
Siç edhe kishte premtuar në deklaratën e fundit më 24 Dhjetor, deputeti
Taulant Balla i është rikthyer kërkesave në emër të opozitës, për
transparencë të pasurive të Kryeministrit Sali Berisha dhe fëmijëve të
tij.
“Përfshirja së fundmi e fëmijëve të kryeministrit në prodhimin e baltës antiopozitare për llogari të babit, na shton edhe më shumë bindjen se punët e shtëpisë dhe punët e Qeverisë për Sali Berishen janë një”, tha deputeti Balla në fillim të deklaratës.
“Si të gjithë të korruptuarit e mëdhenj në krye të një pushteti të diskredituar, edhe Saliu s’gjen dot rrugë më të denjë për të ikur përvecse duke hedhur baltë sa të mundet. Origjinaliteti i Saliut është se ka futur edhe fëmijët tani në punë kundër opozitës. Sepse nuk i mjafton foltorja e PD për t’i diktuar asaj vajzës së botës përditë me telefon sharjet kundër opozitës, po tani ka ngritur nga një zyrë shtypi edhe në shtëpinë e vajzës edhe në vilën e djalit”, u shpreh Balla.
Pavarësisht disa reagimeve të Shkëlzen dhe Argita Berishës, për deputetin Balla pyetjet e opozitës për transparencë të pasurive të tyre mbetet pa përgjigje.
“Kush e ka paguar Argita Berishën për mësuesi me rrogat e honoraret që ajo pretendon, të cilat kalojnë imagjinatën e cdo mësuesi, pedagogu dhe shkencëtari në Shqipëri? E dyta, kush janë bizneset që kanë përfituar nga aftesitë profesionale të Shkëlzen Berishës si ndërmjetës apo shqip sekser, dhe që e kanë paguar për shërbimet e tij me shuma që kalojnë imagjinatën e cdo shqiptari që nuk ka vetë një biznes të madh? Dy pyetje që duan dy përgjigje dhe jo dy çarçafë plot baltë nga shtëpia e vajzës dhe djalit të Kryeministrit në adresë të opozitës”, tha Balla.
Fëmijët e Berishës: Rama të sqarojë pasurinë e tij
Fëmijët e kryeministrit Berisha, Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha i janë përgjigjur sërish akuzave të PS ndaj tyre, duke akuzuar edhe ata kryetarin e PS për fshehje të pasurisë.
Përmes një deklarate për shtyp, ata kanë akuzuar zotin Edi Rama dhe bashkëshorten e tij se nuk kanë deklaruar një pasuri prej 100 milionë lekësh, që sipas tyre u janë dhënë pa interesa. Ja dhe deklarata e fëmijëve të kryeministrit:
“Edi Rama sot zgjodhi përsëri të akuzojë pa fakte, në vend që të përgjigjet. Ai zgjodhi të vazhdojë shpifjen në vend që të thotë të vërtetën.
Në ndryshim nga bashkëshortja jote, që është shqiptarja e vetme që merr dhurata në formë huaje pa interes prej 100 milionë lekësh të thata në dorë dhe jashtë rrugëve bankare, ne çdo fitim tonin e kemi jo dhuratë, por nga puna jonë. Jo të falur nga njerëz të njohur apo anonimë, por të fituar nga puna me subjekte të liçencuara.
Në ndryshim nga bashkëshortja jote, zoti Rama, çdo qindarkë të fituar e kemi të xhiruar në rrugë bankare, të tatuar nga organet tatimore dhe të deklaruar në ILDKP. Por problemi juaj zoti Rama është se ju njihni vetëm institucionin e shpifjes.
Pyetjeve që ju na drejtoni i jemi përgjigjur në mënyrë konstante prej 7 vjetësh, aty ku na e kërkon ligji, në ILDKP dhe është po ky institucion që pasi ka verifikuar burimet e fitimeve tona ka lëshuar një deklaratë publike që çertifikon korrektësinë e tyre në raport me ligjin dhe konfliktin e interesit. Për të gjitha shpifjet, zëdhënësi yt i paguar pengohet nga ti për t’u paraqitur para trupit gjykues.
Së fundmi zoti Rama, po përsërisim për ju një pyetje që as ju dhe as bashkëshortja juaj nuk i jeni përgjigjur as në deklarimin tuaj në ILDKP dhe as për publikun:
Kush është bujari që i ka dhuruar bashkëshortes tuaj 100 milionë lekë pa interes? Si ka mundësi që këto para janë dhënë në dorë, zoti Rama dhe jo në rrugë bankare? Ku i mbani ju dhe bashkëshortja juaj këto para, zoti Rama, përderisa ato nuk figurojnë në llogaritë tuaja bankare?”.
PD akuza Ramës për Barjabën
Nga krahu tjetër, zëdhënësja për shtyp në Partinë Demokratike ka vijuar akuzat ndaj kryesocialistit përsa i përket çështjes Barjaba.
“PD u deklaron shqiptarëve se pas mbrojtjes së Brajabës nga Edi Rama fshihen lidhjet familjare të tij me Barjabën dhe frika e tmerrshme nga deponimi i këtij të fundit para drejtësisë amerikane për këto lidhje, për vlerën e vërtetë të pallateve dhe vilave të çiftit Rama dhe kupolës socialiste, si dhe për kreditë e dhëna jo në rrugë bankare ga xhymertët anonimë të Edi Ramës”, ka deklaruar Laura Vorpsi.
Top Channel