë parti në koalicionin e majtë opozitar, me qëllim që të ruhet i paprekur fondi elektoral i djathtë i kësaj partie, i cili do të ngushtohej në rastin e një afrimi të saj eventual me të majtën. Një problem ky që nuk shtohet kur është fjala për AK e Kreshnik Spahiut, me të cilën mesa duket do të ketë një bashkëpunim elektoral konkret në të ardhmen. Natyrisht para zgjedhjeve.
Elementi i tretë, në skakierën elektorale të PS-së, mbetet ai i partive të tjera. Ky është segmenti më i paqartë dhe më fluid i taktikës elektorale, por gjithaq i rëndësishëm për rezultatin final të 23 qershorit. Fjala është vërtet për një listë gri partish e lëvizjesh të vogla, që shpesh mbeten poshtë pragut të gabimit matematikor, në të gjitha sondazhet zgjedhore, por që në fund shërbejnë për të krijuar atë avantazh të vogël milimetrik, që do të krijonte një rrethanë pozitive me peshë për fitoren e zgjedhjeve. Në muajt e fundit, PS-ja ka humbur një aleat si Nard Ndoka, çka përbën një humbje joindiferente për atë pjesë të territorit ku vota katolike është prezente. Gjithashtu mbetet për t’u parë qëndrimi i figurave të tilla si Dashamir Shehi me lëvizjen e tij, apo pozicionimi i partive të tjera më të vogla lokale. Pa harruar kurrsesi PBDNJ, e cila në këta muaj duket se ka krijuar një distancë të konsiderueshme prej PS-së. Sa për partitë e vogla, mjafton të kujtohet se nëse Lulzim Basha është ulur sot në zyrën e tij të kryebashkiakut, kjo u detyrohet edhe votave të njërës prej gjashtë partive komuniste që u shpërfill nga PS-ja një vit e gjysmë më parë.
Nuk ka mbetur shumë kohë për t’i dhënë formë koalicionit me të cilin opozita do të kërkojë të përmbushë rotacionin e pushtetit më 23 qershor. Nëse opozita kryesore, Partia Socialiste, nuk dëshiron që siglat politike të bien nën “tundimin” e kalimit nën çadrën e qeverisë (diçka më se e pritshme, kur sheh atë që ka ndodhur në të shkuarën), bën mirë të krijojë shpejt dhe pa ngurruar një strategji të qartë negociatash, afrimi e bashkëpunimi elektoral me të gjitha ato parti që dëshirojnë rotacionin politik më 23 qershor. Nuk kemi të drejtë të paragjykojmë që tani se ky proces nuk ekziston, por ama nuk po shohim as ndonjë provë konkrete për të kundërtën.
Top Channel