Suada, vajza që jeton në skamje, por shkëlqen në shkolle me nota 10; Aleksandri, roja që i shpëtoi jetën një 3-vjeçari që ra nga kati i katërt; Medina nga Kosova që sfidon aftësinë e kufizuar duke fituar kampionate noti; vajza inteligjente që shpikin robotë…
Këto janë vetëm disa nga heronjtë e ditëve të sotme që kanë ardhur me historitë e tyre në “Pasdite në Top Channel”.
Një sezon që ka gjurmuar modele frymëzuese në këto kohë të vështira ku më shumë se kurrë duhen zbuluar vlera nëpërmjet historive personale që janë bërë fokus i emisionit të pasdites.
Njerëz që i kanë mbijetuar sëmundjeve me pozitivitetin e tyre dhe dëshirën për të jetuar, gra që janë bërë nëna në moshën kur një gjë e tillë duket e pamundur, njerëz me vullnet të hekurt që kanë filluar studimet në moshën 57-vjeçare, histori që tregojnë se mosha nuk është kurrë një barrierë dhe se asgjë s’është e pamundur.
Sipërmarrje vullnetare për tu mbajtur mend. Një prift që nga pasioni përjetëson në dokumentarë figura të shquara historike apo misionarë që hapin vende pune në kohë krize, biznesmenë që parasë i japin vlerë vetëm nëpërmjet dhurimit dhe bamirësisë, fëmijë që bëjnë panaire me ëmbëlsira për të respektuar moshën e tretë, punëtorë të thjeshtë që ecin me ditë në këmbë për të treguar se për atdheun duhet patur respekt.
Këto dhe shumë histori të tjera kanë shoqëruar rrugëtimin e “Pasdite ne Top Channel” në këtë sezon të ngjeshur me tema që nuk i kanë shpëtuar gjithsesi dhe pasqyrimit të pjesës së zezë të realitetit shqiptar. Por me një qasje ndryshe: me misionin për të sjellë alternativa dhe për të nxjerrë në pah të mirën.
Sepse siç ka thënë Ana Frank: “Cdo njeri e ka brenda vetes lajmin e mirë. Lajmi i mirë është se ju nuk e dini se sa të mirë mund të jeni, se sa gjëra mund të arrini dhe çfarë potenciali mund të keni!
Top Channel