Berat, qendra “Unë jam si ju”

29/12/2012 00:00

Qendra “Unë jam si ju” është vënë në qendër të vëmendjes së shumë shoqatave e donatorëve menjëherë pas apelit të televizionit Top Channel, për të ndihmuar fëmijët e strehuar aty e që jetojnë në kushtet e mungesës së nevojave elementare të jetesës, që nga ushqimi, veshja, ilacet apo ngrohja.

Ndihma janë sjellë nga Kryqi i Kuq por edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social, ku vetë drejtoresha Kozeta Mesiti, e shoqëruar nga disa donatorë, solli ndihmat duke premtuar që projektet për këtë qëndër do të jenë një nga prioritetet kryesore të kësaj drejtorie.

Por drejtori i qendrës, Irfan Myftari pohon se këto ndihma janë thjesht për të kaluar festat e fundvitit dhe se pret çeljen e fondeve për qendrën.

“Falenderojmë ata që reaguan për gjendjen tonë. Pamë reagimin e zonjës Kozeta Mesiti, që erdhi me stafin e saj dhe bashkarisht po ndajmë këto ndihma për festat e fundvitit. Por pres edhe reagimin e Ministrisë së Çështjeve Sociale për rikonstruksionin e godinës dhe ambjenteve të jashtëm të saj”, deklaroi Myftari.

Të paktën 27 fëmijë të qendrës “Unë jam si ju” janë ende në pritje të çeljes së fondit për mbajtjen e qendrës me ushqime, ilaçe apo ngrohje, si dhe rikonstruksionin e saj.

Top Channel