Saimir Kodra, i njohur gjerësisht thjesht si “Saimiri”, është protagonisti i dyshes mbase më jetëgjatë në ekranet shqiptare, atë të “Fiksit”.
Në një intervistë për “Pasdite” në “Top-Channel”, ai rrëfeu gjërësisht këto dhjetë vjet të paharrueshëm në emision, u ndal në pritshmëritë e tij të së ardhmes, në emocionet dhe përgjegjësinë e të qënit baba apo në nismat e tij të shkuara, midis të cilave edhe ajo e konkurrimit për deputet.
Pasdite në “Top-Channel” – Sajmir, kush e lindi idenë e “Fiks-Fare”-s?
Saimiri – Siç e tha Genti më parë (“Doktori”), ishte një ide tolalisht e Tanit, përfshi emri i emisionit. Nuk më kujtohen mirë detajet, por pati disa alternativa të tjera. Menduam se duhej diçka shumë shqip, që të ngjiste që në emër. Fatkeqësisht, si dhjetë vjet të shkuara, gjërat kanë mbetur njësoj dhe ky zhargon vazhdon të jetë i përshtatshëm.
Pasdite – Kur nisët atëherë emisionin, a kishit pritshmërinë që do të mbërrinit deri këtu? Por, mbi të gjitha, si e sheh veten pas dhjetë vitesh?
Saimiri – Unë uroj. Megjithatë, radio është dashuria ime e parë e mirëfilltë. Atje mund të shkosh me një kafe, veshur pa veshur, e të ndiesh që komunikon me dikë në linjë. Televizioni është i bukur, sot është më në modë, përcjell më mirë mesazhet. Mbase ka ikur koha e radios, por duke parë realitetin, televizioni është si ai limoni që shtrydhet e shtrydhet dhe vjen tjetri. Përpara dhjetë vitesh na zgjodhi Tani, që kishte një nuhatje të jashtëzakonshme, por ndoshta, gjatë dhjetë vitave mund të vijnë dy persona të tjerë, pasi është cikël, është një cikël që do të ndërrohet. Megjithatë, mund të inkurajohemi nga fakti se në Itali, tek “Striscia la Notizia”, janë të njëjtët drejtues prej 25 vitesh.
Pasdite – A do të ketë Shqipëria të njëjtat probleme në dhjetë vitet e ardhshme?
Saimiri – Me shumë keqardhje, sepse kam jetën këtu, kam një djalë, kam mbesa, të afërm, fëmijë të vegjël, do të jetë e tillë, mbase jo në këtë dramë, por historia ka treguar që ne përsërisim veten. Nuk dua të jem ogurzi, por do të ketë gjithmonë probleme.
Pasdite – Sa presione ka mbi ju në drejtimin e “Fiks”-it gjatë këtyre viteve?
Saimiri – Ka disa lloj presionesh, i kam ndarë në disa kategori. Ato të mirëfillta, që njohim të gjithë. Por, presioni më i madh, mbetet tek fakti se Shqipëria është shumë e vogël dhe kudo do të dalë ndonjë djalë xhaje, ndonjë kushëri, që dashje pa dashje bie në gabim dhe del tek “Fiks”-i. Në Korçë kam pasur një çun xhaxhai titullar institucioni që e bëra për një lek në emision. U desh ta bëja sepse veprimi rëndonte 20 mijë qytetarë. Më vonë, xhaxhai e kuptoi gabimin e të birit dhe faktin që gjithçka bëra ishte profesionale.
Pyetje nga qytetarët – Sa ndikoheni në punën tuaj nga “Striscia la Notizia”?
Saimiri – Nuk e di sa e dinë shqiptarët, por formati i parë i këtij emisioni është bërë nga dardhari James Belushi. Pastaj, u shpërnda formati. Çdo njeri ka një frymëzues, dikush një poet, unë nuk e fsheh. Këta të italisë kanë 25 vjet në drejtim, janë shumë të suksesshëm, por në temat e tyre trajtohen edhe problemet e qenve. Mbase është gabim që ne se bëjmë, por mbase këtu ka probleme shumë më të rënda. Gjithsesi, thelbi i emisionit është i njëjtë, shërbimi për komunitetin.
Pyetje nga qytetarët – Ku do ta festoni Vitin e Ri, Saimir?
Saimiri – Ky sezon nga shtatori ka qenë pak i lodhshëm, dinamik, i vrullshëm. Do ta kaloj në shtëpi me të afërm. Në fakt, nuk jam nga ata që Viti i Ri duhet festuar në shtëpi deri në 12, por këtë herë kështu kemi vendosur.
Pasdite – Ardhja në jetë e djalit ju ka bërë emocional, të ndjeshëm dhe të përgjegjshëm, keni thënë më parë.
Saimiri – Absolutisht po. Fëmija erdhi si pasojë e dashurisë që kam për gruan që kam në krahë. Nuk ma kërkoi njeri me zor, nuk më tha njeri të erdhi koha të martohesh. Ishte diçka që doja ta bëja dhe e zgjodha vetë. Prandaj, natyrshëm mendova për përgjegjësitë që do të merrja përsipër dhe kur e ndieva veten të përgatitur, vendosa të bëhesha baba.
Pasdite – Si baba i ri, me një djalë që ende nuk i ka mbushur katër vjeç, keni pyetur veten se si mund të rrisësh një fëmijë mirë, njëkohësisht pa humbur lidhjet me realitetin dhe Shqipërinë tonë?
Saimiri – Është ende shumë herët për të njohur këtë. Unë jam natyrë sportive, dinamike, fundjavat sa mundem i kam me ski, male, ecje, dete, dallgë. Dua që im bir të trashëgojë këtë natyrë, të rritet pak si spartan. Më pas, do të ketë kohë të mjaftueshme për të njohur dhe pranuar realitetin.
Pasdite – Në dhjetë vjet, ju keni munguar dy herë në “Fiks-Fare”. Një ditë të vetme ku ju lindi djali dhe për katër javë gjatë një fushate zgjedhore.
Saimiri – Realisht, se mbaj mend a mungova kur lindi djali. Në këto dhjetë vjet, një njeri çohet, nuk ka dëshirë të bëjë asgjë. Thjesht çohesh, në momentin ke apo nuk ke dhimbje koke, halle gjithçka, vetëm se kur del para kamerave i harron të gjitha. Ajo mungesë 1-mujore ishte një përvojë e tmerrshme dhe e bukur njëkohësisht. Ishte një tentativë për t’u bërë deputet në këtë Parlament Shqiptar. Në vitin 2007, u lançova nga shoqëria civile, një kandidaturë për të cilën u bashkua edhe PS e LSI. Ishte një realitet ndryshe nga ai që e mendoja. Ishte shumë e lodhshme, por më ndihmoi shumë ama për të parë realitetin shqiptar, për të parë fshatra, fukarallëk, o Zot. Dhe të gjitha të lëna vetë ashtu pas dore, sepse kështu manaxhohen më lehtë. Ky është një realitet, i parë nga afër, shumë i tmerrshëm. Në ato kohë, se dija çfarë ishte përballja me shtetin. Rivali im vodhi si derri dhe në fund me zor fitoi me 126 vota. Me statistika, në atë zonë, e majta dhe shoqëria civile nuk i ka arritur kurrë atë nivel mbështetje që pata unë, por kjo tashmë është një histori e shkuar.
Top Channel