Lajmet e mira nga Shqipëria

27/12/2012 18:05

Një lajm i mirë për fëmijët e ngujuar. Tanimë duket se ata që nuk mund të largohen nga shtëpitë e tyre për rrezikun e jetës, do të mund të marrin mësime nëpërmjet Skype, kështu ata nuk do të qëndrojnë të paarsimuar edhe pse lajmi vërtet i mirë do të ishte zhdukja e fenomenit.

Një tjetër lajm i mirë për të cilin duhet të gëzohemi është suksesi që po korr Rita Ora. Vajza e lindur në Prishtinë tashmë është me efekt të plotë një yll ndërkombëtar. Ajo ishte e pranishme gjatë festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe shqiptarët patën mundësi ta shohin nga afër atë që po na lakmon bota.

Një tjetër lajm i mirë është përfshirja e shumë meshkujve shqiptarë të njohur në një fushatë të rëndësishme kundër dhunës ndaj gruas. Eksponentë të fushave të ndryshme kanë dhënë mesazhin e tyre kundër dhunuesve të grave e bashkëshorteve.

Një nga ngjarjet më të rënda të vitit ishte padyshim tragjedia me autobusin e studenteve të Universitetit të Elbasanit në Himarë. Ajo që duhet të përmendet patjetër është solidarizimi i menjëhershëm i banorëve të qytezës së vogël bregdetare. Cdo familje himariote iu afrua qendrës shëndetësore dhe shumica e viktimave u transportua me makinat e qytetarëve në një kohë rekord. Heronjtë e vërtetë të ngjarjes ende nuk e kanë kaluar shokun, por shpëtuan shumë jetë vajzash të reja.

Disa familje që vuajnë varfërinë ekstreme janë ekspozuar në emisionin Fiks Fare. Nëse mendoni se këtu nuk ka asnjë lajm të mirë, duhet më parë të shihni puntatën e nesërme me Doktorin dhe Saimirin. E vetmja gjë që mund të themi është se për këto familje që fatkeqësisht jetojnë në skamje totale, ky vit i ri do të jetë më i ngrohtë se kurdoherë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA