Thirrje raciste, Milani braktis ndeshjen

03/01/2013 18:10

Një ndeshje miqësore e Milanit u ndërpre pasditen e sotme (të enjten), pas koreve raciste në drejtim të futbollistëve me ngjyrë të kuqezinjve.

Shtatë herë kampionët e Europës ishin zhvendosur në testin e fundit dimëror përpara ballafaqimit me Sienën në Serinë A, në fushën e amatorëve të Pro Patrias, në qytetin e Busto Arsizios, pranë Milanos.

Megjithatë, që në minutat e para të ndeshjes, futbollistët me ngjyrë të Milanit, si Niang, Muntari dhe Emanuelson, por mbi të gjitha Boateng, u vendosën në qendër të sharjeve dhe ofendimeve me ngjyrime raciste.

Në nervozizëm e sipër, Boateng mori topin e lojës dhe goditi drejt tribunës ku ndodheshin tifozët ekstremistë të vendasve, duke shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes.

Pas disa minutash në dhomat e zhveshjes dhe kërkese nga autoparlantët për ndërprerjen e koreve raciste, Milani vendosi të braktiste takimin.

Si rrjedhojë, Federata Italiane e Futbollit lajmëroi se ka nisur një hetim mbi ngjarjen, ndërsa policia realizoi disa arrestime, të të dyshuarve si autorë të këtij akti të dënueshëm të diskriminimit racor.

Top Channel