Një trafikant do të jetë bërë për të vrarë veten diku në planet, pasi një gabim në adresën me të cilën dërgoi disa kuti kartoni dorazi, bëri që 140 kilogramë kokainë të përfundonin gabimisht në duart e policisë.
Në të vërtetë, malli me vlerë tregu prej 6 milionë eurosh, i ishte dërguar gabimisht një supermarketi në Berlin.
E ndarë në pesë kuti, droga mbërriti në supermarket e maskuar me ambalazhim frutash.
Pasi stafi i supermarketit zbuloi përbajtjen e dyshuar të arkave, ai njoftoi pronarin, i cili nga ana e tij dorëzoi në polici kokainën e pastër.
Besohet se droga ishte nisur me kontenier nga Kolumbia dhe se kishte mbërritur disa ditë më parë në portin e Hamburgut.
Më pas, malli i ishte dorëzuar, me shumë gjasa një korrieri, i cili e kishte lënë në vendin ku ishte shënuar adresa e gabuar, tek supermarketi në fjalë.
Një drejtues i policisë gjermane, në një prononcim për media, shprehu habinë e tij që zbulimi më i madh në disa vjet i një sasie kokaine në Berlin, u bë në këtë formë fare të papritur.
Top Channel