Milan, pavarësisht drithërimave në fund të takimit, e nis me një fitore vitin e ri 2013. Në “San Siro”, kuqezinjtë nënshtrojnë Siena-n 2-1.
Pjesa e parë shfaqi një El Shaarawy të luhatur, si rrallë herë, por ndeshja ndryshon “fytyrë” në pjesën e dytë, falë aktivizimit në fushë të Bojan Krkiç. Katalanasi zhbllokon rezultatin në minutën e 67-të, ndërsa Pazzini transformon një 11-metërsh në të 79-ën, të fituar nga vet ai.
Nuk mjafton goli i Paolucci-t, kur kishin mbetur edhe 3 minuta nga fundi i takimit.
Nis me një surprizë viti 2013 për Juventus, por negative, pasi Sampdoria shtang të pranishmit në “Juventus Stadium”, duke fituar papritur 1-2. E papritur, sepse ishin bardhezinjtë, ata që kaluan të parët në avantazh, pas penalltisë së ekzekutuar nga Giovinco në të 24-tën.
Vetëm pak minuta më pas vjen kartoni i dytë i verdhë për Berardi dhe, atëherë kur dukej gjithçka më e lehtë, “blucerchiati”-t kanë përmbysur tej parashikimeve rezultatin, falë dopietës së Icardi-t, në minutat 57 dhe 69.
Napoli ka gjunjëzuar Romën në ndeshjen e mbrëmjes me rezultatin 4-1. Kavani është heroi i napolitanëve dhe autori i të tre golave, ndërkohë Maxho në shtesë vulosi shifrat në 4-1. Gola që vlejnë sa vendi i tretë në Serinë A, ndërsa golin e vetëm dhe të nderit për Romën e shënoi Osvaldo.
Pescara shënoi surprizën e dytë të kësaj jave, në “Artemio Franchi”, duke u rikthyer në shtëpi me 3 pikë tepër të vlefshme. Në javën e 19-të të Serie A, nën vëzhgimin edhe të Giuseppe Rossi-t, i sapoblerë por në tribunë, Fiorentina dominon për një kohë të gjatë ndeshjen, por gjen përballë një portier tepër në formë si Perin, i cili priti të gjitha tentativat e ekipit “viola”.
Pescara falënderon portierin e saj dhe i gëzohet golave të shënuar me anë të Jonathas e Celik, respektivisht në minutat 57’ dhe 91’.
Pas dy barazimeve radhazi, kundër Torino-s dhe Inter-it, Genoa arrin të gjejë më në fund suksesin e munguar që prej 25 nëntorit, duke u ngjitur në klasifikim jashtë zonës së rënies nga kategoria.
Ai që vendos ndeshjen ndaj Bologna-s është Marco Borriello, i cili shënon një dopietë në të 57-ën dhe 72-ën.
Fiton në sekondat e fundit edhe Parma, e treta radhazi, duke shënuar edhe një rekord deri më tani: është e vetmja skuadër e pamposhtur në fushën e saj.
Pas pjesës së parë të mirë nga Palermo, është pikërisht skuadra e Donadonit që gjen golin e avantazhit, në të 63-ën me Belfodil. Por, në fund ndodh gjithçka: Budan futet në fushë dhe barazon 5 minuta nga fundi, pas një pozicioni të dyshimtë.
1-1 do të kishte qenë rezultati më i drejtë, por në minutën e 3-të shtesë, Benussi nuk arrin të ndalë gjuajtjen e Amauri-t.
Edhe Chievo fiton, duke mposhtur 1-0 Atalanta-n dhe duke u ngjitur në klasifikim. Në “Bentegodi” vendos goli i Cofie, në të 37-ën, i cili goditi fluturimthi një krosim të Thereau.
Top Channel