Ronaldo shpëton “Mou”-n. Barça, “poker” në derbi

06/01/2013 21:05

Spektakël dhe emocione në ndeshjen e parë të Real Madrid për vitin 2013.

Skuadra e Mourinho-s ka triumfuar, por jo pa vështirësi, ndaj Real Sociedad, duke dhuruar në “Bernabeu” një 90-minutësh plot me befasi, që në fund ka përfunduar 4-3 për “Los Blancos”.

Benzema shënon që në minutën e 2-të, por në të 5-tën, Adan ndëshkohet me të kuq dhe Prieto barazon nga pika e bardhë e 11-metërshit. Ka qenë sërish Prieto, ai që i është përgjigjur menjëherë golit të Khedira-s, përpara se skuadrat t’i drejtoheshin dhomave të zhveshjes.

Në pjesën e dytë, është kompletuar tripleta e sulmuesit të Sociedad, por më parë janë shënuar 2 gola nga portugezi Cristiano Ronaldo, i cili i jep 3 pikë Real Madrid dhe shpëton Mourinho-n nga telashet e reja.

Gjithçka e thjeshtë për Barcelona-n, e cila shpartallon 4-0 Espanyol-in, në derbin e Katalunjës.

Për “blaugrana”-t, të cilët vazhdojnë “arratisjen” në krye të klasifikimit, në distancë të konsiderueshme nga ndjekësit, kanë shënuar Xavi, Pedro Rodriguez (dopietë) dhe Lionel Messi, me 11-metërsh.

Top Channel