Artan Lame – Para disa ditësh u miratua në Këshillin Bashkiak, Plani i
ri Rregullues i Tiranës. Plan e ka emrin paçka se vetëm plan nuk ka
brenda tij, por le t’ia lëmë ditëve në vijim debatet rreth tij.
Atë pasdite që në Këshill debatohej rreth Planit, u gozhdova për disa orë rresht para ekranit, duke ndjekur diskutimet direkt. Meqenëse dy ditë më parë u ishte shpërndarë materiali këshilltarëve, e kisha marrë prej tyre dhe e kisha lexuar, ndaj, tashmë që i dëgjoja tek flisnin, isha i informuar rreth bëmave të tij. Unë e dija se çfarë ishte shkruar në ato fletët e hartat e Planit që rridhnin shpejt e shpejt para syve të njerëzve, ndaj kisha një përparësi në raport me mijëra qytetarët që i dëgjonin nga shtëpitë dhe ndoshta edhe u zinin besë. Thelbi është ky: ATA PO GËNJENIN PA PIKË TURPI.
Të njëjtin fenomen e kam vënë re në një sërë debatesh apo diskutimesh publike. Të ftuar, politikanë, funksionarë zyrtarë të lartë, që gënjejnë pa asnjë lloj brerje ndërgjegjeje. Flas për debate publike, pasi në gazetë, sidoqoftë, është më e lehtë të gënjesh. Ulesh e shkruan një artikull, apo jep një intervistë ku thua se do ndërtohet kjo apo ajo gjë, se do arrijmë këtë apo atë gjë dhe, edhe nëse po gënjen, apo e di se po thua një gjë që nuk do të realizohet kurrë, prapë është më e lehtë. Përballë ke vetëm ekranin e kompjuterit dhe tastierën që, me ftohtësinë e plastikës, ndoshta nuk ia dalin të prekin mekanizmat e ndërgjegjes. Ekspertët e komunikimit shpjegojnë se një nga arsyet e shtimit të ndarjeve të të dashuruarve është se një nga mënyrat më të përdorura për t’i thënë mjaft partnerit është SMS-ja ose e-maili. Natyrisht është shumë më e lehtë ta përballosh një ndarje kur përballë nuk ke partnerët, por vetëm tastierën. Kështu edhe puna e deklaratave të bëra përmes një gazete apo një artikulli.
Por është ndryshe në një debat, ku kundërshtarin e ke përballë me mish e kocka dhe duhet ta shohësh teksa i flet. Duhet të shohësh në sy një njeri të cilin po e gënjen. Jo më kot, kur duam të sigurohemi për atë çka na thonë edhe në jetën e përditshme, kthehemi dhe i themi tjetrit: më shih në sy. Është shumë e vështirë të thuash një gënjeshtër, duke e parë tjetrin në sy. E pra, kam frikë se po gjendemi përballë një brezi të ri gënjeshtarësh, gënjeshtarë të tipit të ri, njerëz që e kanë tejkaluar edhe barrierën e fundit morale, atë të të gënjyerit duke të parë drejt e në sy.
Më e keqja është se ky brez i ri gënjeshtarësh publikë, nuk përbëhet edhe aq nga brezi i vjetër i politikës nga njerëz të rritur e formuar në kohë të Komandantit, kur të gjithë kishim bërë shkollën e të recituarit të dogmave ideollogjike që nuk i besonim më. E keqja e të këqijave është se ky fenomen po shfaqet dukshëm tek brezi i ri i politikës, i rritur dhe formuar në dekadat e demokracisë, i shkolluar dhe masteruar në shumicën e rasteve nëpër universitete të huaja dhe i sjellë pastaj në arenën shqiptare.
Përgjithësisht janë të rinj, midis të 30-ave dhe 40-ave, energjikë, të veshur mirë, plot me fraza dhe frazeologji të kuruar mirë, që nuk kanë punuar asnjëherë në ndonjë punë reale dhe … bosh, fare bosh nga brenda. Të përzgjedhur dhe katapultuar nga politika për të vetmen aftësi, të dinë të recitojnë dhe të gënjejnë duke të parë në sy. Nuk kanë asnjë lidhje emocionale me punën që bëjnë. Sot mund t’i vësh të bëjnë ministrin e Kulturës a të Bujqësisë, nesër t’i heqësh dhe t’i çosh të bëjnë ministrin e Financave a të Shëndetësisë, nuk tuten fare, shkojnë dhe recitojnë të njëjtat gjëra që ju vënë përpara.
Meqenëse kam nja 10 vjet që dal e debatoj publikisht, mund të them se e ndjej tashmë ndryshimin që po ndodh. Deri përpara disa vjetësh, ende në shumicën e debateve publike, diskutoheshin tema apo çështje konkrete, ku palët diskutonin mbi alternativat e tyre duke qenë përgjithësisht edhe të lidhur emocionalisht me atë çka thonin. Pavarësisht se kush kishte të drejtë, diskutantët besonin në ato që thonin dhe mbronin teza për të cilat kishin kontribuar. Argumentet e dhëna tentonin të zhvleftësonin tezat e kundërshtarit, duke mbetur gjithsesi brenda një diskutimi ku debatonin dy palë me njëra-tjetrën dhe publiku ishte dëgjues pasiv.
Ndërsa tani, shumica e debateve më ngjan se po kthehen në skena dhe mundësi jo për të debatuar dy palë, por në mundësi për t’i folur publikut. Nuk i flitet më kundërshtarit, por njerëzve që dëgjojnë nga shtëpia. Ti thua një gjë dhe pret përgjigje për të, ndërsa nga përballë të vijnë përgjigje të llojit: populli nuk i ha këto gjëra, shqiptarët do dinë të vlerësojnë, ne do bëjmë të pamundurën për të këtë apo atë gjë, fjalë në erë pa asnjë përmbajtje. Dhe natyrisht që nuk merr asnjë përgjigje për atë që ke pyetur. Le pastaj, kur këto gjoja-debate mballosen me gënjeshtra të rëndomta, të thëna thjesht për të mbushur kohën.
Unë vetë, disa herë nëpër debate, e kam ndjerë veten të çarmatosur përballë kësaj kategorie gënjeshtarësh. Kur nuk je mësuar (dhe nuk është e lehtë të mësohesh) është e vështirë të diskutosh me dikë që të sheh në sy dhe të gënjen, gënjeshtra me të cilat më pas, kur debati ka mbaruar, qesh e argëtohet edhe ai vetë! Nuk ka asnjë vlerë t’i thuash gënjeshtar para kamerave, pasi sidoqoftë në kandar do jetë fjala jote përballë së tijës. Bash për këtë arsye, shoqëria njerëzore ka krijuar moralin, i cili, me mekanizmat e veta ndërhyn atje ku nuk arrin dot rregulli i shkruar apo ligji. Nëse kodet morale, të ngritura e ushqyera për mijëra vjet nga çdo qytetërim e shoqëri e civilizuar, kapërcehen kaq kollaj si pa të keq, nuk është e lehtë t’u kundërvihesh më.
Lenini në kohë të vet, është gjendur ndoshta për herë të parë në historinë moderne përpara këtij problemi. Duke qenë në nevojë dëshpëruese për njerëz të rinj, që i bindeshin disiplinës së Partisë, përtej bindjeve, ndjenjave apo kodeve morale të formësuara, ai krijoi një kategori të re funksionarësh politikë, që i quajti “revolucionarët profesionistë”. Kjo kategori nuk duhej të kishte asnjë bindje apo zanat të vetin me të cilin të lidhej emocionalisht, duhej të zhvisheshin nga çdo lloj lidhjeje me vendin apo të shkuarën e vet dhe duhej të kishin vetëm një busull orientimi: fjalën e Udhëheqësit.
Në njëfarë mënyre, pas një cikli shekullor, po shoh të shfaqet në skenë si pa gjë të keq varianti modern i revolucionarit profesionist, tashmë me veshjen moderne të gënjeshtarit profesionist.
Top Channel