ARTAN LAME- Para ca kohe, revista Focus që del në Romë, publikonte një
artikull ku rreshtonte 10 punërat më të shpifura në botë. Ndër to ishte
për shembull ajo e pastruesit të cisternave të bajgave të lopëve, ose
zanati i analizuesit të spermës, ai i qëruesit të peshqve për konserva,
zanati i telefonistes së linjave erotike, e ca të tjerë zanate të
këtillë.

Më thotë mendja t’u dërgoj një propozim atyre të redaksisë që, listës së zanateve të shpifura, t’u shtojnë edhe një të njëmbëdhjetë, zanatin e drejtorit të Institutit të Monumenteve. Them pa frikë që proponimi im do zërë një vend nderi në listën e Focus-it, pasi zanatet e tyre vërtet janë të shpifura a me erë të qelbur, por janë punë të ndershme dhe që paranë e nxjerrin me djersë; ndërsa ky zanati i direktorit që thashë, jo vetëm që është i shpifur, jo vetëm që qelb gjithë dynjanë, por është edhe i pandershëm fund e majë e ka për qëllim t’i vërë kazmën trashëgimisë së shqiptarëve, të cilët edhe e paguajnë e i japin rrogë për këtë punë.

Para disa ditësh u miratua plani i ri rregullues i Tiranës. Plan i thënçin, po nejse, kohë pas kohe do i bëjmë të ditura thagmat e tij, ndërsa sot dua të them vetëm njërën syresh. Ky palo-Plani heq nga mbrojtja të gjitha zonat e trashëgimisë së qytetit dhe ua hedh ujqërve në gojë për t’i shqyer e betonizuar. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë assesi e s’ka si bën Bashkia, nëse Instituti i Monumenteve më parë nuk thotë bjerini e nuk i heq i pari nga mbrojtja. Them “Instituti” për eufemizëm, se çdokush e di që institucionet shqiptare janë thjesht drejtori që u rri në krye. Për të na siguruar që edhe kjo proçkë ishte e tija, drejtori Apollon Baçe, doli vetë në televizor dhe deklaroi se zonat dhe objektet që u hoqën nga mbrojtja nuk kishin asnjë vlerë. Por po të qe kështu, qorra nga sytë kishin qenë ata që i kishin vënë në mbrojtje para tij dhe u desh të vijë Apollon syhapuri e t’i ndreqë? Pastaj s’do lënë mënjanë se, disa prej godinave që u dënuan me kazmë, janë vënë nën mbrojtje nga vetë drejtori aktual, që tani del e thotë se nuk paskëshin vlera! Kur zoti Berisha vendosi të prishë Piramidën, e vetmja pengesë ligjore ishte fakti që ajo ishte vënë nën mbrojtje që në vitin 2000. Për më tepër, në vitin 2007 vetë Apolloni e kishte shpallur sërish monument kulture atë objekt, ndërsa tani, tre vjet më pas, prapë po vetë ai doli t’i hiqte statusin dhe pa pikë turpi të deklaronte se Piramida ishte objekt pa vlerë.

Ca vjet të shkuara, në Shkodër, me dijeninë e plotë të Apollonit u lejua të shkatërrohej një monument kulture, i cili më pas u zëvendësua me pallate, duke i hapur kështu rrugën shkatërrimit të një blloku të tërë të Shkodrës së vjetër. Direktori tha se objekti ishte pa vlerë. Pastaj, para dy vjetësh në hyrje të Shkodrës u zbuluan pjesë të kolektorit mesjetar të kullimit të ujërave të qytetit dhe, ndërsa ne të gjithë u shkulëm atje dhe u përpoqëm ta shpëtojmë atë zbulim unikal për të gjithë vendin, i vetmi që deklaroi se zbulimi ishte pa vlerë ishte Apolloni, duke e dënuar kështu me vdekje kolektorin dhe urën hyrëse të qytetit, të cilat u zhdukën nën thonjtë e ekskavatorëve.

Pastaj i erdhi radha shatërvanit në Lulishten e Parlamentit në Tiranë. Ndërsa u shkatërrua pa mëshirë shatërvani më i vjetër i qytetit dhe u ngrit një grup shumë i madh dashamirësh të trashëgimisë që protestoi edhe atje te rrënojat e shatërvanit, i vetmi që doli kundërrymë, ishte … e kush tjetër përveçse Apolloni. Objekti nuk ka asnjë vlerë, deklaroi. Kur ne i thamë se jo vetëm shatërvani mbartte vlerë e histori, por edhe kabina elektrike përkarshi (edhe ajo monument kulture) pasi ishte objekti inxhinierik më i vjetër i ruajtur i kryeqytetit, prapë Apolloni na i preu: “Edhe ajo s’ka vlerë dhe duhet prishur”. E mbyllëm gojën se ky shpirtkazmë ishte hazër t’i vinte kazmën çdo gjëje që thoshim ne, sikur edhe Mikelanxhelo ta kish ndërtuar. Falë ndërhyrjes sonë, Bashkia e rindërtoi shatërvanin dhe sot ai është gjëja më e bukur e asaj lulishteje.

Pastaj u erdhi radha kullave të fortinove dhe rrethimit të Pallatit të Brigadave. Nuk po zgjatem te lufta disamujore që bëmë për ta shpëtuar këtë monument unikal që i tejkalon ku e ku kufijtë e vendit; aq shumë zhurmë bëmë sa edhe vetë Berisha u detyrua të deklarojë se rrethimi duhej çmontuar me kujdes dhe të rindërtohej identik. E tha Saliu sa për të larë gojën ndoshta, por prapë doli Apolloni kobndjellës dhe deklaroi përsëri se rrethimi ishte pa vlerë dhe nuk duhej ruajtur.

Pastaj erdhi radha e Shtëpisë së Flamurit në Korçë, e cila u shemb me një pakt të fshehtë: ju prisheni, ne s’do themi gjë. Shtëpia muze u shemb, por pakti nuk funksionoi, vetëm sepse pas rrënimit të saj u ngrit një opinion i tërë për të kërkuar rindërtimin e saj. Prapë i pari që doli në media ishte Apolloni, që deklaroi se godina ishte pa vlera arkitektonike dhe nuk ia vlente të mbahej. Meqë jemi anëve të Jugës, të njëjtin hall patëm kur i kërkuam Institutit që të vendosnin nën mbrojtje dy fortinot gjermane buzë liqenit në hyrje të qytetit të Pogradecit, pasi mbeten të vetmet përfaqësuese të mbijetuara në vend. Kujtoj këtu se trashëgimia e fortifikatave ushtarake të Luftës II Botërore, në të gjithë Evropën është vënë nën mbrojtje të rreptë, për shkak të rrallësisë së saj. Kësaj radhe përgjigjja e Institutit ishte e veshur edhe me petk patriotik: nuk ia vlen të vendosen nën mbrojtje, sepse i ka ndërtuar armiku!

Apolloni po i kalon gjithë vitet e drejtorllëkut duke bërë vetëm dy gjëra, ose duke thënë se objekti nuk ka vlerë, sa herë që ndonjë copëz e trashëgimisë sonë rrezikohet apo rrënohet; ose duke hequr nga mbrojtja pjesë të tjera të trashëgimisë që, meqë nuk rrëzohen vetiu, ua bën gropën ai vetë.

Unë përgjithësisht u shmangem shkrimeve me emra personash të veçantë, sepse në thelb nuk është gjest kalorësiak të merresh me tjetrin personalisht. Mirëpo në rastin e Apollonit na kanë zënë dy halle. Të parin e sqaron populli, kur thotë se “horri t’ban horr” ndaj duam s’duam do merremi me të. I dyti është ca më i thellë. Ky vend është i mbushur plot me lloj-lloj hajdutësh e keqbërësish me pushtet. Dikush vjedh tenderin e groshëve në konvikt. Keq është kjo, se do të thotë që studentët do të hanë ca më pak, po nejse, do e marrin prapë veten. Dikush tjetër vë dorë në tenderin e rrugës. Edhe kjo gjë e keqe është, se rruga nuk do të rrojë 10 vjet, por do të prishet që vitin e parë, por edhe kjo kalon, se bëjmë tender prapë. Një tjetër vjedh në doganë apo në tatime, në librat e kalamajve, në lekët e të përndjekurve, apo në ndërtim. Të gjitha gjëra të këqija janë, por një ditë mund t’i ndreqim prapë, megjithëse me kosto shtesë.

Por, të lejosh të shkatërrohet një monument kulture, apo më keq akoma të vësh firmën vetë për ta shkatërruar, është një e keqe pa kthim. Ajo ç’ka prishet në trashëgimi është e humbur një herë e përgjithmonë. Mund të ketë mbijetuar 50, 100 apo 500 vjet, mund të mbijetonte pas nesh edhe qindra vjet të tjerë, por mjafton që midis kësaj ure të shekujve të gjendet një punëzi si Apolloni dhe e gjithë kjo rrjedhë shekujsh pritet e s’mund të ngjitet më.

Ne nuk e ndajmë dot pse-në e urrejtjes së këtij direktori për trashëgiminë tonë. Ndoshta e bën se tani që është plakur i vjen inat që kalatë e kishat tona do të rrojnë edhe pasi ai të mos bëjë më hije mbi dhé; apo e bën se i duhen pará për të shtyrë pleqërinë dhe ca qejfe që nuk i shkojnë moshës së tija; apo thjesht për t’u bërë qejfin atyre që e kanë vënë në atë detyrë. Nuk e ndajmë dot arsyen e vërtetë dhe s’dua të hyj në gjynah, por po jua lë në dorë juve o lexonjës, ta ndani vetë se kush vlen më shumë, një drejtor që thotë “është pa vlerë” për çdo gjë të trashëgimisë sonë, apo vetë trashëgimia jonë që po na tretet.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA