Ministria e Shëndetësisë fajëson mjekun pediatër Rasim Lusha në spitalin e Durrësit, për humbjen e jetës së 7-vjeçares Ajsela Vladi, i cili është pushuar nga puna për neglizhencë dhe mos respektim të protokolleve të mjekimit dhe pritet që organet e drejtësisë të japin verdiktin e tyre.
“Zoti Tavo urdhëron pushimin nga puna të mjekut Rasim Lusha për sheklje të rënda dhe mosrespektim të protokolleve për këto çështje. MSH angazhohet për t’u shkuar përgjegjësive deri në fund, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten. Presim që organet e drejtësisë të veprojnë”, deklaroi Pëllumb Pipero, drejtor i politikave në MSH.
Pasi grupet e punës bënë verifikimet e duhura, Minsitria e Shëndetësisë mohon se shërbimi laboratorik nuk ka funksionuar për faktin që ka qenë dita e Krishtlindjes. Duke iu referuar konkluzioneve të grupve të punës rezulton se mjeku roje nuk ka kërkuar asnjë ekzaminim laboratorik.
“Theksojmë se sipas kartelës, fëmijës nuk i është bërë asnjë analizë laboratorike deri në 8 të mëngjesit të 26 dhjetorit, edhe pse spitali rajonal i Durrësit është i hapur dhe funksionon 24 orë në 24. Fëmija nuk është ndjekur sipas protokolleve dhe për pasojë nuk është mjekuar në mënyrë adekuate dhe pa asnjë ekzaminim laboratorik”, nënvizoi Pipero.
Grupi i punës në spitalin e Durrësit ka konstatuar se vajza shtatvjeçare është mbajtur gjatë gjithë natës pa asnjë ekzaminim dhe vetëm në datën 26 në mengjës, pas konsultave mjekësore dhe pasi i janë kryer analizat laboratorike, ajo ka rezultuar diabetike.
Menjëherë sapo është konstatuar gjendje e rëndë shëndetësore, vajza është nisur me urgjencë në QSUT, filllimisht në repartin e endokrinologjisë, në pediatri e më pas në reanimacion.
Për shkak të komplikacioneve në frymëmarrje dhe tru, ku si pasojë e edemës cerebrale dhe ketoacidozës diabetike, ajo ka ndërruar jetë. Minsitria e Shëndetësisë i kërkon prokurorisë të hetojë çështjen dhe ndëshkojë përgjegjësit e kësaj ngjarjeje.
Një ditë më parë, Avokati i Popullit Igli Totozani mori miratimin për nisjen e hetimeve nga dy prindërit Ilir dhe Alma Vladi, që humbën vajzën shtatë vjeçare nga një mjekim i gabuar.
Top Channel