Partia Socialiste dhe Rilindja e Sportit

08/01/2013 19:05

Partia Socialiste organizoi një tryezë për sportin ku shpalosi draft-programin e saj për Rilindjen e sportit shqiptar.

Deputeti socialist Fidel Ylli theksoi se ka ardhur koha “të kthejmë vëmendjen e politikës tek sporti”.

“Sporti për ne është edukim dhe zhvillim, gjithashtu është një mënyrë për të ulur shpenzimet në shëndetësi.Kosova e ka katër herë më të madh se ne buxhetin për sportin. Nuk duhet të pranojmë më realitetin e sportit shqiptar që po rënkon. Sporti nuk është vetëm çështje parash. Duhet mbështetja e të gjithëve që ai të lulëzojë”, u shpreh Ylli.
            
Në lidhje me kampionatin mbarëkombëtar të sugjeruar nga kryeministri Sali Berisha, Ylli theksoi: “Kampionati mbarëkombëtar është një shashkë që qeveria në ikje hedh në mënyrë që të tërheqë vëmendjen e shqiptarëve me gjëra të pamundura për tu realizuar sepse FIFA dhe UEFA kanë rregullat e tyre që nuk mund të thyhen.”

Më tej, Fidel Ylli sqaroi se si Partia Socialiste do të kthejë sportin në nivelet e duhura: “Situata infrastrukturore është dramatike në kryeqytet. Ne kemi një strategji që së bashku me pushtetin lokal të rikthejmë terrenet sportive. Palestrat dhe fushat e shkollave duhen rikthyer në eficencë. Është e papranueshme se si është lejuar shkatërrimi i klubeve si Partizani dhe Dinamo për të ndërtuar pallate. Sporti pa politikë nuk bëhet dot. PS ka marrë vendim politik për sportin, kryesia e PS-së do të kthejë vëmendjen nga sporti. Shqipëria duhe të vazhdojë të nxjerrë kampionë në sportet individuale sepse i ka nxjerrë që në vitet ’20.”

Top Channel