Grip & Politikë 2014

05/01/2013 00:00

Artur LAZEBEU – Dyhapësh, në mundsh! Fundvitin politik e mbyllëm me sytë te statusi dhe vazhdimësia e më të mirës së 100 ditëve të para, për të dytat, të tretat…

Ashtu fillon edhe 2014-a, me porosinë për “vazhdimësinë e reformave antikorrupsion, strategjive në gjyqësor, legjislacionit, si dhe të prirjes së prokurorisë për hetime proaktive”. Prirje, jo shifra. Shifrat mblidhen/zbriten, prirja lexohet/perceptohet. Teorikisht ka edhe “qasje me dy hapa, alias status e negociata”. Gishtërinjtë kryq! “Nëse jeni të gatshëm, ju fusim me procedurë të përshpejtuar”, pohoi zj. Merkel. Mjaft të jemi gati, gati dhe në gjendje. Duhen të dyja, edhe gjendja edhe gatishmëria. Si gjithmonë paguajmë koston e minutës së fundit dhe sekonda duket orë. Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia… Troç, e njohim veten sa na njohin të tjerët, miq e armiq bashkë? Kemi pretenduar, por jo dëshmuar, se miqtë i kemi dashur më shumë se veten. As ata, ne! Armiqtë, jo e jo! Përralla për punën e fesë islame ishte një cinizëm fluturues, që nuk e besojnë as ata që e kanë stisur, qoftë edhe bazuar në ndonjë “raport hije” që ka broçkollisur për vetulla, pa llogaritur sytë. Bashkëjetesa dhe toleranca fetare janë gati-gati një fakt antropologjik, i çmuar botërisht si medaljoni ynë unik, qoftë edhe mitik, si popull dhe politikë. Ka edhe më! Me veton ngrehur, akuzën shkrehur, Kryeministri çek nuk na e kurseu etiketën si “vend trafikantësh”. Nuk na ngrohu as z. Vuljaniç, ai që në rastin e armëve siriane foli për “para të madhe në lojë” ndër ne dhe amerikanë, shqip sa s’ta nxë goja: “korrupsion ndërshtetëror”! Këtu na tregoi vendin te “bishti i kavallit”, aty na komplementoi “për maturi politike”, pa dëshmuar këllqe se na zhvendos poshtë/lart “bishtit të kavallit”, vrimave të flautit europian. Transaksion ballkanik, këtu puthemi, këtu kafshohemi! Priremi drejt kohezionit dhe konvergjencës rajonale. Metodologji europiane, kjo qasje është jetike për vende si i yni, pavarësisht se konvergjencën do ta donim me të mëdhenjtë. Por, “mikun më të mirë se veten”, dimë ta zgjedhim jo vetëm ne, kësisoj ta mbajmë fort atë që kemi përtej deteve! Imperativ është vetëvështrimi, “organizimi i kaosit të brendshëm”, amanet prej Branko Merxhanit, ose “Europën brenda vetes”, bereqet prej Edi Ramës. Ribalancimi i jetës institucionale dhe mirëfunksionimit të administratës mbetet sfidë gjithëpërfshirëse, mundësuar nga vota agregate e 23 qershorit. Reformat janë e kanë për të qenë mision i përhershëm i qeverisjeve, pavarësisht ngjyrave. Administrata dhe ekonomia kurohen për t’u mbijetuar operacioneve të sistemit, reformave integruese.

Grip & opozitë

I keni dëgjuar fushatat për vaksinim antigripal? Njerëzia vaksinohet për të rritur rezistencën dhe parandaluar kaplimin. Megjithatë, gripi zë pa kursyer, sepse virozat janë gjithfarëshe, ndërsa vaksinat nuk janë të tilla. Virozat për të gjithë nuk ndikojnë te të gjithë, për faktin e thjeshtë se nuk jemi të njëjtë. Ngjashëm ndodh edhe me korrupsionin endemik ndër ne, shtetas e shtetarë me deficit imunitar, shëndetligj ende të pakualifikueshëm për garë. Do kish bërë shumë kuptim fjala “shëndetligj”, nisur thjesht nga veshja tingëllore “shëndet plus ligj”! Ja që s’është kështu. Antikorrupsioni është shkak dhe pasojë e antikorpeve ndaj deficitit të kapitalit social. Pa këtë, flasim kot për reforma në sistem. Pa këtë, nuk vlejnë as meritokratët, as aleatët, as magjistratët. Optimistët e kërkojnë suksesin qysh te hapat e parë të ndryshimit. Ndryshimi ishte projekti i mbivotuar karshi stanjacionit dhe arrogancës. Konkretisht, abuzimi me tenderët është ndër shkeljet më arrogante që mund të kryejë një zyrtar, pas të cilit qëndron e padeklaruar një pasuri ose konflikt interesi. Strukturat ligjzbatuese normalisht shkaktojnë goditje. Besimi krijohet kur ndodh kundërgoditja, përplasja mes shtetit dhe antishtetit. Kaq mjafton për të mirëkuptuar, jo si Kasandra parashikimet e njësisë së zbulimit të “The Economist”, për “trazira të mundshme sociale”. Këto janë pritshmëritë normale të reformave, sidomos atyre radikale. Këto janë edhe ujërat e një opozite radikale. Mos ngelshim pa to! Dhimbja është shenja e parë e shërimit të një organizmi komatoz, bërë dru nga indiferenca deri më sot e një shteti të kapur, qytetari të kapur, komuniteti të kapur. Në këtë limbo mëkatarësh radikalë, lektisim për dyshimin e arsyeshëm, objektivin e vagullt: antikorrupsioni të godasë ligjërisht, pa diskriminim!

E rrah, por druaj se më rreh!

Kemi dëgjuar nëpër të ndonjë “ftesë” për dorëheqje kryeministrore. “Ik ti se të kam inat, je si minë me sahat!” Futja kot! Dorëheqja e një kryeministri, sigurisht që nuk është as fundi i botës, as i qeverisjes, sidomos kur aleanca Rama-Meta mëton të konsumojë jo vetëm një mandat. Marrëveshja e ngjizur nga ati, biri dhe shpirti i “Zojës së Shkodrës” funksionon “e papërlyeme”, pa qenë determinizëm, aq më pak fatalitet. Shëndeti mbi të gjitha, qoftë dhe një përfshirje e Shqipërisë në “hartën e vendeve malarike”, do të komplikonte shumë gjëra dhe jo vetëm në fushë të shëndetësisë. Nga ana tjetër, teorikisht dhe praktikisht, një kryeministër e ka luksin të sfidojë edhe vetë me zgjedhje të reja, nëse ia do puna, qoftë si diversion, qoftë si mjet efikas për të riafirmuar kohezionin motorik brenda të vetëve. “Bujrëm po ta mbajti!” Lexim: opozita – e gatshme, por jo në gjendje për të kushtëzuar, sa pa tretur humbjen; pozita – edhe e gatshme, edhe në gjendje për të sfiduar me reforma, sa pa shijuar fitoren. “Unë e rrah, por kam frikë se më rreh!” Demokracia ka grackat e veta, kur antikorrupsioni funksionon si drejtësi në veprim dhe prapaveprim, me hetim shterues, të gjithanshëm, pa diskriminim. Le të presim e të shikojmë përtej dhe jo vetëm për hir të qershorit! Kujdes! Procedimi pa ndëshkim rrezikon t’i imunizojë të korruptuarit, njëlloj si vaksina që na injekton virus të shkalafitur. “Prapa hekurave” le të mbeten ose të korruptuarit, ose prokurorët dhe gjyqtarët që drejtësinë e negociojnë! Medalja ka edhe anën tjetër. Sa të motivuar janë prokurorët për hetim të gjithanshëm e të paanshëm? Sa të motivuar janë gjyqtarët për të arsyetuar katërcipërisht vendimin? Nuk mjafton që vetëm t’i kritikojmë dhe përditësojmë me forcën e opinionit publik, madje këtë e meriton më shumë politika që ka tagrin të sigurojë garancitë dhe përgjegjësitë ligjore, proporcionale për ndryshimin e një realiteti matrioshkash korrupsioni. “Global Financial Integrity” konstaton zyrtarisht 1 miliard euro të “avulluara” nga Shqipëria për 10 vjet. Ndër të tjerë, ILDKP-ja është një institucion shumë i rëndësishëm për të hetuar dhe dërguar në prokurori konfliktet e interesit, pasuritë informale të pajustifikuara e të padeklaruara të zyrtarëve. Emrat, veprat dhe letrat janë aty. Prokuroria dhe gjykata pritet ose të legalizojnë, ose të konfiskojnë pronën dhe pasurinë informale. Gjysma e së keqes, nëse edhe me “përzgjedhje”, antikorrupsioni do të godiste ata që e kanë hak, pa u fshehur pas politikës. Sado që “Duart e pastra” të Di Pietros u përfolën për njëanshmëri, ato ishin sukses, jo dështim. Dhimbja e të korruptuarve do të reagojë, ndërsa kundërgoditja do të jetë jo fundi, por fillimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe mafies. Beteja antikorrupsion është e kushtueshme dhe objektivi lëviz. A mund të bëjmë një kauzë antikorrupsion si komunitet? Sa jemi të gatshëm të paguajmë kosto politike, kur drapri t’i vijë edhe arës sonë? Kategorinë e “të penduarve” e ofron drejtësia dhe feja. Politika predikon pa njohur pendesë, për pasojë, as edhe “të penduar”. Këta s’e kanë problem të ndërrojnë kamp, duke pretenduar “vullnet politik”. Ndërkaq, opinioni publik do të vazhdojë të përcjellë titujt dhe reagimet mediatike, që pa lerë dielli, përmes qytetarit, gazetarit, pse jo, edhe misionarit Bashkim Hoxha e kolegëve të tij, duke bashkëndier pacientin që nuk paguan dot mjekun, të burgosurin që nuk paguan dot avokatin, pensionistin që nuk paguan dot dritat, minatorin e nëntokës së pasur në mbitokën me pronarë pa pronë. Me këmbë në tokë, shumica pritet t’i besojë qeverisë dhe shkartisjeve të saj eventuale “mbi bazë të performancës”, për t‘u vlerësuar këtu, në Bruksel e përtej, ku na ulin/ngrenë traun. I brishtë ky vit me grip e politikë 2014. Sidoqoftë, pa adresë: Gëzuar!

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA