Arrest me burg për vrasësin e taksistit

04/01/2013 00:00

Gjykata la në arrest me burg 25-vjeçarin Aldo Morina, me detyrë nënoficer i forcave komando për akuzën e vrasjes me dashje të taksistit Mehmet Beqiri, 53 vjeç, krim i ndodhur në kryeqytet më 1 janar.

I akuzuari i tha gjykatës nëpërmjet avokatit të tij, Agron Bajri se e ka kryer vrasjen për shkak të tronditjes së fortë psiqike pasi viktima i dhunonte të ëmën. Sipas avokatit, e ëma e autorit po kalonte një gjendje të shqetësuar nga viktima për shkak të ngacmimeve të herë pas hershme dhe ky fakt e ka detyruar Aldo Morinën që të shoqëronte prej kohësh për ta mbrojtur, ndërkohë që sipas avokatit 25-vjeçari është vetëdorëzuar në polici dhe njihet në radhët e ushtarakëve si person me disiplinë dhe i shpërblyer me medalje.

Avokati kërkoi që klienti i tij të lihet i lirë në mënyrë që burgosja e tij të mos shërbejë si mbështetje për personat maniakë dhe të dhunshëm kundër njerëzve të ndershëm, aq më tepër tha ai, kur shoqëria shqiptare kohët e fundit është përballur me raste maniakësh, sikurse rasti i Shaban Norjes në Durrës.

Pavarësisht se viktima, sipas avokatit, kishte thikë në dorë dhe kishte provokuar një rrezik real për gruan, prokurori tha se vrasja ishte kryer me dashje nga i riu dhe jo nga gjendja emocionale e tij. Në përfundim gjykata rrëzoi kërkesën e avokatit dhe pranoi kërkesën e prokurorit duke vendosur arrest me burg.

Top Channel