Nën atmosferën ende festive të ndërrimit të vitit, Kolegji Zgjedhor do të nisë punën me shqyrtimin e çështjes së ndarjes së vendit në zona të administrimit zgjedhor.

Gjykata e Apelit ka zgjedhur që pikërisht në datën 3 janar të shqyrtojë kërkesën e Partisë Demokratike për ndarjen e territorit zgjedhor të vendit në 100 ZAZ, nga 66 që vendi ka pasur në zgjedhjet e shkuara. Mosmarrëveshjet në Komisionin Qendror Zgjedhor për sa zona do të ketë vendi duke mos mundësuar marrjen e vendimit që kërkon shumicë të cilësuar, çoi këtë çështje në gjykatë.

Administrata e KQZ-së në fillim propozoi 76 zona të administrimit zgjedhor, propozim që mbështetet edhe nga Partia Socialiste. Por, në një propozim të dytë, administrata i shtoi duke ripropozuar 89 ZAZ, ndërsa PD e rriti më tej numrin duke kërkuar 100 të tilla. Opozita kundërshtoi me argumentin se një ndarje e tillë nuk respekton kërkesën ligjore që ZAZ-të duhet të kenë pothuaj numër të barabartë zgjedhësish dhe se rritja e popullsisë së vendit nuk justifikon ndarjen e vendit në kaq shumë ZAZ.

Në këto kushte, demokratët u ankuan në gjykatë duke vendosur në thelb të kërkesës që ndarjen e vendit në ZAZ ta bëjë Kolegji. Por, Kodi Zgjedhor e parashikon këtë çështje si kompetencë ekskluzive të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe vendimmarrjes së cilësuar në të. Në nenin 24 të tij, në pikën F, thuhet shprehimisht se “konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me: caktimin e zonave të administrimit zgjedhor, sipas nenit 27 të Kodit”.
 
Kjo bën që trupa e re e Kolegjit Zgjedhor të ketë të përballet me të parën çështje që lidhet me zgjedhjet e 2013. Më shume sesa vetë thelbi i saj, pritet të shihet qëndrimi i gjykatës në kushtet kur kodi i ri zgjedhor i përcakton qartë se vendimmarrja e vetme e tij është rikthimi i çështjes në KQZ. Në nenin 145 të Kodit Zgjedhor, ku parashikohet e drejta e ankimimit në gjykatë, thuhet se “në këtë rast Kolegji Zgjedhor nuk e gjykon çështjen në themel dhe kur pranon kërkesën, vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim”.  

Në rast të një vendimi të tij të ndryshëm nga ai i rikthimit të çështjes për vendimmarrje në KQZ, opozita thotë se do të krijonte një precedent të rrezikshëm për procesin.

Kjo do të shbënte garancinë e 5 votave për vendimet që lidhen me organizimin e zgjedhjeve dhe se çdo vendim surprizë sipas saj do e bënte situatën të pasigurtë për çdo akt të mëtejshëm që kërkon 5 vota duke dërrmuar në këtë mënyrë besimin në procesin zgjedhor. Edhe koalicioni i vëzhguesve vendorë në një reagim të dy ditëve më parë, i ka paraprirë me shqetësim një vendimmarrjeje të ndryshme të Kolegjit nga sa e parasheh ligji.

Top Channel