Radhë të gjata për kolaudimin

27/12/2012 20:10

Ditët e fundit të vitit kanë shtuar fluksin e drejtuesve të mjeteve që paraqiten për të kryer kontrollin teknik të automjetit në pikën e kolaudimit në kryeqytet. Radhet e gjata që në orët e para të mëngjesit i kane irrituar qytetarët.

Përfaqësues të degës së taksave sqarojnë se kaosi i krijuar që në datën 24 dhjetor ka ardhur si pasojë e neglizhencës së qytetarëve, të cilët lënë për ditët e fundit të vitit taksen e qarkullimit rrugor duke e lidhur atë me datën e kolaudimit.

Kjo ka bërë që në sportele të paraqiten me qindra qytetarë, të cilët nëse nuk kryejnë pagesën deri në datën 31 dhjetor, në muajin janar do të duhet të paguajnë edhe për vitin që vjen.

“Njerëzit i lënë taksat për në fund të vitit, duke u bazuar tek data kolaudimit, ndërkohë që taksa e mjetit është vjetore dhe mund të paguhet në çdo datë të vitit. Mesatarisht, këtu paguhen 400-500 taksa në ditë. Nëse qytetarët nuk e paguajnë deri në 31 dhjetor, duhet që në 2013-n të paguajnë taksat e të dy viteve marrë bashkë”, deklaroi përgjegjësi i Sektorit të Taksave, Ermal Ademi.

Për të përballuar fluksin, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka dyfishuar sportelet dhe ka shtuar orarin e punës, përtej atij zyrtar.

“Ditët e fundit punojmë me 12-16 sportele, thuajse një kapacitet i trefishuar. Punohet me orar të zgjatur, të shtunën dhe të dielën me dy turne, ndërsa edhe data 31 është ditë pune”, shtoi Ademi.

Në këtë situatë, me orar të tejzgjatur do të punohet edhe pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor të Tiranës.

Top Channel