Andrea Stefani – Me krizën ekonomike në thellim, korrupsionin deri edhe
familjar, si dhe me dështimin për të tretën herë që Shqipëria të marrë
statusin e kandidatit, Kryeministri Sali Berisha do ta kish pasur
thuajse të pamundur të kërkonte e jo më të fitonte në mandat të tretë në
zgjedhjet e ardhshme.
Por befas, si jo pak herë në këta 23 vjet të karrierës së tij, goma e shpëtimit nga mbytja i vjen prej Perëndimit, pikërisht prej asaj bote që Berisha gjakon ta mbajë sa më larg Shqipërisë. Në çfarë interesash, korrupsionesh apo gjeostrategjish i ka rrënjët kjo tendencë europiane, aspak e re, për t’i dalë në krah autokratit në momentet më fatale për të?
***
Në tetor të vitit që sapo lamë pas, Komisioni Europian (KE) doli me një deklaratë që pretendonte të vlerësonte progresin e bërë nga Shqipëria në përmbushjen e 12 prioriteteve të vëna nga Komisioni në opinionin e tij të vitit 2010. E befta qëndron në faktin se pavarësisht prapambetjes spektakolare të Shqipërisë në këtë rrafsh, komisioni vlerësonte se ajo kish bërë një “progres të mirë drejt përmbushjes së kritereve politike për anëtarësim në BE”. Njëherazi komisioni vlerësonte që Shqipërisë t’i jepej statusi i kandidatit, pasi të plotësonte disa masa kyçe në rrafshin e reformës në drejtësi dhe atë të administratës, si dhe rishikimin e rregullave dhe proceduarave të Parlamentit. Në deklaratë nënvizohej edhe se komisioni do vlerësonte edhe përpjekjet e mëtejshme të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
***
Ndërsa është e vështirë të zbulosh shkaqet e këtij vlerësimi, është pothuaj evidente se ai pikturon me ngjyra të trëndafilta situatën politike dhe të demokracisë në Shqipëri. Një inventar i 12 prioriteteve të bën të kuptosh se Shqipëria nuk ka bërë aspak një “progres të mirë” dhe reformat që sillen si argument për këtë progres janë plot boshllëqe dhe tepër konvencionale për të qenë arritje substanciale. Dhe ende pa u shuar jehona e deklaratës së tetorit shumë nga këto “arritje” nisën të shfaqin probleme. Konsensusi i arritur lidhur me zgjedhjen e Avokatit të Popullit (në fakt i toleruar nga Berisha për të gabuar ndërkombëtarët), u tret si kripa në ujë dhe nuk u shfaq te çështje më thelbësore për sistemin, si ato për zgjedhjen e Presidentit apo Kryeprokurorit. Dialogu parlamentar degradoi në shfaqje të paturpshme të tiranisë së shumicës ndërsa ditët e fundit, po shohim se reforma dhe Kodi Zgjedhor nuk i ka shmangur konfliktet. Për të mos folur pastaj për daljen në publik të fakteve që dëshmojnë se korrupsioni dhe fitimet e paligjshme janë bërë pjesë organike deri edhe vetë familjes së Kryeministrit, fakte që dëshmojnë për një tolerancë maksimale të qeverisë ndaj korrupsionit.
***
Por megjithëse dështimet janë spektakolare, Kryeministri Berisha përgatitet të hyjë në zgjedhjet që afrojnë me sloganin e “shembjes së murit të bllokimit”. Slogan që ia ka bërë të mundur pikërisht deklarata e tetorit e KE-së që, krejt ndarazi nga bilanci katastrofik i 12 prioriteteve, impononte vetëm 3 kushte për marrjen nga Shqipëria të statusit kandidat dhe konkretisht, miratimin e dy ligjeve dhe të rishikimit të rregullores së Parlamentit. Një thjeshtëzim i standardeve që lehtësonte Berishën dhe vinte në pozitë të vështirë opozitën. Praktikisht, opozita u ndodh në grackë! Sepse votimi i 3 kushteve “magjike”, jo vetëm nuk do sillte asnjë përmirësim të situatës së demokracisë dhe lirisë, por do t’i jepte mundësi autokratit dhe antieuropianit Berisha, të përmirësonte bilancin katastrofik të integrimit duke hyrë në zgjedhje me arritjen e statusit të kandidatit “sukses” që, si edhe në rastin e pranimit në NATO, as kishte ndërmend ta ndante me opozitën. Nga ana tjetër, mosvotimi do të sillte, sikundër edhe po ndodh, ngritjen e akuzave kundër opozitës se po bllokon integrimin. Kështu, artifici i 3 kushteve, ka bërë që Berisha, kryebllokuesi 23-vjeçar i integrimit të Shqipërisë në Europë për shkak të autokratizmit patologjik dhe korrupsionit të panginjshëm, të akuzojë kundërshtarët dhe opozitën për bllokues të integrimit! Por më mirë të akuzohesh për antieuropian nga një antieuropian, sesa të kontribuosh me votën tënde që autokrati të shitet si europiandashës, që Berisha që dhunon ligjin dhe vendimet e gjykatave, si në rastin e Fierit, të shitet si partizan i shtetit ligjor, që ai që saboton reformat integruese të shitet sikur po punon për integrimin. Opozita u orientua drejt!
***
Nuk mund të mos vëresh që sugjerimi i KE-së për dhënien e statusit Shqipërisë me plotësimin e vetëm 3 kushteve, të ngjason me emulacionin e dikurshëm socialist që, në disa raste, nuk bazohej te merita, por përdorej për t’i nxitur të punonin punëtorët më të prapambetur. Por ajo që nuk kuptojnë, ose bëjnë sikur nuk kuptojnë disa ndërkombëtarë në Tiranë dhe Bruksel, është se nuk ka asnjë emulacion që mund ta kandisë Berishën të punojë për integrimin pra, shtetin ligjor, drejtësinë e pavarur dhe luftën kundër korrupsionit. Tashmë me Europën atë e ndan jo vetëm autokratizmi, por edhe korrupsioni galopant pra, edhe nevoja për ruajtjen e statusit të pandëshkueshmërisë. Po përse nuk duan ta kuptojnë? Mos vallë nuk kanë mjaftuar 23 vjet për të rrokur natyrën e këtij politikani që nuk ka të nginjur me pushtet? Tashmë po forcohen zërat se një pjesë e ndërkombëtarëve në Tiranë, dhe jo vetëm këtu, janë korruptuar nga pushteti. Skënder Gjinushi, kreu i socialdemokratëve, ankohej ca ditë më parë për ekzistencën e ca diplomatëve të BE-së që bëjnë sekserin në favor të Kryeministrit. I pari nga i cili kërkohet shpjegim për këtë akuzë, nuk mund të mos jetë ambasadori i BE-së, Etore Sequi, për të mos folur për atë të OSBE-së, Eugen ëolfarth, që përflitet gjerësisht jo vetëm në opinionin dhe në median vendase, por edhe në vëzhgime ndërkombëtare, si mbështetës i qeverisë. Përse ca ambasadorë këmbëngulin ta mbështesin një politikan si Berisha, të këtij lideri plak të mbetur që nga koha e rënies së Murit të Berlinit? Përfitime personale? Vlerësime gjeostrategjike për stabilitetin në vend dhe rajon? Apo ndjekja e qëllimeve të ngushta të shteteve nga ata vijnë? Një vëzhgim i kohëve të fundit mbi rolin e ndërkombëtarëve në Shqipëri i kohëve të fundit, i tri qendrave të huaja studimore, konstaton se “Është një sfidë për ambasadorin e BE në Tiranë, Komisionin Europian dhe Aksionin e Shërbimit të Jashtëm Europian të gjejnë baraspeshimin mes interesave respektive të interesave kombëtare të shteteve anëtare të BE dhe vlerave e prioriteteve të BE”. Vëzhgimi në fjalë, nënvizon edhe se disa “OJQ shqiptare flasin për një lloj ndarje Veri-Jug ku shtetet jugore (Italia, Greqia, Franca) vendosin interesat ekonomike përpara, ndërsa vendet e veriut përpiqen të promovojnë vlera”. Konkluzion që nuk mund të mos të sjellë ndër mend gjenerozitetin “nacionalist” të Berishës për importimin e plehrave nga Italia, faljen e ujërave të detit Greqisë apo blerjen e helikopterëve nga Franca. Gjithashtu, nuk mund të konstatosh se vetëm ambasadorë nga vende si Danimarka kanë folur troç për gjendjen kritike të demokracisë në Shqipëri apo se, së fundi, vetëm Holanda dhe Gjermania u dëgjuan të formulojnë qartë se votimi i 2 ligjeve dhe të një rregulloreje, janë krejtësisht të pamjaftueshme për marrjen e statusit të kandidatit. Ndërkaq, ambasadorë të tjerë, që ngurrojnë të denoncojnë “mbretin lakuriq”, janë të parët që, ndoshta duke vënë interesat e ngushta të shteteve të tyre mbi ato të demokracisë në Shqipëri, dëgjohen më shumë t’i thonë opozitës shqiptare të vërë interesin e kombit mbi atë të partisë. Që, në fund të fundit, do të thotë të mos i rezistojë autokratizmit berishist. Por sa do qe kjo në interes të demokracisë pra edhe të Shqipërisë?
Top Channel