
Për Partine Socialiste, kryeministri Sali Berisha është duke shkelur çdo normë transparence, me heshtjen e zgjedhur dhe baltosjen e opozitës, në vend të bërjes transparente për shqiptarët se si fëmijët e tij, Shkëlzeni dhe Argita, dhëndri Jamarbër Malltezi, daja Agim Rama dhe kushërira e tyre Elvana Hana, kanë mundur të kthehen në miliarderë.
Deputeti Taulant Balla tha se sot në botën demokratike, transparenca mbi pasurinë e njerëzve të veshur me pushtet është detyrim dhe përgjegjësi.
“Duke iu referuar ekzaktësisht vetëm deklaratave të plotësuara nga vetë Sali Berisha, Argita dhe Shkëlzen Berisha, Jamarbër Malltezi dhe anëtarë të tjerë të afërm të familjes së Kryeministrit, ne kemi vërejtur se në bazë të deklarimeve të këtyre personave, pasuria e tyre është rritur në mënyrë marramendëse, në raport të zhdrejtë me gjendjen ekonomike dhe sociale të shumicës së qytetarëve shqiptarë, në raport të zhdrejtë me mungesën e lirive e demokracisë në vendin që qeveriset nga babai. Ndërsa të gjithë shqiptarët e thjeshtë janë duke e provuar në kurriz të tyre peshën e krizës ekonomike, një familje në Shqipëri, familja biologjike Berisha po pasurohet çdo ditë e më shumë”, denoncoi Balla.
Deputeti socialisti i ripërsëriti disa pyetje kryeministrit Berisha, duke e ftuar t’u japë përgjigje nëse kreu i qeverisë nuk ka asgjë per të fshehur.
“Si ka mundësi që ndërsa avokaton formalizimin e ekonomisë, vetë Saliu na paska një thes 10 milionsh në një cep të shtëpisë, të cilin pothuaj e kishte harruar dhe kish shtuar me dorë? Si ka mundësi që vajza e tij Argita Berisha na merrka 146 milionë lekë nga mësimdhënia? Vetëm pse babi është kryeministër, e bija e tij na qenka edhë mësuesja më e paguar në botë. Kush janë universitetet që paguajnë tarifa të tilla, që rivalizojnë me universitetet më prestigjioze në botë? Sa orë në vit jep mësim kjo zonjë, për të marrë këto lloj pagesash?”, pyeti Balla.
Sipas tij, të tilla pyetje mbase nuk do të marrin kurrë përgjigje nga Sali Berisha, por ai premtoi angazhimin e PS nesër në qeveri, se askush nga blloku blu, nuk do t’i shpëtojë skanerit të transparencës së pasurive.
“Edhe për 176 ditë, deri më 23 qershor. Pas 23 qershorit do të rilindë Shqipëria. Do të rilindë edhe drejtësia e munguar. Një drejtësi e vërtetë që do të mundësojë hetimin e plotë dhe gjykimin e paanshëm të pasurimit të bllokmenëve të rinj në pushtet. Do të hetohet se si janë larguar nga Shqipëria 1.3 miliard dollarë në pesë vite të qeverisjes së Saliut. Prandaj Sali Berisha bën mirë të fillosh të mendosh mirë dhe me këmbë në tokë për transparencën e pasurimit tënd, të fëmijëve dhe të të afërmëve të tu. Viti 2013 është viti i ndryshimit”, premtoi socialisti Balla.
Top Channel