Misteri i zhdukjes së fëmijës

06/01/2013 00:00

Informacioni i pakët për zhdukjen e 10-vjeçarit Julian Cela që në 30 nëntor të vitit të kaluar, ka detyruar policinë e kryeqytetit t’ia kalojë për kompetencë Krimeve të Rënda, duke qenë se edhe pas më shumë se afro 38 ditësh nuk ka arritur dot të gjejë gjurmë të tij.

Por policia e kryeqytetit prapë këmbëngul në faktin se ai nuk u rrëmbye për shkak edhe të provave të pakta të mbledhura në terren. Autoritetet policore janë të bindur se 10-vjeçari nuk është në Shqipëri, por jashtë kufijve të saj.

Pavarësisht se denoncimi i humbjes së fëmijës u bë me vonesë, prej katër javësh kërkime nuk rezulton të jetë në ndonjë prej qyteteve shqiptare dhe bashkëpunëtorët e policisë nuk kanë siguruar dot asnjë të dhënë.

Sipas policisë, nuk ka asnjë informacion që të çojë në idenë e rrëmbimit për shkak të detyrës së të atit, nëndrejtor i Antiterrorit të SHISH, Skënder Çela, pasi ky i fundit nuk ka marrë asnjë kërcënim apo telefonatë për zhdukjen e tij. Fakti i dytë për të cilën policia dyshon për largimin jashtë kufijve të minorenit, është fakti se edhe pse një shifër e madhe të hollash e vënë në dispozicion për atë që do të jepte një informacion të vogël, nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

Policia që ditën e parë ka hedhur dyshimin e rekrutimit për tu përdorur si vjedhës, jashtë kufijve të Shqipërisë, por një gjë e tillë nuk është pranuar nga familja që e ka lidhur gjithmonë me detyrën e të atit.

Fotoja e minorenit është shpërndarë në shtetet fqinje dhe është vënë nga Interopoli në kërkim ndërkombëtar.

Top Channel