Gratë dhe vajzat e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare kanë festuar dhe uruar njëra-tjetrën për Vitin e Ri.
Festës i është bashkuar edhe kryeministri Berisha, i cili i shoqëruar nga bashkëshortja zonja Liri Berisha, ka uruar të gjitha gratë dhe vajzat demokrate dhe ato në mbarë Shqipërinë për Vitin e Ri 2013.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, kryeministri Berisha ka vlerësuar rolin dhe kontributin e tyre, në fitoret e demoktatëve gjatë këtyre 22 viteve.
“Të gjitha fushatat elektorale të fituara nga Partia Demokratike janë fituar para së gjithash dhe mbi të gjitha nga mbështetja eprore e të rinjve dhe grave të Shqipërisë, ky është realiteti i pamohueshëm i verifikuar dhe i faktuar shumë e shumë herë në garat elektorale. Të gjitha reformat e mëdha të kryera në këto vite kanë patur fatin e madh të kem bashkëpunëtore të shkëlqyera, që në vitin e parë si president i këtij vendi, deri në ditët e sotme, të cilat me përkushtim, me ndershmëri, mençuri japin dhe kanë dhënë një kontribut madhor në reformat transformuese të vendit”, deklaroi Berisha.
Duke u ndalur në çështjet e korrupsionit, të cilat i vlerësoi si një problem serioz, zoti Berisha tha se antidodi më i mirë është emërimi i grave dhe vajzave në postet më kyçe, pasi shkalla dhe probabiliteti i korruptimit të tyre është disa herë më i ulët sesa i burrave.
Kryeministri Berisha njëherazi edhe kreu PD foli edhe për fushatën elektorale të 2013-tës.
“Kjo është një fushatë, në të cilën ne si forcë politike, pa diskutim shkojmë me arritje të cilat kurrë ndonjëherë nuk do ishin imagjinuar më parë. Natyrisht, pushteti ka edhe problematikat e veta. Por, unë dua t’ju them ju se, mandati 2009-2013 është një mandat, në të cilin Partia Demokratike, në krye të një koalicioni ka bërë me shumë se kurrë në historinë e këtij vendi, për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, për shkollimin e qytetarëve shqiptarë, për shërbimin shëndetësor të qytetarëve shqiptarë, për rrugët, për infrastrukturën, pra ka bërë më shumë se kurrë, për të shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar”, shtoi kryeministri.
Dhe në fund, një dolli e cila tha kryeministri, shkon jo vetëm për gratë demokrate, por edhe për bashkëshortët, fëmijët dhe familjet e tyre në të gjithë Shqipërinë.
Top Channel