Të papunët në Kosovë e nisin vitin e ri 2013 pa asnjë fije shprese, përkundrazi lufta e tyre për mbijetesë duket se po bëhet çdo ditë më e vështirë.
Udhëkryqet rrugore, që lidhin Prishtinën me qendrat e tjera kosovare, çdo ditë i gjejmë të mbushura me punëkërkues, të cilët u takojnë grupmoshave të ndryshme.
Ata janë të rinj, por dhe pensionistë të varfër, dhe fakti që ndonjëri nga ata mund të ketë pasur drejtim tjetër në jetë nuk ka rëndësi, puna e krahut mbetet e vetmja zgjidhje për të mbajtur familjet.
“Unë jam pensionist, punoj për 2 euro, gjithë ditën vij vërdallë. Keq janë punët. Unë po çuditem me parlamentin e qeverinë. Vet i shtati jam, dy me fakultet po rrinë në shtëpi, si merr kush në punë”, tha Ilaz Bajra, pensionist.
Shuma maksimale që fitojnë në një ditë është dhjetë euro, por kjo ndodh më shumë gjatë sezonit të verës, atëherë kur kërkesa për punëtorë krahu është më e madhe, ndërsa sot, në ditë dimri, punëtorët tregojnë se për tri javë të tëra nuk kanë mundur të sigurojnë as edhe një cent.
Të dhënat zyrtare të qeverisë së Kosovës tregojnë se vetëm në vitin 2012 janë regjistruar rreth 20 mijë e 500 punëkërkues të rinj. Zyrtarët e Ministrisë së Punës thonë se 7 mijë prej tyre janë punësuar vetëm nëpërmjet projekteve të ndryshme.
Por, punëkërkuesit që takojmë në rrugë paraqesin anën tjetër të gjithë kësaj situate. Ndonëse refuzon të dalë me fytyrë para kameras, një i ri tregon se nuk është thirrur asnjëherë nga qendra e punësimit, në të cilën është regjistruar para 5 vitesh.
“Përveç numrit të lartë të të papunëve, një sfidë tjetër për institucionet e Kosovës është numri i madh i familjeve, të cilat kërkojnë asistencë sociale. Aktualisht janë rreth 31 mijë familje, të cilët marrin çdo muaj parà nga buxheti i shtetit, nga 40 deri në 80 euro në muaj. Qeveria këtë vit ka larguar rreth 3 mijë familje nga skema sociale, sepse ka evidentuar se nuk i plotësojnë kriteret. Në raste të tilla, një familje largohet nga skema sociale edhe kur një anëtar i familjes punësohet për vetëm dy ose katër ditë” u shpreh Behgjet Gaxhiqi, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqënies sociale.
“Unë dhe ky kemi çuar dëshmitë, që nuk jemi duke punuar. Tani pritet brenda dy muajve të kthejnë përgjigje, mirëpo tani për tani jemi të larguar nga skema e asistencës sociale, sepse kemi punuar një ditë ose dy”.
“Një nga faktorët, për të cilin njohësit e ekonomisë kanë tërhequr vërejtje gjatë vitit 2012 është papunësia dhe mungesa e zhvillimit ekonomik, që shuan shpresat e rinisë kosovarë për të ardhmen. Ndaj edhe tendenca për të braktisur vendin po shtohet. Një gjë kjo, që mund të ketë pasoja në rrugën e Kosovës drejt BE-së, veçanërisht në liberalizimin e vizave”, shtoi Behgjet Gaxhiqi.
Top Channel